Basha: Europa mbështet Shqipërinë, por e shqetësuar për kapjen e institucioneve të drejtësisë

Kreu i opozitës Lulzim Basha, është shprehur mjaft entuziastë pas takimeve me drejtuesit kryesorë të BE, për integrimin e vendit në Europë.

Me anë të një postimi në Facebook, Basha shkruan se në të gjitha takimet që ka patur me drejtuesit kryesorë të BE-së që ishin pjesëmarrës në Kongresin e PPE-së, i është thënë se Europa mbështet Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Europës së Bashkuar.

Ndërkohë Basha thekson se PPE po ndjek me shumë shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend, pasi institucionet janë marrë peng nga qeveria dhe mazhoranca në pushtet.

Ja postimi i Bashës në Facebook:

Jam i lumtur të ndaj me ju se Shqipëria dhe shqiptarët kanë mbështetjen e fortë të drejtuesve kryesorë të BE-së dhe kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare.

Kjo më është komunikuar në të gjitha takimet që zhvillova gjatë Kongresit të Partisë Popullore Europiane, duke nisur nga Presidentja e re e Komisionit Europian, Ursula Von De Leyen, Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurtz, Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri i Irlandës Leo Varadkar, si dhe nga drejtuesit e politikës së jashtme ne Parlamentin Europian dhe parlamentet e vendeve anëtare.

Kjo përkrahje është konfirmuar edhe përmes një rezolute të veçantë të miratuar në PPE ku krahas mbështetjes për hapjen sa me parë të negociatave, përcaktohen qartë dhe detyrat që duhet të përmbushë Shqipëria, duke nisur nga zgjidhja e krizës politike.

Partia Popullore Europiane nxit partinë në pushtet dhe opozitën në Shqipëri të ndërmarrin të gjitha përpjekjet për të tejkaluar menjëherë këtë krizë të thellë politike përmes dialogut dhe miratimin konsensual nga partitë politike, të një reforme elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR që shtron rrugën drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

PPE thekson se blerja e votave dhe përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje është e papranueshme për standartet europiane, dhe bën thirrje për rezultate të prekshme dhe në kohë të hetimit të suksesshëm të përgjegjësve, përfshirë dhe politikanët, zyrtarët e shtetit.

PPE shpreh nevojën urgjente që Shqipëria të sigurojë funksionimin e duhur të Gjykatës Kushtetutese dhe Gjykatës së Lartë duke i plotësuar vendet e tyre me gjyqtarë dhe pret një vendim të shpejtë dhe final nga Gjykata Kushtetuese mbi legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

PPE shpreh shqetësim të thellë për fenomenin e vazhdueshëm të personave me rekorde kriminale që kandidohen për poste në institucione apo emërohen si funksionarë publikë në shkelje të hapur të “Ligjit të Dekriminalizimit” dhe bën thirrje për zbatim pa ekuivoke të ligjit, dhe largimin nga detyra të zyrtarëve që e kanë shkelur atë.

PPE demonstron mbështetjen e qartë për integrimin europian të Shqipërisë dhe bën thirrje për zgjidhjen e krizës së rëndë politike e cila sa vjen e po thellohet me shumë.

Plotësimi i kushteve, jo në letër por në realitet, janë e vetmja rrugë që do të afrojë Shqipërinë me BE. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë e vetmja zgjidhje, për krizën që ka mbërthyer vendin.

LEXO EDHE  Ramën e ndjekin tërmetet nga pas/ Paloka: Kudo që shkon ndodh...