Vlerësimi i euros në mars me 7%, rriti stokun e borxhit të jashtëm me 300 mln euro

Nënçmimi sistematik i euros në tre vitet e fundit e ka ndihmuar qeverinë të administrojë kostot e borxhit të jashtëm. Një rikthim në vlerat e 130 të euros do të ishte një “katastrofë” për shërbimin e borxhit dhe këtë e ka treguar java e fundit e muajit mars kur vlera e euros rriti në 130 lekë.

Në fund të muajit mars 2020, borxhi publik u vlerësua në nivelin 1,162.4 miliard Lekë ose 66.7% e PBB. Në terma nominal, stoku i borxhit publik është rritur më rreth 49.8 miliard Lekë krahasuar me fundin e vitit 2019, nga të cilat 11.1 miliard Lekë i korrespondojnë rritjes së borxhit të brendshëm dhe 38.6 miliard Lekë (300 mln euro) borxhit të jashtëm.

Ministria e financave shpjegoi se rritja e stokut të borxhit të jashtëm me 49,8 miliardë lekë i atribuohet kryesisht nënçmimit të monedhës vendase ndaj monedhave të tjera që kompozojnë portofolin e borxhit të jashtëm.

Me përhapjen e pandemisë COVID-19 edhe në vendin tonë, tregu i këmbimit valutor pësoi luhatje të ndjeshme, si rrjedhojë, krahasuar me fundin e vitit 2019, monedha vendase u zhvlerësua me rreth 7.3% kundrejt monedhës Euro. Mirëpo me rikthimin e euros në nivelin e para pandemisë rreth 124 lekë, efekti negativ në borxhin e jashtëm që dha këmbimi shuhet.

Borxhi i jashtëm zë 47.6% të totalit të borxhit, ku gjysma e peshës mbahet në instrumente të tregtueshme (bono thesari, obligacione, eurobond), ndjekur nga huatë e huaja me destinacion financimin e projekteve dhe huatë në formën e mbështetjes buxhetore.

LEXO EDHE  Rezultojnë pozitivë për Covid-19 edhe dy mësues në Elbasan

Gjatë periudhës janar-mars të vitit 2020, huamarrja e huaj u realizua në nivelin 3.4 miliard Lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, huamarrja e huaj është reduktuar me rreth 1.0 miliard Lekë. Pothuajse gjysma e huamarrjes së huaj bruto është realizuar në drejtim të sektorit të transportit ndjekur nga sektori i energjisë dhe ai i ujësjellës kanalizimeve.

Ministria e Financave përllogariti se nëse monedha vendase humb pozicionin e këmbimit me euron që ka fituar dy vitet e fundit, atëherë borxhi do të rritej mbi 3 pikë për qind.

Më konkretisht, një nënçmim i monedhës vendase me 15% ndaj të gjitha monedhave që përbëjnë portofolin e borxhit të jashtëm, duke filluar nga viti 2019, do e rriste nivelin e borxhit në raport me PBB deri në 4.3 pp dhe në të njëjtën kohë kostot e borxhit deri në 2 miliard lekë.

Nëse euro do të rikuperonte të gjithë vlerën e humbur ndaj lekut në vitin e fundit, borxhi publik nga 59.8 për qind që ishte parashikuar të arrinte në fund të vitit 2021 do të ishte 62.3 % të PBB. Kjo analizë e Ministrisë së Financave tregon se ulja e borxhit me 1.5 pikë përqindje nga 2017-më 2018 më shumë është për efekt të vlerësimit të monedhës kombëtare se sa politikave të konsolidimit fiskal të qeverisë. /Monitor/