Shqipëria e dy pamjeve

Nga Ilir Kalemaj

Vapë, zheg shterrues që prishet vetëm nga zukatja e ndonje grerëze të pabindur që tërë lakmi të përsillet rrotull kanaçes së pepsit. Ndërkohëçdo dy minuta ti pushton veshet thirrja e ndonji “luli të vocërr” këtej pari që bërtet “shesim misra”. Ndonje e lezeton parrullën e thatë duke shtuar “të shijshëm, të njomë dhe të nxehtë”.

Shqipëria e dy pamjeve shfaqet me kontrastet e saj te thella te zakonshme. Nga njërën anë shpërfaqen trishtshëm pamjet e djelmoshave fukarenj me misra në duar, të raskapitur nën të nxehtin afrikan, të palarë në detin aty pranë, ndërsa nga ana tjetër lezetojnëRange Rovers të parkuar crregullt dhe të rinj të tensionuar nga mungesa e banjave të shkumës këtë vit të pazakontë.

Nëse plazhet duken se kanë më shumë përkujdesje dhe ndjejnë dorën e privatit që synon t`ua bëjë më komode pushuesit qëndrimin e tij, duke pasur disa shërbime normale që vite më parë as nuk konsideroheshin, çmimet gjithashtu kanë fluturuar në hapsanë. Zgjedhja mes të shkuarit në bregdetin “luks” të Jugut, trafikut të tmerrshëm për të vizituar ndonjë nga plazhet afër kryeqytetit vençarisht në fundjavë apo zgjedhjes së pishinave më ujin e dyshimtë dhe çmimet e papërballueshme duken si dilema hamletiane për studentin xhepshpuar, shtëpiaken nikoqire apo buxhetorin e varfëruar.

Hall i madh e ka zënë të ziun milet ndërsa duhet të llogarisë koston mes të “pjekurit të gjallë” rrugëve të shkreta të kryeqytetit në fundjavëapo aventurës për të shijuar disa orë të freskëta malore apo bregdetare me koston e papërballueshme të sakrifikimit të një pjese të mirë të buxhetit familjar.

Një verë e nxehtë kjo mesa duket që vërtitet nga inspektorë tatimesh që përsillen si Çiçikovi i Çehovit, me skema fantazmë për të mbushur xhepat nga puna në shtet që nuk paguan mirë por do “mjelë” siç duhet për kompesim deri te zyrtarë llërë-përveshur e politikanë të përvuajtur që rreken të duken si të çapëlyer mes punëve të shumta që iu ka ngarkuar…, sovrani.

LEXO EDHE  PD akuza Ramës: 13315 militantë i ka punësuar në shtet, kostot 55 mln euro

Të ishte për ta do të ishin arratisur me kohë e vakt anej nga brigjet e Arubës apo vërdalliseshin klubeve të natës të Bangkokut, por ky qerrata popull ju’aka vënë këmbët në një këpucë dhe iu duhet ti shërbejnë, nuk ka shaka.

Mes tyre ka dhe disa “burrështetas” të kriminalizuar që enden si Raskolnikovi i “Krim dhe Ndëshkim” deri sa magjia e listave të hapura nën hyqmin edhe të ndërkombëtarëve vullnetmirë, t`ua bëjë “pesë me dy”, t`u nxjerrë “lakrat në shesh” dhe t`ua mbledhë njëherë e mirë. Amin!

Dhe kështu ngadalë ka për të kaluar edhe kjo verë, që të shëmbëllen disi me “Verën në Algjer” të Kamysë ku koha duket sikur ka ngecur, në pritje të vjeshtës dhe të reformave të mëdha, ku ajo e drejtësisë pritet të shkëlqejë si margaritar në aradhën e gurëve të çmuar të gjerdanit të reformave qeveritare.

Kështu që nuk na ngelet gjë tjetër veç të përzhitemi edhe ca nën rrezet falas që bashkon të pasur dhe fukara, ndonëse fshatrat turistikë të gardhuar të kujtojnë enklavat e privilegjuara të pushtet-mbajtësve dhe biznesmenëve punë-shumë, të cilët kanë nevojë për plazhet e tyre privė për t`u shplodhur fizikisht dhe kalitur shpirtërisht për sezonin e ri ku punë të çmuara i presin me tepri.