Merr fund arratia e bashkëshortit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, Odhise Andrea. Ky i fundit është vetëdorëzuar mbrëmjen e së hënën në Policinë e Tiranës ndërkohë që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana.
Mësohet se ai nuk ka bërë asnjë deklaratë në polici, duke thënë se do të fliste në gjykatë.
Odhise Andrea, një ish këshilltar i Ilir Metës, akuzohet se përmes sekserit Petraq Dashi ka marrë 50 mijë euro, që e shoqja të jepte një vendim në favor të Ilia Çabirit dhe Eleni Linos, për njohjen e pronësisë së rreth 40 hektarëve tokë në Butrint.
Odhise Andrea dhe gruaja e tij, gjyqtarja Majlinda Andrea u larguan nga Shqipëria një ditë para vendimit për arrestimin e tij. Gjyqtarja e pezulluar u rikthye në Shqipëri nga Italia, ndërsa burri i saj jo.
Si u përgjua çifti Andrea?
Odhisea Andrea komunikon intensivisht me Petraq Dashin, madje edhe e takon duke negociuar çmimin në Rrogozhinë, derisa bien dakord për të ulur nga tarifa e kërkuar prej 60 mijë eurosh duke e zbritur në 50 mijë euro.
Gjatë përgjimeve, të akuzuarit e tjerë, Ilia Cabiri dhe Eleni Lino flasin në telefon me Petraq Dashin për çmimin se sa kërkojne “atje lartë” për ta zgjidhur çështjen dhe Petraqi shprehet se kjo punë në Gjykatën e Larte do “graso”. Pasi takohet me Odhise Andrean , Ilia Cabiri interesohet në telefon për shumën e saktë duke pohuar se janë gati të japin tokë, por Petraq Dashi i përgjigjet se nuk duan as toka, as gjë, por i duan “të thata”.
Ai na e uli, shprehet Petraqi, nga 60 në 50 dhe për ne kjo është gjë e madhe, ndonëse Ilia Cabiri shton i pakënaqur se shumë janë edhe kaq. Një ditë pas kësaj telefonate, palët tërheqin shumën pranë një pike transferte monetare në Fier, ndërkohë që dy orë pas këtij veprimi, Petraq Dashi komunikon sërish në telefon me bashkëshortin e gjyqtares. Petraq Dashi e pyet Odhise Andrean se kur do që të takohen, ndërsa ai i përgjigjet se sa më shpejt, aq më mirë se “vapë e madh dhe ikin njerëzit”.
Brenda ditës, Petraq Dashit ja dorëzon paratë në një qese të mbështjellë me letër, ndërkohë që të nesërmen e dhënies së lekëve, Gjykata e Lartë me anëtare në trupë gjyqësore Majlinda Andrean, vendosi në dhomë këshillimi mospranim rekursi në favor të palës që pagoi.