Cape Verde ka shkruar një nga historitë më të bukura të Kupës së Botës, duke u bërë kombi më i vogël në histori që arrin në fazën me eliminim direkt të turneut.
Përfaqësuesja e arkipelagut me vetëm rreth 525 mijë banorë siguroi vendin e dytë në Grupin H pas barazimit 0-0 me Arabinë Saudite, ndërsa priti me ankth rezultatin e sfidës mes Spanjës dhe Uruguait. Futbollistët u mblodhën rreth një telefoni celular në fushë për të ndjekur minutat e fundit të ndeshjes dhe, sapo u konfirmua fitorja e Spanjës, shpërthyen në lot gëzimi.
Ky sukses i jashtëzakonshëm i siguron Cape Verdes një përballje ëndrrash në fazën e 32-shes, ku do të sfidojë kampionët në fuqi të botës, Argjentinën.
Rrugëtimi i “Peshkaqenëve Blu” ka qenë mbresëlënës. Ata e nisën turneun me një barazim pa gola ndaj Spanjës, ku portieri 40-vjeçar Vozinha ishte protagonisti kryesor, më pas morën një pikë të vlefshme edhe ndaj Uruguait, duke treguar se mund të rivalizojnë me ekipet më të mëdha.
Një nga sekretet e suksesit të Cape Verdes është strategjia e Federatës së Futbollit për të përfshirë lojtarë me origjinë nga diaspora. Plot 14 nga 26 futbollistët e grumbulluar kanë lindur jashtë vendit, ndërsa gjashtë prej tyre vijnë nga Roterdami në Holandë. Mes tyre është edhe sulmuesi Dailon Livramento, autor i golit vendimtar në fitoren ndaj Kamerunit në eliminatore, rezultat që i hapi rrugën Botërorit.
Një tjetër faktor kyç ka qenë puna e trajnerit Bubista, i cili drejton ekipin që prej vitit 2020. Nën drejtimin e tij, Cape Verde është shndërruar në një skuadër të organizuar, të disiplinuar dhe të vështirë për t’u mposhtur. Në ndeshjen ndaj Spanjës, ekipi bëri vetëm një faull gjatë gjithë takimit, një statistikë rekord në historinë e Kupës së Botës që nga viti 1966.
Bubista, i shpallur trajneri më i mirë i Afrikës për vitin 2025 nga Konfederata Afrikane e Futbollit, kishte deklaruar vite më parë se besonte se Cape Verde do të luante një ditë në Kupën e Botës. Tashmë jo vetëm që e ka realizuar këtë objektiv, por ka udhëhequr ekipin drejt një arritjeje historike.
Tani ëndrra vazhdon. Përballë do të jetë Argjentina, por Cape Verde ka treguar se nuk njeh kufij kur bëhet fjalë për të sfiduar favoritët.














