Gjyqi/ Zbuloi se kishte fëmijë dhe e la, gruaja i dërgon kushëririn në shtëpi: Lidhu sërish me të, ose jepi 10 mijë euro!

Një histori dashurie e lindur në FB dhe që përfundoi në Gjykatë. E tillë është ajo e një 34-vjeçari nga Berati dhe e një 46-vjeçareje nga Vlora. Disa ditë më parë, kjo e fundit është dënuar nga Dhoma Penale e Gjykatës së Beratit me 18 muaj shërbim prove (sa kërkoi prokuroria)  për veprën e përndjekjes.

Çështja është regjistruar nga policia e Beratit në vitin 2015, që ia ka kaluar Krimeve të Rënda. Kjo prokurori vlerësoi mos-kompetencë për aktet, që i kaluan prokurorisë së Rrethit Berat. Çështja kaloi në gjykim themeli, por pas zhvillimit të disa seancave u konstatua se e pandehura nuk ishte njoftuar. U ndërpre dhe rinisi sërish, pasi 46-vjeçarja mori njoftim. Kjo e fundit megjithatë, nuk ishte e pranishme në gjykim, por u përfaqësua nga një avokat i zgjedhur nga familjarët, duke arsyetuar se ndodhet jashtë vendit dhe nuk mund të kthehet për probleme familjare.

Dashuria në FB

Nga provat që ndodhen në fashikullin e prokurorit, thuhet në vendimin e gjykatës, rezultoi e provuar se tre vjet përpara ditës së kallëzimit (5 Nëntor 2015), pra rreh vitit 2012, 34-vjeçari ka patur një njohje në rrjetin social FB me të pandehurën. Midis tyre është krijuar një lidhje dashurie, e cila ka vazhduar deri në muajin Prill të vitit 2015. Sipas kallëzuesit, e pandehura që ishte e dashura e tij, i dërgonte herë pas here dhurata si telefona celularë, çanta, syze delli dhe pije alkoolike.

Ndarja dhe kërcënimet

U provua se në vitin 2015, 34-vjeçari ka mësuar se e pandehura kishte një djalë dhe pas kësaj ka kërkuar që të ndërpresë lidhjen me të, por me këtë fakt nuk ka qenë dakort e pandehura. Ajo menjëherë ka filluar t’i shkojë te shtëpia dhe të kërkojë të ruajë lidhjen duke e kërcënuar dhe duke i thënë që t’i kthejë një shumë prej 15,000 euro, të cilën pretendonte se ja kishte marrë.

LEXO EDHE  Thellohet skandali/ Shoqja e 15-vjeçares së përdhunuar: Roja ngacmonte dhe nënat e fëmijëve

Po kështu, përveç thirrjeve telefonike dhe kërcënimeve nëpërmjet SMS-ve, e pandehura i ka dërguar 34-vjeçarit në shtëpinë e tij një kushëririn e saj i cili i ka kërkuar viktimës t’i kthejë sendet që ajo i ka dërguar si dhe një shumë prej 10,000 euro, të cilën atij ja kishte dhënë 46-vjeçarja. Kjo kërkesë është refuzuar nga kallëzuesi, asokohe 29 vjeç, duke i thënë personit që ishte kushëriri i saj se ai nuk i kishte detyrim 46-vjeçares, në kohën e ngjarjeve 41 vjeçe.

Në një takim që ajo ka patur me të pandehurin, i ka kërkuar që të rikrijojnë lidhjen e tyre dhe se ajo nuk ka patur si synim t’i marrë pasuri por ta trembi atë të krijojnë lidhjen e tyre, gjë e cila nuk është pranuar nga i riu.

Nga bisedat telefonike të përgjuara si dhe nga SMS-të e dërguara nga e pandehura në drejtim të 34-vjeçarit por edhe të babait të tij, rezultojnë të provuara kërcënime të shumta që ajo i dërgonte këtyre të fundit me qëllim që t’i kthenin borxhin e pretenduar, por nga shpjegimet e të riut nuk ka rezultuar të jenë ndërmarrë veprime konkrete në lidhje me këto kërcënime.

Po kështu, nga komunikimet e të pandehurës me kushëririn e saj rezultojnë se ajo të gjitha veprimet i kryen për shkak të lidhjes me 34-vjeçarin dhe me synimin që të rilidhet ose të hakmerret kundër tij.

/BoldNews.al/