Të gjithë vonesat për krijimin e SPAK. Skenarët se si po shtyhet Prokuroria Speciale

Gent Ibrahimi gjatë një raportimi në Komisionin e Ligjeve

Nga Boldnews.al

Nën justifikimin e një kushti të Bundestag-ut gjerman për hapjen e negociatave, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i sugjeroi kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, një formulë për plotësimin, deri në fund të këtij viti, të numrit minimal të prokurorëve të SPAK-ut me “prokurorë të përkohshëm” nga Prokuroria e Përgjithshme.

Kërkesa e Manjës, në aspektin formal, është korrekte dhe ligjore. Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion-SPAK konsiderohet si institucion karriere, i barazvlefshëm me Prokurorinë e Përgjithshme. E, për këtë arsye, caktimi i përkohshëm i prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme në SPAK konsiderohet si “lëvizje paralele”, e njohur nga ligji.

Por, përtej aspekti formal e ligjor, Manja, si përfaqësues i maxhorancës qeverisëse, nuk dha asnjë koment për vonesat ekstreme në krijimin e SPAK.

E, pikërisht, tek këto vonesa, janë të përfshira përpjekjet qeveritare për të vendosur nën kontroll strukturën e posaçme hetimore, nëpërmjet Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një organizëm ky i krijuar me shumicë të konsiderueshme anëtarësh, të zgjedhur apo të lidhur me maxhorancën politike.

Vonesa të sajuara
Mbledhja e fundit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), e zhvilluar këtë të Hënë, nuk arriti të shqyrtojë propozimin e Ulsi Manjës për mundësinë e vënies në funksion të SPAK me numrin minimal prej 10 prokurorësh-nga të cilët 8 kandidatë të konfirmuar nga Veting dhe dy të “përkohshëm” nga Prokuroria e Përgjithshme.

Shkak për shtyrjen ishte një moment formal procedurial. Anëtari i KLP-së, Besnik Cani, deklaroi se nuk kishte marrë në kohë aktet e mbledhjes. Pas një shkëmbimi batutash, kreu i KLP, Gent Ibrahimi, vendosi të shtyjë mbledhjen, me qëllim që t’i jepej mundësia anëtarit Cani për t’u njohur me aktet.

Kjo shtyrje e shqyrtimit për ngritjen e SPAK-ut është vonesa e radhës e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një qasje që ka nisur muaj më parë.

Lista
Në Prill 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpalli thirrjen për aplikimin për SPAK. Kësaj thirrjeje iu përgjigjën fillimisht 25 prokurorë. Në përfundim të verifikimit paraprak, rezultoi se 22 aplikantë plotësonin kushtet formale për të qenë në SPAK.

Nga kjo listë, KLP duhet të përcaktonte 15 kandidatë, aq sa është numri maksimal ligjor për anëtarët e SPAK-ut. Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi 15 emrat, duke përjashtuar 7 të tjerë.

Formula e zgjedhur nga KLP-ja për renditjen e kandidatëve rezultoi difektoze. Në rastin më të logjikshëm, KLP duhet të rendiste edhe 7 të mbeturit “jashtë liste”, të cilët mund të zëvendësonin kandidatët e listës kryesore, në rast se ata të fundit largoheshin nga detyra para se të merrnin mandatin e anëtarit të SPAK.

Por, KLP vendosi t’i përjashtonte përfundimisht nga gara 7 emrat e “listës së dytë”, megjithëse plotësonin kriteret formale për të qenë në SPAK.

Vendim difektoz
Ky “përjashtim” po sjell sot pasoja në vonesa e krijimin e SPAK-ut. Nga lista prej 15 kandidatësh të miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, aktualisht dy prej tyre nuk mund të jenë pjesë e SPAK-ut. Kandidati Ndini Tavani u shkarkua nga Vetingu, ndërsa kandidati Besnik Muçi u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës.

Aktualisht, janë 13 kandidatë, nga të cilët vetëm 8 janë konfirmuar me vendim të formës së prerë në Veting, kusht i padiskutueshëm për të qenë pjesë e SPAK-ut. Një kandidate, Manjola Kajana, kaloi fazën e parë të Vetingut, por tashmë pritet të përballet me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

LEXO EDHE  OFL u dërgon formularin e vetdeklarimit 3 të dënuarve/ EMRAT

Ndërsa nuk kanë kaluar ende në Veting 4 kandidatë të tjerë, Elisabeta Imeraj, Anton Martini, Anita Jella dhe Doloreza Musabelliut.

Për këta kandidatë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kaluar çdo lloj limit logjik kohor për verifikimin e tyre, aq më tepër që ata konsiderohen si pjesë e “listës prioritare” për rivlerësim.

Gjithësesi, me një impenjim më të madh, 4 kandidatët e mbetur mund të verifikohen deri në fund të vitit, limit kohor që ka caktuar Bundestag-u gjerman për krijimin e SPAK-ut.

Por, ndërkohë që ka ende 4 kandidatë për t’u shqyrtuar, një konfirmim i mundshëm i të cilëve do të siguronte të paktën numrin minimal për krijimin e SPAK-ut, kryetari i Komisioni të Ligjeve, Ulsi Manja, jep një zgjidhje alternative, e cila mbështetet nga kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.

Manja sugjeron caktimin e përkohshëm të të paktën 2 prokurorëve nga Prokuroria e Përgjithshme për të siguruar numrin “magjik” prej 10 anëtarësh të SPAK. Kjo është një zgjidhje në frymën e ligjit, por që shoqërohet me një pikëpyetje-pse ofrohet kjo zgjidhje, kur ka ende kandidatë që presin Vetingun?

Duke e lexuar me logjikë këtë kërkesë të Ulsi Manjës, krijohet përshtypja se, si ai, si Gent Ibrahimi, mund të kenë informacion nga strukturat e Vetingut që, në mos të gjithë, të paktën pjesa më e madhe e kandidatëve të mbetur të SPAK, të mos kalojnë procesin e rivlerësimit.

Natyrisht, me një informacion të tillë në dispozicion, zgjidhja e anëtarëve të “përkohshëm” mund të bëj sens. Por, ajo që nuk bën sens është fakti se, nëse është e vërtetë që pjesa më e madhe e 4 kandidatëve nuk do të kalojnë Vetingun, përse këtë informacion duhet ta ketë paraprakisht Ulsi Manja dhe Gent Ibrahimi?

Kjo pikëpyetje, nëse konfirmohet, dëshmon plotësisht se strukturat e Vetingut janë nën kontrollin e maxhorancës dhe japin llogari para asaj, pavarësisht se Kushtetuta i përcakton si “institucione të pavarura” nga politika.

Formula “10 prokurorë” nuk është zgjidhje
Nguti për të krijuar SPAK-un me numrin minimal prej 10 prokurorësh, është një zgjidhje “emergjente”, por aspak një zgjidhje për të përmbushur pritshmërinë e opinionit publik mbi luftën kundër korrupsionit në nivelin e lartë dhe krimit të organizuar.

Aktualisht, Prokuroria për Krime të Rënda, e cila do të zëvendësohet nga SPAK, ka në trajtim rreth 1100 dosje, të shpërndarja në rreth 20 prokurorë. Të gjitha këto dosje do t’u kalojnë 10 prokurorëve të SPAK-ut, sapo këta të fundit të marrin detyrën.

Pra, prokurorët e SPAK-ut, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve nuk janë aktualisht tek Krimet e Rënda, do të përballen me një volum pune aq të lartë, sa nuk do të kenë mundësi për të nisur hetime të reja për korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar.

Këta 10 prokurorë do të jenë të detyruar të përfundojnë dosjet voluminoze që janë aktualisht nën hetim. Dhe, pasi të largojnë këtë ngarkesë, e cila, në rastin më të mirë kërkon të paktën 2-3 vjet, ata mund të nisin të mendojnë për qëllimin e tyre të vërtetë-luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimin e organizuar të lidhur me politikën.

Deri atëherë, maxhoranca aktuale do të ketë siguruar mekanizmat për të shmangur çdo lloj përfshirje në hetimet e SPAK-ut.