Lufta brenda familjes: Çfarë fshihet pas sulmit të Kokëdhimës ndaj Tahirit?

Nga Boldnews.al

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka lënë mënjanë diplomacinë dhe ka sulmuar sot ashpër ish-deputetin Koço Kokëdhima. Madje duke e akuzuar atë se fshihet pas interesave kriminale.

Sulmi i Tahirit nëpërmjet Policisë së Shtetit erdhi pasi gazeta “Shekulli” e Koço Kokëdhimës botonte sot një raport të cilësuar sekret, ku theksohej se policia ndihmonte trafikantët e drogës.

“Institucionet ligjzbatuese italiane dhe ato gjermane kanë marrë informacione, për një formë që drejtues të ndryshëm të policisë përdorin për të mbrojtur kultivuesit dhe trafikantët e bimës narkotike kanabis-sativa. Policitë lokale në bashkëpunim me FNSH, megjithëse bëjnë aksione ku shihen prerjet e bimës narkotike, nuk bëjnë asgjësimin e saj me djegie, që të sjellin shkatërrimin e plotë të bimës narkotike. Në këtë mënyrë vijojnë raportet e këtyre institucioneve, Drejtuesit e Policisë në qendër të aksioneve në terren, favorizojnë në një formë të sofistikuar kultivuesit dhe drejtuesit e tyre, trafikantët, ku në çdo rast vetëm bëjnë prerjen e bimës narkotike dhe jo asgjësimin e plotë të saj. Pas prerjes dhe lënies në vend për disa orë, bima thahet dhe kjo ia lehtëson punën kultivuesve të cilët menjëherë pas largimit të policisë bëjnë zhvendosjen dhe magazinimin e saj”, shkruante gazeta “Shekulli”.

Ndërkohë që Policia e ka cilësuar këtë lajm si një trillim, duke deklaruar se nuk ekziston asnjë raport i tillë, por është i sajuar për “interesa personale, politike dhe kriminale”.

Pse ndodhi përplasja?

Pronari i gazetës “Shekulli”, ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima ka nisur prej kohësh sulmet ndaj ish-mikut të e tij, kryeministrit Edi Rama.

LEXO EDHE  Debatet te “Ekonomia”/ Leska-Ibrahimajt: E papërgjegjshme, po u përdor borxhi për satelitët, vr*t ekonominë

Kokëdhima pati deklaruar disa ditë më parë se gjendja e drogës në vend ishte më keq edhe se në kohën e Berishës, duke rrëzuar kështu një nga tezat mbrojtëse të kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë që përplasja Kokëdhima-Tahiri është e hershme. Ishte pikërisht ministri Tahiri ai që e cilësoi si të “çmendur” propozimin e Kokëdhimës për legalizimin e hashashit.

Përplasja në atë kohë u mbyll shpejt, pasi Kokëdhima ende kishte marrëdhënia të mira me Edi Ramën. Por pasi ky i fundit e braktisi në heqjen e mandatit që i bëri Gjykata Kushtetuese, Kokëdhima tashmë ka dalë haptazi kundër Ramës, duke bërë një aleancë nën rrogoz me kreun e LSI-së, Ilir Meta.

Në strategjinë e tij kundër kryeministrit, duke mos e sulmuar atë ballazi, Kokëdhima ka nisur të godasë njerëzit më pranë kryeministrit, si në këtë rast, që ka sulmuar ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ky sulm i Kokëdhimës është i orkestruar së bashku me Ilir Metën. Kreu i LSI-së ia ka kërkuar prej kohësh Edi Ramës kokën e Tahirit, por kryeministri e ka refuzuar gjithnjë këtë kërkesë.

Partia Socialiste do të ketë përpara një vjeshtë plot me stuhi. Nga njëra anë Ben Blushi është shkëputur zyrtarisht nga PS, duke paralajmëruar hapjen e një force të re politike, Kokëdhima nuk do të ndalet në sulmet e tij. Ndërsa nga ana tjetër edhe populli i ka dalë kundër Edi Ramës për importin e mbetjeve. Viti i fundit qeverisës e gjen kryeministrin Edi Rama me shumë beteja përpara.

 



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here