Sistemi zgjedhor, Hajdari paraqet 4 opsionet e “opozitës së re”/ Ja çfarë propozohet

Grupi demokrat, pjesë e asaj që quhet “opozita e re” në Parlamentin e kontrolluar nga Rilindja, ka hedhur propozimet e saj lidhur me Reformën Zgjedhore, më konkretisht me sistemin zgjedhor.

E përfaqësuar nga deputetja Rudina Hajdari, ky grup deputetësh, kërkon një sistem zgjedhor mazhoritar, i korrektuar, proporcional kombëtar, proporcional rajonal me 1 njësi zgjedhore, i korrektuar, si dhe sistemin proporcional rajonal, me 12 njësi zgjedhore.

Propozimet

“Në zbatim të metodologjisë për Reformën Zgjedhore dhe në përputhje me Kalendarin për temat që do të trajtohen, të miratuara nga Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore, pasi u përmblodhën propozimet përkatëse të paraqitura deri më sot, Grupi Parlamentar “Demokrat” paraqet propozimet e tij, në 4 (katër) opsione për sistemin zgjedhor, si më poshtë vijon:

Opsioni i Parë: Propozuar nga deputeti Ralf Gjoni (Nisma Thurje) dhe deputeti Myslim Murrizi (me disa ndryshime të vogla midis tyre);

1. SISTEMI PROPORCIONAL KOMBËTAR – NJË ZONË ZGJEDHORE – KUVENDI ME 100/140 DEPUTETË; (Modeli i Kosovës)

EFEKTET KRYESORE:

a. Garantimin e të drejtës për të votuar dhe barazinë e votës për çdo shtetas shqiptar;

b. Krjimin e kushteve për një garë të barabartë dhe të ndershme mes subjekteve zgjedhore dhe rritjen e ofertës politike për zgjedhësit;

c. Heqjen e pengesave ligjore që kufizojnë të drejtën kushtetuese të voutesve për të zgjedhur në mënyrë direkte përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe në organet e qeverisjes vendore;

d. Demokratizimin e partive politike dhe stabilizimi i jetës politike të vendit. Garanton barazinë gjinore në Kuvend dhe në Këshillat Bashkiak nëse ndjekim sugjerimet e eskspertëve të ODHIR-it (1/3 kandidatë);

e. Përqindja e votës kombëtare në një parti përkthehet në përqindje të njejtë mandatesh në parlament.

** Zbatimi i këtij sistemi kërkon ndryshime në Kushtetutë.

Opsioni i Dytë: Propozim i tre deputetëve;

1. SISTEMI PROPOCIONAL RAJONAL, I KORREKTUAR ME LISTË KOMBËTARE;

Përbërja e Kuvendit nga 140 deputetë:

– 100 deputetë do të zgjidhen në 12 njësitë zgjedhore, korresponduese të 12 qarqeve. Numri i mandateve për çdo njësi zgjedhore do të llogaritet duke përdorur si kriter numrin e shtetasve të regjistruar në listën e zgjedhësve në njësinë zgjedhore përkatëse.

– Lista korrektuese kombëtare do të ketë 40 mandate, të përkthyera në 40 deputetë. Nga lista korrektuese kombëtare do të përfitojnë vetëm ato parti politike të cilat, në rang vendi, marrin jo më pak se 2.5% të të gjithë votave të vlefshme.

40 mandatet e listës korrektuese kombëtare ndahen në:

a. 10 mandate, të cilat ndahen midis dy partive të para, që kanë fituar më shumë vota në rang vendi;

b. 30 mandate, të cilat ndahen midis partive të tjera që kalojnë pragun 2.5%.
Ndarja e mandateve bëhet në përputhje me përqindjen e votave të fituara nga subjektet zgjedhore përkatëse. Mbetjet pas presjes dhjetore kalojnë në favor të partisë me numër më të madh të votave të fituara.

– Votimi do të bëhet me lista të hapura, me dy fletë:
– Fleta e votimit për njësinë zgjedhore (qarkun);
– Fleta e votimit për listën korrektuese kombëtare;
EFEKTET KRYESORE:

LEXO EDHE  Shteti i pafuqishëm/ Policia thirrje qytetarëve: Greqia do kufizojë akoma më shumë lëvizjet!

a. Çdo zgjedhës do të ketë të drejtën të shprehë preferencën e tij për jo më shumë se 5 kandidatë të listës shumemërore të subjektit zgjedhor për të cilin voton;

b. Në listën e votimit për njësinë zgjedhore dhe në listën korrektuese kombëtare, subjekti mund të vendosë edhe kandidatë të njëjtë;

c. Garantimi i votës së çdo zgjedhësi, si e barabartë në fuqinë e saj për t’u konvertuar në mandat deputeti;

d. Aksesi i drejtëpërdrejtë i zgjedhësve për t’u përfaqësuar nga kandidatët e subjekteve zgjedhore që ata duan;
** Zbatimi i këtij sistemi kërkon ndryshime në Kushtetutë.

Opsioni i Tretë:

2. SISTEMI PROPOCIONAL RAJONAL, ME 12 NJËSI ZGJEDHORE, TË GRUPUARA NË 4 RAJONE ZGJEDHORE;
Rajoni Verior me përbërje: Njësitë Zgjedhore – Kukës, Shkodër, Lezhë, Dibër;
– 27 deputetë

Rajoni Tiranë me përbërje: Njësia Zgjedhore – Tiranë;
– 34 deputetë

Rajoni Qëndror me përbërje: Njësitë Zgjedhore – Durrës, Elbasan, Korçë, Berat;
– 39 deputetë

Rajoni Jugor me përbërje: Njësitë Zgjedhore – Fier, Vlorë, Gjirokastër;
– 40 deputetë
KUSHTET:

– Votim me lista të hapura, me jo më shumë se 5 (pesë) preferenca;
– Koalicionet garojnë me listë të përbashkët;
– Pragu natyror.

EFEKTET KRYESORE:

– I jepet mundësi zgjedhësve për të zgjedhur kandidatin/tët që duan
t`i përfaqësojnë ata, duke e bërë më reale demokracinë
përfaqësuese;

– Afron zgjedhësin me të zgjedhurin, kandidatin;

– Përmirëson nivelin e përfaqësimit propocional politik në Kuvend;

– Ngushton mundësitë për mazhorancë qeverisëse njëpartiake;

– Krijon mundësi më të mira për votimin e emigrantëve;

– Përmirëson barazinë në fuqinë e votës, konvertuar në mandat
Deputeti.

** Zbatimi i këtij sistemi mund të bëhet edhe pa kërkuar ndryshime në Kushtetutë.

Opsioni i Katërt:

4. SISTEMI MAZHORITAR, I KORREKTUAR ME LISTË PROPOCIONALE KOMBËTARE

Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë:
– 100 deputetë zgjidhen në zona njëemërore, zgjedhje me një raund;
– 40 deputetë zgjidhen në bazë të votave të fituara nga subjektet në rang vendi;
– Pragu 2.5%.

Mandatet e listës propocionale ndahen:
– 10 mandate midis dy partive që fitojnë më shumë vota në rang kombëtar, dhe;
– 30 midis partive të tjera që kalojnë pragun.

Votim do të bëhet me dy fletë:
– Votë për kandidatin;
– Votë për partinë.

KUSHTET:

– Votimi në propocional bëhet me listë të hapur, me jo më shumë se 5 (pesë)
preferenca.

EFEKTET KRYESORE:

– Krijon kushte për shfaqjen e efektit sinergjik pozitiv të dy grup
sistemeve, mazhoritar dhe proporcional;

– Rrit efektin e parimit të demokracisë përfaqësuese – lidhjen midis
zgjedhësit dhe të zgjedhurit;

– Nuk e mundëson zbatimin e taktikave elektorale që gjenerojnë
efektin “Dushk”;

– Krijon mundësi për qeverisje të qëndrueshme;

– Zvogëlon efektin e vendimmarrjes së lidership-it në hartimin e
listës së kandidatëve.

** Zbatimi i këtij sistemi kërkon ndryshime në Kushtetutë.