Policia e Vlorës ka ndryshuar qëndrim ndaj aksidentit të ndodhur pak para mesnatës së mbrëmshme në aksin Ujë i ftohtë – Skelë, ku humbi jetën 17-vjeçari Kristi Panajoti dhe u plagos kushëriri i tij që drejtonte makinën, Petraq Beja.
Fillimisht policia deklaroi se makina tip “BMW-X6” me targa AA 010 AU ka rënë në kanal por pas kërcbnimit të familjarëve dhe deklaratave të tyre, policia ka pranuar se makina ka rënë në një gropë të hapur në mes të rrugës nga firma që po e rikonstruktonte rrugën.
Policia ka ngritur akuzë për “shkelje të rregullave të qarkullimit” për shoferin Petraq Beja, kushëri me viktimën, i cili ndodhet në spital..
Por nga ana tjetër policia saktëson se shoferi 21-vjeçar ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka rënë në një gropë në trasenë e rrugës, në të cilën kryheshin punimet për rikonstruksionin e saj. Policia ka thërritur për të marrë në pyetje edhe përfaqësuesit dhe punonjësit e firmës që po kryente punimet.
NJOFTIMI I POLICISË SË VLORËS
Më datë 27.11.2016, rreth orës 23:00, në aksin rrugor Ujë i ftohtë – Skelë, automjeti tip “BMV-X6” me targë AA 010 AU, me drejtues shtetasin Petraq Beja, ka humbur kontrollin dhe ka rënë në një gropë në trasenë e rrugës, në të cilën kryheshin punime për rikonstruksionin e rrugës.
Për pasojë, është dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit si dhe pasagjeri (i afërmi i tij), shtetasi K.P., 17 vjeç, banues në Vlorë, i cili për shkak të dëmtimeve të rënda në trup ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal.
Në vendngjarje përveç grupit hetimor, ka qenë prezent edhe Prokurori i cili ka marrë drejtimin e hetimeve në lidhje me aksidentin me pasojë vdekjen e një shtetasi.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se firma fituese e tenderit për rregullimin e rrugës është Firma Greke “I….. – sh.p.k”, ndërsa ajo që ka marrë përsipër kryerjen e punimeve është firma “Xh… – sh.p.k” me president I.Bega dhe administrator F. Merkaj.
Gjithashtu, drejtuesi i mjetit shtetasi Petraq Beja, 21 vjeç, banues në Vlorë, ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën, ndaj të cilit Policia ka ngritur një masë arresti për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Grupi hetimor përveç hetimeve të tjera për zbulimin e shkaqeve dhe sqarimin e rrethanave të aksidentit, ka thërritur për të marrë në pyetje përfaqësuesit dhe punonjësit e firmës Nën/Kontraktore “XH.E.M – sh.p.k”, e cila kryen punimet për rikonstruksionin e kësaj rruge.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të firmës nën/kontraktore, në pritje të konkluzioneve që do të dalin nga ekspertët dhe nga hetimi i mëtejshëm, i cili do të përcaktojë shkaqet e vërteta të aksidentit.