Greva e naftëtareve në Ballsh, Kryemadhi kërkon hetime ndaj ARMO-s/ Zbardhet letra drejtuar Prokurorisë dhe KLSH

Monika Kryemadhi, Kryetare e LSI-së, i është drejtuar Kryeprokurorit Olsian Çela, kreut të SPAK, Arben Kraja, kryetarit të KLSH-së, Arben Shehu, si dhe Avokatit të Popullit, lidhur me situatën kritike në të cilën gjenden punojësit e kompanisë së naftës A.R.M.O. sh.a., dhe përkatësisht punojësit sipas njësive KPTHN Ballsh, UPN Fier, Flekt Vlorë.

Kryemadhi shprehet se këtyre punojësve nuk u është paguar për një kohë shumë të gjatë paga dhe ata vazhdojnë të mos paguhen edhe sot e kësaj ditë. Kryemadhi kërkon
që të hetohet deri në fund e gjithë problematika, të nxirren përgjegjësitë ligjore dhe imponim të fortë ndaj qeverisë dhe pronarëve për zgjidhjen e menjëhershme të problemit.

Ajo paralajmëron se pasojat dhe përgjegjësitë për çdo tensionim të mëtejshëm të situatës, në një zonë ku familje në ekstremin e varfërisë kanë mbetur pa asnjë të ardhur, do të binin vetëm mbi qeverinë dhe pronarët e ndërmarrjes.

Në letrën e saj, kryetarja e LSI, kërkon gjithashtu edhe verifikimin dhe zbardhjen e të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve dhe përgjegjësitë penale që rrjedhin prej tyre, të ministrive përkatëse dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

“Punojësit gjenden prej më shumë se tre javësh në grevë urie për të fituar të drejtat e mohuara dhe të grabitura në mënyrë të njëanshme prej pronarëve dhe administratorëve të A.R.M.O.

Situata paraqitet edhe më e rëndë duke pasur parasysh që prej ditësh janë ngujuar punojëset gra, të cilat kanë punuar për vite me radhë në atë ndërmarrje.

Nga pikëpamja ligjore situata është vërtetë skandaloze pasi, të drejtën e marrjes së këtyre pagave, punojësit e kanë fituar me vendim gjykate.

Është e patolerueshme që qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, nuk ka monitoruar situatën, nuk ka imponuar gjetjen e zgjidhjeve për punëtorët, ndonëse shteti rezultonte pjesmarrës me 15% në këtë ndërmarrje, dhe kjo pjesmarrje ka patur si detyrim kryesor funksionimin e rregullt dhe në përputhje me ligjin, ku themelore dhe mbi të gjitha mbetet garantimi i të drejtave të punojësve”, shprehet Kryemadhi.

LEXO EDHE  Sherr në një lokal në Tiranë, i riu dhe shoku i tij kanosin një person. Në telashe edhe biznesmeni

Sipas saj, Qeveria me ndërgjegje të plotë ka mbyllur sytë përpara shkeljes për një kohë shumë të gjatë, të të drejtave të punojësve, gjë që ka krijuar këtë tensionim ekstrem social, të natyrshëm të punojësve, që ka ardhur nga kjo grabitje e mundit dhe e djersës së tyre.

“Punojësit i kanë kërkuar me insistim dhe në mënyrë korrekte këto të drejta të ligjshme të tyre, si dhe kanë organizuar edhe një tjetër grevë urie muaj më parë, në shkurtin e vitit 2020, e cila u mbyll pas kryerjes së një pagese minimale dhe me premtimin nga ana e pronarëve dhe qeverisë për likujdimin e plotë të të gjithë pagave të prapambetura.

Është shumë e qartë të nderuar zotërinj që shkelja e të drejtave të punojësve ka ardhur si pasojë e shkeljeve shumë të rënda të ligjit dhe kjo situatë paligjshmërie ekstreme është pasuar nga reagimi plotësisht legjitim i punojësve, të cilët për shkak të papunësisë së imponuar nga veprimet e njëanëshme të pronarëve, janë zhytur në një varfëri ekstreme.

Realisht, përgjegjshmëria ligjore e punojësve dhe korrektesa e tyre, është vendosur përballë dhunimit të ligjit dhe papërgjegjshmërisë e neglizhencës esktreme të qeverisë e cila ka mbajtur një qëndrim refraktar ndaj kërkesave të tyre, duke u vënë haptas në krah dhe në mbështetje të shkeljes së ligjit.

Përshkallëzimi i situatës jo vetëm do të sjellë pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e grave greviste, por do të tensionojë akoma më shumë një situatë sociale që praktikisht është në kufijtë ekstrem të varfërisë dhe për pasojë do të krijonte premisat për një përplasje e cila është plotësisht e evitueshme duke zbatuar ligjin dhe duke likuijduar të gjitha detyrimet e pagave të papaguara, që punojësve në mënyrë të ligjshme u takojnë”, thuhet në letrën e Kryemadhit drejtuar 4 drejtuesve të institucioneve.