Nga pulat, te groshët e lopatat/ Ja çfarë u tha dje në Kuvend gjatë debatit për ndryshimet Kushtetuese

Kuvendi miratoi dje në seancë plenare ndryshimet e Kushtetutës, ndërsa nuk munguan batutat veçanërisht mes deputetëve të asaj që njihet si opozita parlamentare, por edhe ngacmimet dhe talljet e Kryeministrit Edi Rama, ndaj tyre.

Dosjet e sigurimit, pulat, lopatat, groshët dhe vjedhja e votave ishin ndër termat me të cilat u përplasën më fortë diskutantët në sallën e Kuvendit. Fillimisht ishte deputeti Kujtim Gjuzi që hodhi akuza për manipulim të fletës së votimit, madje shkoi deri atje sa e paralajmëroi deputetin socialist Ulsi Manja se mund të shkonte në burg, shkruan Panorama, e cila ka botuar edhe debatin e mëposhtëm nga seanca e djeshme parlamentare.

DEBATI NË KUVEND

Kujtim Gjuzi: Zoti Kryetar, fleta e votimit është shpërndarë tani për të gjithë deputetët, ky është një mashtrim dhe kontroll i votës për ta marrë në lidhje me këtë çka kërkoni sot.

(Ulsi Manja ndërhyn nga vendi)

Kujtim Gjuzi: Ça ke, mo vëlla, që ndërhyn. E ke listën me firma të falsifikuara aty. E kupton që mund të shkosh nesër në burg?

Gramoz Ruçi: Vazhdoni z. Gjuzi me fjalën tuaj.

Kujtim Gjuzi: Prandaj në këtë koncept, Kujtim Gjuzi e deklaron votën kundër kësaj se ka katër firma të falsifikuara nga 28-shja e firmave. Pas kësaj vjen përgjegjësia te ju, ju kam thënë disa herë që keni përgjegjësi, por në këtë moment fillon përgjegjësia juaj dhe unë do ta braktis sallën…

Gramoz Ruçi: Rrugë të mbarë… fjala për z. Artur Roshi.

Adriatik Alimadhi nga vendi: Pse na e ndërpret fjalën? Na e jep fjalën o vëlla sipas rregullores.

Artur Roshi: Nuk do t’i votoj ndryshimet kushtetuese, pasi për mua Kushtetuta nuk mund të jetë “ëndrra e një nate vere”. Ndryshimet zgjedhore përkthehen në pushtet për një parti politike dhe një Kryeministër që e nisi si antimonarkist dhe kërkon të kurorëzohet perandor. Listat gjysmë të hapura nuk e zbehin fuqinë e kryetarit, i cili në pjesën e mbyllur mund të fusë këdo.

Fatjona Dhimitri: Ndryshimet kushtetuese cenojnë zgjedhjet, Heqin koalicionet, duke na krijuar një sistem qesharak, as të hapur dhe as të mbyllur, sistem që vetëm mendja e Ramës mund të prodhojë.

Adriatik Alimadhi: Zoti Kryetar, siç po na shikoni, ne po sulemi me vrap për të fituar kohën, por nëse ka mundësi, atë kohë na jepni kur flasim, dhe nëse ka mundësi, më jepni një minutë shtesë.

Gramoz Ruçi: Po i harxhon minutat, vazhdoni.

Adriatik Alimadhi: E para, na është ofruar një fletë votimi që është kundër të gjitha rregullave dhe procedurave demokratike. Pa diskutim, pa e bërë pjesë të debatit dhe duket se Taulant Balla, Myslim Murrizi, Stokju dhe Muasi kanë rënë dakord për ndryshimet kushtetuese.

Korab Lita: Unë jam për fushën e mejdanit!

Adriatik Alimadhi: Po lëre fushën e mejdanit, se komunistët thoshin kështu. O Elez mos ma merr kohën, o burrë, se skam frikë as nga ju, as nga Perëndia.

(Myslim Murrizi flet nga vend)

Adriatik Alimadhi: Po na lër rehat, se nuk të kam frikë ty.

Myslim Murrizi: Po vazhdo fol, aty e mbaj vendin.

Adriatik Alimadhi: Po, po, por edhe ti mbaj gojë.

Myslim Murrizi: Shko, shiko dosjet.

Adriatik Alimadhi: Po lëri ato, se do shkoj.

Gramoz Ruçi: Z. Alimadhi uluni se ju ka mbaruar koha.

Adriatik Alimadhi: Po edhe një fjali kam.

Gramoz Ruçi: Hë thuaje edhe atë fjali. Zbraze, por mbaro.

(Deputetët qeshin)

Adriatik Alimadhi: Ja shiko si qeshin këta, si komunistët, shiko sa bukur, kënaqësi e madhe ëëë…

Halit Valteri: Kryetar, dua të tërheq vëmendjen, pasi një deputete ka votuar 5 fletë votimi, ka ardhur këtu. Ose ka filluar sekretare e seancës gjyqësore, ose ka ardhur të verifikojë se po votojnë deputetët.

LEXO EDHE  Mjeku Shqiptar në Itali: Çfarë duhet të bëni që të shmangni karantinën e dytë

Gramoz Ruçi: Vërejtja është e drejtë, e vura unë re që këtu. Deputetja e ka dhënë shpjegimin, se ka votuar vetëm një herë dhe ka përcjellë në kutinë e votimit fletët e deputetëve të tjerë.

Myslim Murrizi: Nuk ka nevojë që kjo sallë të ketë dy palë njerëz që aspirojnë të përfaqësojnë qytetarët shqiptarë. Të zemëruarit e kësaj seance janë ata të cilët që shpresojnë se duke lëpirë menderen e çdo kryetari, do të jenë të privilegjuar dhe do të vijnë në këtë sallë si vemje, si kërmij. Çfarë gallate, çfarë palaçollëku, 25 vjet që futen nën sqetull dhe që vijnë e bubërrojnë. Unë kam guxuar, Z. Alimadhi, dhe nuk jam spiun i Sigurimit të Shtetit. Kam guxuar edhe në 2001-shin përballë Metës. Kam kandiduar edhe kur ti fshiheshe pas siglës së zv.ministrit. Do të kandidoj prapë për deputet, jo hajdut. Minimalja që të flasësh me mua, shko një herë te Genta Sula, të marrësh një copë letër se çfarë përfaqëson.

Adriatik Alimadhi: Je shumë i vogël para meje.

Myslim Murrizi: Spiunët e komunizmit nuk më impresionojnë fare dhe unë kam vetëm përbuzje për ta. Unë këtu kam ardhur jo nga PPSH-ja. Kjo sallë pas 2021-shit nuk do të ketë më vemje. Mbaje mend mirë dhe bëj foto sa të mundesh.

Adriatik Alimadhi (nga vendi): Vazhdo kakaris.

Myslim Murrizi: Unë nuk kakaris, z. Alimadhi.

Vasilika Hysi: Ju lutem respektoni gjuhën e komunikimit me kolegët dhe vini maskën. Nuk mund të thoni kakaris deputeti.

Myslim Murrizi: Jam shumë krenar që firmën tënde e kam çuar në tenxheren e fasules. As e kam përdorur. Firma juaj është zier më fasulet se qenka firmë që mbajtka erë.

Adriatik Alimadhi: Unë të kam dhënë firmën, sepse në 25 maj, për një sistem të pastër kombëtar, pa prag, pa rajone, siç keni vendosur ju. Kuptojeni si të doni, nuk prish punë, unë nuk kam frikë nga askush nga ju. Nëse doni të shikojmë dosjet, hajde shkojmë së bashku dhe verifikojmë. Po hajde dhe shikojmë të tuajat, pastaj duhet të flisni mbi mua.

Edi Rama: Sidoqoftë, duke ndjekur disa qëndrime këtu, së këtu s’ka vetëm një Ball Kombëtar, ka disa, kjo ishte dhe një nga karakteristikat e rrënimit të Ballit Kombëtar, që u bë një Ball me 7 ballë. Ti nuk je përfaqësues i një partie, ti je bishti i një lopate. Lopata quhet “Balli Kombëtar” numër dy dhe pretendon ti të vish prapë në Parlament. Nuk do të ketë më Parlament për ty dhe për bishtat e lopatave. Në Parlament vijnë përfaqësuesit e popullit, jo bishtat e lopatave. Kështu që me votimin e sotëm, vagonët me lopata do të shkëputen nga treni i pluralizmit.

(Artur Roshi ndërhyn nga vendi)

Edi Rama: Ballist, Churchill-i thotë “kush nuk ndryshon mendim, është budalla” dhe unë jam shumë i qetë sot, që pavarësisht se nuk kam të njëjtin mendim të lartë siç e ka Myslymi, Rudina Hajdari apo të tjerë, që çdo bëjnë listat e hapura, ama kjo është ajo që do populli… Herë tjetër jini më të vëmendshëm që të mos bëni përsëri gabimin që keni bërë që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot, që gjithmonë ku është ana e gabuar e historisë, aty futeni ju për të kapur ndonjë pulë. Pula më nuk ka!