KPK përmbyll pas 4 seancash hetimet për prokurorin Moisi Duda

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të hënën seancën e katërt dëgjimore për Prokurorin e Apelit të Durrësit, Moisi Duda, ndërsa njoftoi se për të ishte hapur hetimi edhe në dy kriteret e tjera.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Brunilda Bekteshi, tha se pas shqyrtimit të disa provave shtesë në kriterin e pasurisë, ishte vendosur rihapja e hetimit edhe në kriterin e figurës dhe atë të profesionalizmit.

Në një raport të shkurtër, relatorja e çështjes Xhesila Pine vuri në dukje se Duda kishte sjellë një dokument noterial në lidhje me pjestimin e pasurisë me të vëllanë, ndërsa tha se atij nuk i ishin gjetur probleme të figurës.

Pine po ashtu lexoi një raport pozitiv për profesionalizmin, ndërsa vuri në dukje se prokurorit i ishte kaluar barrë prove mbi dy denoncime nga një grua, që kishte kërkuar përjashtimin e tij nga çështje ndaj saj.

Duda në fjalën e tij risqaroi se përse kishte paraqitur me vonesë marrëveshjen me të vëllanë, ndërsa tha se kjo kishte qenë e pamundur pasi pasuria e të vëllait ishte ende në emrin e prindërve. Ai tha se marrëveshja nuk ishte parë e arsyeshme, pasi ata nuk kishin mosmarrëveshje.

Të njëjtën gjë përsëriti edhe avokati i Dudës, Koçi Mato, i cili ndër të tjera vuri në dukje se siç i kishte thënë më parë KPK-së, klienti i tij do të dilte shumë mirë në kriterin e figurës dhe profesionalizmit. “Isha besimplotë dhe u provua,” tha ai.

Por pas tërheqjes së vëmendjes nga drejtuesi i seancës se nuk kishin dhënë shpjegime për denoncimet, Duda rimori fjalën dhe pretendoi se çështjet ndaj denoncueses i kishte marrë me short dhe se denocnuesja në asnjë moment nuk ka kërkur te drejtuesi i prokurorisë zëvendësimin me një prokuror tjetër. Ai tha se nuk kishte vlerësuar se duhej të hiqte dorë nga çështja, sepse s’kishte asnjë arsye ligjore.

LEXO EDHE  Anglia me plan të ri për emigrantët, emigrantët mund të dërgohen në një ishull 800 milje larg

Duda është i vetmi nga magjistratët ndaj të cilit janë zhvilluar disa seanca dëgjimore radhazi, pa pasur kërkesa proceduriale për shtyrje apo përjashtim trupe. Në seancën e parë, KPK njoftoi përfundim të hetimit vetëm për kriterin e pasurisë dhe vuri në dukje probleme sa i përket pjesëtimit të pasurisë me vëllain, pagesën e tatimeve për shitjen e një apartamenti, mungesë burimesh në disa vite dhe mungesën e burimit të ligjshëm për 5 milionë lekë të ardhura të bashkëshortes. Duda i ka kundërshtuar këto gjetje përmes avokatit të tij. Në seancën e dytë, ndërsa ishte vendosur të njoftohej vendimi, u bë njoftim për rihapje të hetimeve.

Ndërkohë në një seancë të tretë u diksutua gjërësisht mbi dokumentacionin mbi pronësinë e apartamentit në Lushnje dhe mospagimin e detyrimeve tatimore për një shumë 1.2 milionë lekë. Po ashtu u vu theksi mbi deklarimin e kursimeve cash dhe atyre të vendosura në bankë. Duda pretendoi se me pakësim kishte kuptuar trasferimin nga shtëpia në bankë të parave cash dhe se i kishte konsideruar këto të deklaruara. Ndërkohë, KPK pasi bëri një sërë pyetjesh vendosi të shtyjë seancën dhe t’i japë Dudës kohë shtesë për të sjellë dokumentin që provonte pronësinë e vëllait dhe pjesëtimin e pasurisë mes tyre. Seanca për njoftimin e vendimit u caktua më 16 shtator në orën 9.30. /BIRN/