Merkatoja politike/ Nga Blushi e Topi deri te Vladimir Kosta, ja deputetët që kanë ndryshuar “flamujt”

Shpesh ishim mësuar që termin merkato ta dëgjonim për futbollistët, por në vendin tonë kjo fjalë u shkon përshtat fare mirë politikanëve.

Nëse kanë pasur një specifikë politika e viteve të fundit ka qenë padyshim lëvizjet e politikanëve dhe partiakëve nga një parti tek tjetra. Deputetët që e marrin mandatin nën siglën e një force dhe e mbyllin me një forcë tjetër.

Në këtë këndvështrim, me largimin e deputetit socialist Vladimir Kosta drejt Partisë Agrare Ambientaliste shtohet akoma më shumë numri i politikanëve që kanë ndryshuar “flamur”. Deputeti i qarkut të Gjirokastrës, muaj më parë ka deklaruar divorcin e tij nga Partia Socialiste, duke denoncuar raste influencash financiare dhe korruptive.

Ndërkohë që nga Partia Socialiste janë larguar edhe deputetët Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi.

Deputetët që ndryshuan parti

Para tre vitesh, tre deputetë socialistë kaluan në llogoret e Partisë Demokratike. Asllan Dogjani, Gjovalin Kadeli dhe Kastriot Islamin, kaluan në radhët e demokratëve. Tre deputetët kaluan tek kundërshtari i tyre pas debateve me Edi Ramën. Ndërkohë pas kandidimit në qarkun Lezhë me Partinë Demokratike në 23 qershor të 2013, Kadeli bëri një tjetër lëvizje, duke kaluar tek Lëvizja Socialiste për Integrim.

Por transfertat nga një parti tek tjetra janë bërë aq e rëndomtë sa çdo ditë e më shumë një fenomen i tillë nuk përbën më lajm. Që në vitin 2005 kemi disa deputetë që kishin fituar me një parti mandatin dhe e kishin braktisur atë. Kulmin e ka Lufter Xhuveli, i cili mori vota në koalicionin e majtë dhe shkoi ministër në qeverinë e djathtë. Po ashtu deputetët Hamit Kosta, Nikollaq Neranxi, Tom Doshi, Paulin Sterkaj, Luan Memushi, Spartak Ngjela, Piro Lutaj, Nard Ndoka,  Preç Zogaj, Gjovalin Kadeli, Dritan Prifti etj., janë disa nga emrat e shumtë të deputetëve që kanë ndryshuar parti të paktën një herë.

Lëvizjet më të mëdha midis partive kanë ndodhur në kampin e majtë, nga LSI në drejt Partisë Socialiste ose anasjelltas. Jo pak herë edicionet e lajmeve ose titujt kryesor të gazetave janë hapur me largime nga një parti tek tjetra. Kjo lloj marrëdhënieje midis dy forcave ka nisur që më 2005. Herë-herë këto lëvizje janë dukur si groteske dhe jo rrallë herë si lëvizje të dyshimta. Themi të dyshimta, pasi ato të lënë përshtypjen e veprimeve të njerëzve të cilët kanë humbur privilegjet në partinë ku ishin dhe rendin në kërkim të një kontrate të re me partinë tjetër, që do të thotë në kërkim të një karrigeje tjetër. Në këtë lëvizje pa dyshim që Partia Socialiste ka arritur të marrë më tepër nga LSI, por dhe kjo e fundit nuk ka qëndruar duarkryq. Shumë nga figurat historike të kësaj partie janë tashmë pjesë e LSI-së. Kujtojmë emra si Luan Rama, Lefter Koka, që kanë qenë pjesë e rëndësishme e PS-së dhe tashmë përfaqësojnë flamurin e LSI-së. Lëvizje të tjera brenda së majtës ka pasur dhe me partitë e tjera.

LEXO EDHE  Kadilli: Berisha e ka mbyllur ciklin. Bejko: Është bërë agresiv

Edhe pse jo me bujën e së majtës, dhe në kampin e djathtë kemi pasur merkato politike. Emri më i rëndësishëm që ka bërë lëvizje është ai ish-kryeministrit, Aleksandër Meksi, që braktisi forcën që e mandatoi për pesë vjet kreun e qeverisë shqiptare, për të shkuar në koalicionin tjetër të djathtë, Poli i Lirisë.

Por skizma më e madhe e PD-së erdhi kur lindi Fryma e Re Demokratike. Shumë eksponentë të njohur të PD kaluan tek partia e re, ku mund të përmendim ish-presidentin Topi (kryetar i kësaj partie) dhe deputetin Gazmend Oketa.

Disa nga lëvizje tek e Djathta

Nard Ndoka Nga PD tek PDK

Tom Doshi Nga PDK tek PS

Lajla Përnaska Nga PR tek PD

Preç Zogaj Nga PD-PLD-PD-PS-PD

Kosta Barka Nga PBDNJ tek PD

Spiro Ksera Nga PBDNJ tek PD

Aleksandër Meksi Nga PD tek Poli i Lirisë

Bamir Topi nga PD tek FRD

Gazmend Oketa nga PD tek FRD

Mesila Doda, nga PD te PDIU

Disa nga lëvizjet tek e Majta

Hamit Kosta nga PDS tek PS

Paulin Sterkaj nga PS tek PD, sërish tek PS

Luan Memushi nga PS tek LSI

Luan Rama nga PS tek LSI

Piro Lutaj nga PAD tek PS

Shpëtim Idrizi nga PS tek PDIU

Vangjel Tavo nga PS tek LSI

Dritan Prifti nga LSI tek PS, tani jashtë politike

Asllan Dogjani nga PS tek PD

Gjovalin Kadeli nga PS tek PD, nga PD tek LSI

Kastriot Islami nga PS tek PD

Vladimir Kosta nga PS te PAA

Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi nga PS në partinë e tyre ende të pashpallur zyrtarisht.



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here