Lopa e Erion Veliajt

Nga Boldnews.al

Ai burrë u tregua i zgjuar, ndonëse shumë urbanë të vonë do ta quajnë “tipik fshtar”. Ai ishte në hallin e tij dhe meqë përpara kishte dy “burra të mëdhenj”, kryeministrin dhe kryebashkiakun, mendoi tua qajë hallin. “Pas tërmetit mu shemb shtëpia dhe për të jetuar kam shitur lopën”-tha ai, teksa i falenderoi të dy për shtëpizën e re që iu ngrit.

Xhaxhai nga Baldushku i Tiranës u tregua vërtetë i zgjuar, sepse e kuptoi që ishte në trasmetim direct në televizione dhe kamerat e propagandës po i qëndronin mbi kokë. “Le t’i blihet një lopë”-tha ai i madhi kryeministër… Rilindja të bën me lopë, madje që në zabah herët, kryebashkiaku Erion Veliaj urdhëroi që një lopë me viç nga pas, të shkonte për familjen e fshatarit, fundja parimet e së shkuarës nuk shkilen nga pinjollët e sotëm në pushtet.

“Ç’thotë populli bën partia, ç’thotë partia bën populli…”-dhe lopa ndryshoi shtëpi. Ky eveniment i madh nuk kishte si të kalonte pa një njoftim të “rëndësishëm” nga zyrat e bashkisë. “Në orët e para të mëngjesit të sotëm (e premte), Klementi dhe e shoqja u habitën jo pak kur panë Veliajn që u solli një lopë”-thuhet në njoftimin e zyrës së madhe të botës së propagandës në Bashkinë Tiranë.

Dikur partia të jepte një lopë nëse një nënë lindte më shumë se gjashtë fëmijë. Ajo quhej “nënë heroinë” dhe përfitonte këtë shpërblim jo të vogël. Sot Rilindja të bën me lopë nëse një fermer e qan hallin e tij para kamerave. Por ndryshe nga ajo periudhë, kafsha e mirë dythundrake do të detyrohet që të pozojë edhe ajo para aparatëve të shumtë dhe kamerave, pasi kështu e do puna e propagandës.

Pa dashje lopa u bë VIP, bashkë me viçin e vogël, ky i fundit nuk është në gjendje ta kuptojë sesa rëndësi ka të dalësh në televizor, e aq më shumë të jesh “i përzgjedhuri” i Erion Veliajt. Por kjo nuk mund të thuhet për lopën që “e di” mjaft mirë që i erdhi fati i madh, ashtu krejt rastësisht.

Mësohet se kafshët e tjera që prodhojnë qumësht janë bërë “xheloze”, ata as nuk po dalin në televizor, e aq më keq Veliaj nuk po i përkedhel. Po sa fshatarë të tjerë kanë shitur lopën për të larë borxhet në dyqane? Kjo nuk shihet nga sytë e errësuar të pushtetarëve të Rilindjes, të cilat i quajnë “legjenda urbane”. Sa fshatarë të tjerë u kanë hequr fëmijëve të vuajtur edhe pikën e qumështit pasi lopën që u mbante familjen e nxorrën në treg për të përballuar shpenzimet shëndetësore të një familjari të shtruar në spital?

As këto raste nuk vihen re nga pushtetarët e nginjur me miliona euro abuzime, që janë edhe ata qindarkat që dalin nga një banor i thjesht i këtij vendi, qoftë ai edhe në një zonë të thellë rurale. Po sot lopa e Klementit nga Baldushku është “lajmi i madh” që nga mënyra sesi e servirën duket se nuk prodhon “qumësht bio”, por “pluhur qumështi” që hidhet në ajër për të zënë sytë e qytetarëve me propagandë!