Tenderi i paracaktuar/ Zbulohen lidhjet e ministres Manastirliu me “ilaçin e artë” të Farma Net (Dokumentet)

Nga Boldnews.al

Një tender i fituar nga “Farma Net Albania” në vitin 2018 mund të shërbej më së miri për të kuptuar se si ajo është e paracaktuar të fitojë një kontratë tjetër, me vlerë 1.5 milionë euro, në një procedure që po zhvillohet së fundmi nga autoritetet shëndetësore.

Bëhet fjalë për një nga ato skemat e holla, në të cilat rubinetat e parave hapen vetëm në bazë të lidhjeve të rëndësishme me autoritetet qeveritare, piramida e të cilave përfundon tek Ministri i Shëndetësisë, post që aktualisht mbahet nga Ogerta Manastirliu.

Në të dy rastet, si në vitin 2018, edhe tek tenderi aktual, “bileta fituese” e “Farma Net Albania” duket se qëndron tek një medikament kundër helmit të gjarprit-viper venom serum-të cilin kompania e qarkullon në mënyrë ekskluzive në Shqipëri, me autorizim të Ministrit të Shëndetësisë.

Tenderi i vitit 2018
Në Qershor të vitit 2018, kompania “Farma Net Albania” shpallet fituese e një tenderi mbi 200 mijë euro, për furnizimin me medikamente të qendrave shëndetësore në zonat turistike.

“Farma Net Albania” nuk kishte ofertën më të ulët në atë tender. Por ajo gjithësesi u shpall fituese, për faktin se, ndër shumë medikamente të kërkuar në atë tender, “Farma Net” kishte mundësinë të siguronte ilaçin “viper venom serum” në flakonë 5.ml.

Ministria e Shëndetësisë, e cila në tenderin e vitit 2018 drejtohej, si edhe aktualisht, nga Ogerta Manastirliu, kishte vendosur specifikisht se ky bar kundër helmit të gjarprit, duhet të ishte vetëm në flakonë 5ml.

Kompania që dha ofertën më të ulët, kishte arritur të siguronte kontratë për furnizimin me “viper venom serum” në flakonë 1 ml dhe 10 ml. Por, autoriteti kontraktor, Ministria e Shëndetësisë, ishte e pakompromis në kërkesat e saj-ajo kërkonte flakonë anti-helmin e gjapririt në flakonë 5 ml.

Në pamje të parë, duket e paqartë kjo këmbëngulje, pasi bari kundër helmit të gjarprit, mund të ketë efekt edhe nëpërmjet flakonëve 1 ml dhe 10 ml.

Por, përtej “kokëfortësisë” së Ministrisë së Shëndetësisë në atë kohë, duket se qëndronte një skemë tjetër.

Ilaçi “viper venom serum” në flakonë 5 ml, një bar i paregjistruar, qarkullonte në Shqipëri vetëm nga ‘Farma Net Albania”, nëpërmjet një autorizimi të posaçëm, të nënshkruar nga ministrja Ogerta Manastirliu.

Pra, pasi kishte siguruar autorizimin përkatës nga Manastirliu dhe, pasi Ministria e Shëndetësisë këmbëngulte në kërkesën e saj për furnizimin me atë ilaç vetëm në flakonë 5 mililitra, nuk ishte aspak surprizë që “Farma Net Albania”. Dhe, ashtu ndodhi

Kompania konkurente, e cila kishte dhënë ofertën më të ulët në tenderin e vitit 2018, u skualifikua.

Një dokument që shoqëron këtë shkrim, konfirmon se skualifikimi u mbështet në faktin që rivali i “Farma Net Albania” nuk kishte siguruar kontratë për furnizim me flakonë 5 ml, por kishte në dispozicion vetëm flakonë në sasinë 1 ml dhe 10 ml.

Tenderi 1.5 mln euro, viti 2020

“Boldnews.al” ka raportuar më parë se “Farma Net Albania” mund të fitojë tenderin për “blerje medikamentesh dhe pajisjesh mjekësore për qendrat shëndetësore”, pasi ka ekskluzivitetin e njërit prej morisë së medikamenteve të kërkuara nga autoriteti kontraktor-një bar që quhet viper venom serum dhe është në flakonë 5 ml (ilaç kundër helmimit nga gjarpri).

LEXO EDHE  Maliqi: Krimi i bërë njësh me politikën, Lleshaj nëse është burrë të japë dorëheqjen

Operatori Qendror i Kujdesit Shëndetësor, i drejtuar nga Mirela Cami, kërkon që konkurentët në tender të sigurojnë ilaçin kundër helmit të gjarprit (viper-venom), në flakonë 5 ml dhe, për arsye në dukje absurde, origjina e prodhimit të tij të jetë një ndër vendet e Ballkanit.

Kriteret duket se janë caktuar plotësisht për “Farma Net Albania”. Ajo është e vetmja që ka kontratë me një kompani prodhuese për anti-helmin e gjarpërinjtë në flakonë 5 ml, të prodhura në Ballkan, në Serbi më konkretisht.

Operatori Qendror i Kujdesit Shëndetësor e kërkon këtë medikament specifikisht në sasinë 5 ml, jo 10ml, as 1ml, por saktësisht 5 ml, shifër që e ka vetëm “Farma Net Albania”.

Për më tepër, Operatori Qendror i Kujdesit Shëndetësor kërkon që ky lloj medikamenti të jetë prodhuar në një nga vendet e Ballkanit, duke përjashtuar automatikisht medikamente të ngjashëm, të prodhura në vendet e Bashkimit Europian e më gjerë.

Kjo qasje shkon në të kundër me paktet e nënshkruara nga Shqipëria në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) me Bashkimin Europian.

Në marrëveshjet që qeveria shqiptare ka nënshkruar me Brukselin zyrtar sanksionohet se autoritetet e vendit tonë nuk mund të aplikojnë kritere përjashtuese për përfshirjen në prokurime publike të kompanive nga vendet e Unionit.

Përtej këtyre detyrimeve shtetërore, Operatori Qendror i Kujdesit Shëndetësor, ka vendosur të bëj pikërisht të kundërtën-të përjashtojë nga tenderi kompanitë e Bashkimit Europian, duke kërkuar që bari “viper venom serum” 5 ml të jetë i prodhuar në një nga vendet e Ballkanit.

Roli i Manastirliut
Operatori Qendror i Kujdesit Shëndetësor është një strukturë në varësi të Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila ka një rol thelbësor në hartimin e listës së barnave që qarkullojnë në Shqipëri.

Medikamenti “viper venom serum” 5 ml është një ilaç i paautorizuar në Shqipëri. Ky fakt pranohet edhe në dokumentat e tenderit të organizuar nga Operatori Qendror i Kujdesit Shëndetësor, si edhe nga një vëzhgim mbi listën zyrtare të barnave të autorizuara, të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Ligji 105/ 2014 “Për barnat dhe shërbimit farmaceutik” ka parashikuar rastet e qarkullimit në Shqipëri të medikamenteve të paautorizuar.

Në neni 33 të tij, ligji parashikon se “Importi i barnave të paautorizuara bëhet me autorizim të veçantë të ministrit përgjegjës për shëndetësinë për çdo seri”, duke plotësuar një sërë kushtesh dhe kriteresh.

Pra, Ministri i Shëndetësisë është autoriteti që jep autorizimin për medikamentet e paautorizuara.

Në rastin konkret, bari “viper venom serum” në flakonë 5 ml ka hyrë në Shqipëri për herë të parë në vitin 2018, nga kompania “Farma Net Albania”.

Në atë kohë, si edhe në vijim, në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ishte Ogerta Manastirliu, autoriteti që ka nënshkruar mbi barnat e paautorizuara në Shqipëri.

Praktikisht, Manastirliu është në dijeni të plotë se autorizimin ekskluziv për “viper venom serum” në flakonë 5 ml e ka vetëm kompania “Farma Net Albania”.