Nga Boldnews.al
Ndonëse ndodhet në Nju Jork për hapjen e një ekspozite personale, kryeministri Edi Rama ka hapur një front të ri lufte duke sulmuar në mënyrë të paprecedentë gjyqësorin.
Ai ka postuar nga Amerika një status shumë komprometues. I kërkon Gjykatës Kushtetuese të çlirojë Ligjin e Vetingut.
“Shqipëria vend i respektuar për reformat dhe i mirëpritur në tryezën e negociatave për anëtarësim. Gjykata Kushtetuese të çlirojë sa më parë Ligjin për Vetingun e Gjykatësve e Prokurorëve dhe të nisë puna për zbatimin e tij”, shkruante Rama në Facebook.
Duke bërë diversion me hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, sipas Ramës na pengon procedura kushtetuese e shqyrtimit nga Gjykata të një ligji, në rastin konkret atij të Vetting-ut.
Një deklaratë kjo e Ramës që cënon hapur pavarësinë e gjyqësorit, ndonëse vendi ynë aspiron të hapë negociatat me Bashkimin Evropian.
Por me arrogancën e tij kryeministri ynë e ka kthyer Shqipërinë në pozicion aspak komod edhe në faktorin ndërkombëtar.
Duke mos kuptuar asgjë nga politika e jashtme dhe duke mos patur një staturën e një politikani modern kryeministri Rama bëri një gafë diplomatike me akuzat kundër Donald Trump që e kthyen kryeministrin shqiptar në qesharak.
Por jo vetëm kaq. Tashmë marrëdhëniet mes Uashingtonin dhe Tiranës kanë hyrë në një spirale të rrezikshme.
Si të mos mjaftonte kjo Rama ka hapur një front lufte edhe me Athinën.
Është Greqia dhe jo Gjykata Kushtetuese ajo që mund të bllokojë integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.
Referuar burimeve diplomatike gazeta Kathimerini shkruante sot se gjithçka do të vendoset në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së në fillim të dhjetorit dhe më pas nga samiti i lartë i BE-së po në këtë muaj.
Sipas gazetës, qeveria greke është e vendosur të hedhë në tryezën e diskutimeve një sërë çështjesh në raport me Shqipërinë me fokus kryesor vendimin për prishjen e 19 objekteve në Himarë.
“Në Athinë perspektiva e një vetojë nuk është aspak e dëshirueshme, por burime lënë të nënkuptohet se nëse Shqipëria nuk do të tregojë me vepra vullnetin për fqinjësi të mirë, veto do të vendoset për aq kohë sa do të konsiderohet e domosdoshme”, shkruan Kathimerini.
Pra, kryeministri ynë ia ka arritur me sukses të shkojë drejt prishjes së marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por edhe me Greqinë.
Tashmë Ramës i ka ngelur vetëm “vëllai” i tij Erdogan si aleat në politikën ndërkombëtare.
Por edhe ky i fundit, ashtu si kryeministri shqiptar ka një armiqësi të hapur me Uashingtonin.













