Pas sekuestrimit të 26 pasurive, Ylli Ndroqi shoqërohet në polici?

Biznesmeni Ylli Ndroqi është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Kjo ka ndodhur pasi Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi sekuestrimin e 26 pasurive që janë në emër të biznesmenit, apo aksioneve që ai zotëronte në biznese të ndryshme, përfshi edhe dy media televizive.

Nuk dihet sepse Ndroqi është shoqëruar në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndërkohë mbrojtësit ligjorë të biznesmenit mohojnë shoqërimin në polici të Ndroqit apo ndalimin e tij, ndërsa e konsiderojnë si një sulm politik vendimin për sekuestrimin e pasurive.

Nga njoftimi zyrtar i SPAK mësohet se mes pasurive të sekuestruara janë apartamente, makina, sipërfaqe toke, apo aksione në bizneve të ndryshme.

SPAK bëri të ditur se ka regjistruar procedimin pasuror nr.10, datë 21.07.2020, në ngarkim të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), lindur dhe banues në Tiranë.

Nga aktet e administruara në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është konfirmuar se ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në indicje se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemal Pasmaçiu) ka qënë i përfshirë në aktivitete kriminale të parashikuara në nenin 3 të ligjit Nr. 10 192, datë 03.12.2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organziuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″ (ligji Antimafia) :

Në datë 02.09.1998 nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, pas kryerjes së hetimeve proaktive dy mujore, në kuadër të operacionit të policisë ″ESAS″, për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar, Abdulselam Yunus dhe Ylli Ndroqi, i paraqitur me emrin Xhemail Pasmaçiu. Nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë administruar gjurmët daktiloskopike të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe nëpërmjet Zyrës Qëndrore Interpol Tirana janë dërguar për krahasim zyrave homologe në Ankara, Turqi dhe Romë, Itali.

Nga të dhënat e siguruar nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Zyrën Qëndrore Kombëtare, Interpol-Ankara, Turqi, është konfirmuar se shtetasi Ylli Bahri NDROQI, i datëlindjes 11.03.1965, lindur dhe banues në Tiranë, është i njëjti person me Xhemail (Xhemal) PASMACIU (PASMAÇIU), i arrestuar në Turqi.

LEXO EDHE  Covid në Shqipëri, 115 të shëruar në 24 orët e fundit

Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol ka përcjellë të dhëna për aktivitetin kriminal të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), të siguruara nga Interpol Roma/Itali. Autoritetet italiane kanë konfirmuar se në vitin 2004 shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu), është referuar tek Autoritetet Gjyqësore në përfundim të operacionit ″BAKLLAVA″, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. Në vijim ai u arrestua më datë 17.02.2015 bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos.

Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

Sipas SPAK, pasuritë e mësipërme janë pasuri që plotësojnë kriteret e parashikuara nga neni 11 i ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) është i përfshirë në veprimtarinë kriminale të veprës penale ″Trafikimit të narkotikëve″ dhe ″Organizata kriminale″, sipas legjislacionit penal turk, parshikuar njëkohësisht si vepër penale nga nenet 283/a dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si dhe pasuritë në fjalë janë krijuar gjatë përshirjes së këtij shtetasi në veprimtarinë kriminale të mësipërme.

SPAK bëri të ditur se pasuria e mësipërme, zotërohet nga shtetasit e sipërpërmendur si subjekt te ligjit dhe ekzistojnë prova konkrete se janë të pajustifikuara. Duke u krahasuar vlera e tyre me të ardhurat e fituara në rrugë të ligjshme, rezulton se vlera e tyre nuk iu përgjigjet dukshëm nivelit të të ardhurave dhe të fitimeve të realizuara në rrugë të ligjshme.
Sipas SPAK, ka arsye të bazuara për të besuar së lidhur me pasurinë e mësipërme ekziston rreziku real për humbjen, për marrjen apo për transferimin e saj tek persona të tjerë, me qëllim për të bërë të pamundur konfiskimin e këtyre pasurive.