Hiqet monopoli i Rinas-it, pritet të hapet aeroporti i Kukësit

Kompanisë koncesionare gjermane që menaxhon aeroportin ndërkombëtar të Rinasit i është hequr ekskluziviteti i fluturimeve pas më shumë se një dekade.

Marrëveshja u bë publike sot nga ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, i cili shpjegoi edhe termat e marrëveshjes së arritur, duke sqaruar se për hapjen e aeroportit të Kukësit, kompanisë do t’i zgjatet kontrata koncesionare me dy vite. Ministri u shpreh se një vendim i tillë respekton investitorët.

Kjo marrëveshje ka kohë që negociohet dhe është një premtim i mbajtur i kësaj qeveria. Do ta quaj një ditë të rëndësishme për aviacionin civil shqiptar, pasi hap një faqe të re për zhvillimin e infrastrukturës, por veçanërisht për t’i shërbyer më shumë qytetarëve të këtij vendi. Shumë shpejt të gjitha objektivat tona për zhvillimin e sektorit të aviacionit civil në Shqipëri do të realizohen. Theksoj se objektiv madhor është të arrijmë një shërbim konkurues, që do të thotë çmim më të ulët të biletave, me qëllim që qytetarët shqiptarë të shërbehen sa më mirë.”- u shpreh Haxhinasto.

Nga ana e saj, ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, deklaroi se kjo do t’i hap mundësi të reja turizmit në vend dhe gjithashtu edhe ekonomisë.

“Është një ditë shumë e rëndësishme pasi hapim mundësi për të gjithë ata që duan të vizitojnë Shqipërinë. Po i japim një nxitje të madhe turizmit dhe ekonomisë së vendit. Për çdo 15 njerëz që vizitojnë Shqipërinë, ne punësojmë një njeri.”– u shpreh Ekonomi.

Ministri i Transporteve deklaroi se vendimi më i shpejtë është hapja e aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare. Aeroporti në fjalë është ndërtuar rreth 15 vite më parë dhe që prej atëherë nuk ka kryer asnjë fluturim për shkak të eksluzivitetit të fluturimeve të koncesionarit të Rinasit.

“Ne do të fillojmë menjëherë për të marrë hapat përkatës për të bërë operacional aeroportin e Kukësit.  Aeroporti i Kukësit do të fillojë menjëherë pas kësaj.
Kjo do të krijojë mundësi të menjëhershme edhe për të hyrë edhe në marrëdhënie koncesionare me investitorë të tjerë” – u shpreh Haxhinasto.

LEXO EDHE  VIDEO/ Zjarret në Gjorm e Kuç të Vlorës, në ndihmë edhe 1 helikopter

Termat e marrëveshje me koncesionarin

Marrëveshja me kompaninë koncesionare “TIA”, praktikisht nuk ka kosto të drejtpërdrejt për shtetin shqiptar. Sipas ministrit të Transporteve, kompanisë i është bërë një lëshim tjetër në mënyrë që të lejojë fluturimet në aeroportet e reja që pritet të ngrihej. Për shembull, për aeroportin e Kukësit, kompanisë do t’i zgjatet me dy vite plus kontrata koncesionare.

“Ne e kemi thënë që parimi mbi bazën e të cilit kemi organizuar gjithë procesin e negociatave ka qenë që kompania të mos dëmtohej në planin e saj të biznesit. Çdo reduktim i numrit të pasagjerëve që të kompensohej me periudhën e zgjatjes së koncesionarit. Ne respektojmë të gjithë ata që vijnë në Shqipëri, aq më shumë ata të aeroportit. Në thelbin e marrëveshjes, hapja e aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare është zgjatur me një periudhë 2 vjeçare koncesioni. Ndërsa për aeroportet e tjera do të bëhet një llogaritje nga momenti që ato bëhen funksional. Periudha e mbetur nga momenti që ato bëhen operacional do të shtohet me 0.5 vjet për periudhën që ka ngelur. Pra gjysmë viti për periudhën e mbetur të koncesionit. “- u shpreh Haxhinasto.

Drejtori  i Tirana International Airoport Rolf  Castro-VAsques deklaroi se marrëveshja u arrit pas shumë diskutimesh ndërsa pranoi faktin se janë në diskutim me një kompani kineze për të shitur aksionet.

 “Shpresoj që kjo marrëveshje do të ndikoj në zhvillimin e turizmit sepse ju keni një vend shumë të bukur dhe kjo mund të kontribuojw për të ardhmen. Falenderoj ministrat për këto diskutime të gjata të cilat më në fund arritëm ti konkretizojmë. Përsa i përket diskutimeve për shitjet e aksioneve tek një kompani kineze jemi në negociata por ende nuk është vendosur asgjë. “- deklaroi Rolf  Castro-VAsques.

Arritja e marrëveshjes me konçesionarin vjen pas dy vitesh diskutime me koncesionarin   i cili kishte të drejtën eskluzive për aeroportin deri në vitin 2025.



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here