Edi Rama mes Ard Veliut dhe Ard Daullxhiut

Nga Armand Shkullaku

Pas skandalit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, çeshtja nëse ai do duhej të qëndronte ende në detyrë as nuk do të shtrohej fare si pikëpyetje në një shoqëri normale. Megjithatë, Ardi Veliu, si të shkarkohet, si të vazhdojë të jetë zyrtari më i lartë i policisë së Republikës, do të shënohet përgjithnjë si fytyra perfekte e degradimit të një regjimi. Pamja e tij prej guaku, vuajtja e tij për të bërë bashkë dy fjali në shqip, për të mos folur pastaj për logjikën e asaj që katranosi, janë shpërfaqja e kalbëzimit të një sistemi, që ka qëllim të vetëm mbajtjen e pushtetit dhe jo ndërtimin e një administrate profesionale dhe institucioneve dinjitoze.

Kush do ta kishte menduar disa vite më parë që Edi Rama, që ishte autoportretizuar si politikani artist, si njeriu me shije të larta estetike, si intelektuali që mahniste Parisin e ndoshta edhe Berlinin, si piktori me famë ndërkombëtare që i rrinte ngushtë hapësira shqiptare, do të përfundonte të përzgjidhte si imazh të rendit dhe sigurisë së shqiptarëve një individ si ai tipi që vështirë t’i gjesh një të dytë edhe po të kërkosh në zonat më të humbura të Shqipërisë.

Mirëpo kryeminsitri Rama nuk e ka të vështirë t’i gjejë zyrtarë të tillë. Prej kohësh ai është bërë vatra që mbledh ose injorantë, ose banditë, ose tutkunë, ose të paemër, të cilët janë bërë përfaqësuesit e vullnetit të qytetarëve në nivelet më të larta të qeverisjes, pushtetit lokal apo institucioneve të tjera shtetërore. Njerëzit votuan Partinë Socialiste dhe morën ardivelitë, që sa herë shfaqen, dëshmojnë hendekun e thellë mes nivelit të shoqërisë dhe të atyre që e përfaqësojnë. Nuk ka nevojë për emra e shembuj se janë të panumërta, mjafton përbërja e qeverisë, ku një pjesë të ministrave as i kanë votuar e madje as nuk i njohin vetë socialistët, për të kuptuar degradimin e përfaqësimit politik.

Dilema se si mundet një njeri “me shije” si Edi Rama, i cili estetikisht do t’i kishte refuzuar specie si ky i policisë, ata të bashkisë apo të oligarkisë, të ndihet mirë mes tyre, ka vetëm një shpjegim. Pushteti është një prej fuqive deformuese tek individët që nuk janë të formuar nga bindjet e tyre, ose më saktë që nuk kanë patur kurrë bindje, formim apo besim në një kauzë. Edi Rama beson vetëm tek pushteti dhe për ta mbajtur atë në çdo mënyrë, nuk i duhen njerëz që mendojnë apo që kanë një personalitet të tyrin. Liderëve që dinë të drejtojnë vetëm nëpërmjet autoritarizmit dhe jo dijes e besimit, u duhen ose servilë ose tutkunë.

LEXO EDHE  5 punonjës të infektuar me COVID në Bashkinë e Kavajës

Dhe sa më shumë i afrohen fundit, regjime të tilla si ky që po përjetojmë apo dhe kemi përjetuar, aq më shumë degradojnë. Ato fillojnë shndërrohen në karikatura, ku personazhe qesharakë dhe injorantë vishen me përgjegjësi shtetërore dhe fillojnë besojnë vërtetë se janë shprehja më e lartë e shoqërisë që drejtojnë. I rrethuar nga njerëz të tillë, edhe vetë lideri bëhet si ata dhe nuk mundet më pa ata. As ai nuk e kupton më diferencën me pjesën e iluminuar të shoqërisë, që është shumica, dhe batakun ku gjenden vetë.

Prandaj edhe në rastin e kryepolicit, ishte e pakuptimitë të prisje që Edi Rama ta shkarkonte atë. Nuk është çudi që mund t’i ketë pëlqyer performanca e Veliut që dinte të përdorte edhe smartphone, për të mos folur pastaj për tekstin e justifikimit të skandalit që i ngjante aq shumë përsiatjeve të liderit, që sa herë kapet gafil ia vë fajin kontekstit dhe baltës së opozitës.

Për të kuptuar diferencën mes nivelit të qytetarëve dhe të atyre që i përfaqësojnë, mjafton krahasimi që shpërtheu në rrjet mes Veliut dhe Ard Daullxhiut. Ard Daullxhiu është një personazh që falë emisionit të Arianit Çanit u shndërrua në të varfërin më të famshëm të Shqipërisë. Ardi Veliu, është një zyrtar i lartë, që falë Edi Ramës u shndërrua në kryepolicin më tutkun të historisë. Ata që i kanë krahasuar këto dy personazhe me meme në rrjet, duhet të dinë që Daullxhiu ka nevojë për ndihmën e shoqërisë, ndërsa Veliut i kemi besuar sigurinë e Shqipërisë. Të parin edhe zgjedhim të mos e dëgjojmë e të mos e ndihmojmë, por të dytin na e kanë zgjedhur dhe nuk e shkarkojnë edhe kur na trondit me skandale si ai me të ëmën e një minoreni të dhunuar nga policia.

Ardi Veliu vetë me siguri që nuk e ka kuptuar përmasën e idiotësisë së tij. Çfarë të keqe ka kur pasi ke marrë zvarrë qytetarë, ke goditur studentë, artistë, gazetarë, të rrahësh dhe një 15 vjeçar e të denigrosh në publik nënën e tij? Pse duhet dhënë dorëheqja për këtë ?Në fund të fundit, pikërisht për këtë ardvelitë i duhen kryeministrit. Individë të tillë mos prisni të shkarkohen, ata bien bashkë me frymëzuesin e tyre. /lapsi.al/