Vrasja e Emiljano Ramazanit, krim i ndodhur në Elbasan në korrik të 2020, ishte pjesë e një zinxhiri vrasjesh për hasmëri, që e kanë zanafillën në prishjen e parave të drogës. Por në morinë e marrëveshjeve për ekzekutimet me pagesë, bie në sy përdorimi i një polici të Elbasanit.
Bëhet fjalë për Leonard Palushin, ish-shef i sektorit për hetimin e krimeve në këtë qytet. Palushi, sipas akuzës është bërë pjesë e planit të Erion Alibejt për të futur në sherr palën kundërshtare. Për këtë, ai përdori armën me të cilën u vra Emiljano Ramazani, të cilën e futi në servisin e mikut të Talo Çelës në Peqin, Seit Manhasës. Në dosjen e siguruar nga Gazeta Shqiptare, Nuredin Dumani ka rrëfyer se si u thur intriga për të vënë Manhasat kundër Talo Çelës.
Ndërkohë vetë polici thotë se ka marrë informacion nga persona të panjohur dhe ia ka përcjellë këtë informacion shefave të tij.
Pjesë nga dosja
“Me porosi të Erjon Alibej shtetasi Nuredin Dumani ka organizuar dhe koordinuar veprimet që arma e krimit e përdorur në vrasjen e shtetasit Emiljano Ramazani të vendosej në një parkim në pronësi të shtetasit Seit Manhasa, pasi Manhasat ishin shokët e Talos dhe ishin qitësa. Sipas Nuredinit, Erjoni donte që të krijonin konflikt midis Manhasave dhe grupit të Talos.
Henrik Hoxhaj me porosi të Nuredinit e ka lënë armën e krimit tek pishat ku kalon kthesat në Cërrik, ku është një vend që ndodhet një lokal në krahun e sipërm të rrugës ka argjinaturë (mur mbajtës).
Nuredini i ka treguar shtetasit Klevis Kapllani vendin se ku ishte fshehur arma dhe Klevisi pas dy tre ditëve ka vajtur ka marrë këtë armë dhe e ka çuar dhe vendosur tek servisi i Manhasava. Sipas Nuredinit pas vendosje së armës ka qenë Erjoni ai i cili ka njoftuar një shef krimesh i cili ishte i lidhur me të për vendndodhjen e armës.
Rezulton se në datën 27.07.2020 (7 ditë pas vrasjes së Emiljano Ramazanit) në një servis në Peqin në pronësi të shtetasve Albert dhe Seit Manhasa është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit e tipit pistoletë e cila referuar aktit të ekspertimit balistik është ajo që ka qitur gëzhojat e fiksuara në vendin e ngjarjes së vrasjes së Emiljano Ramazani. Nga hetimet e kryera rezulton se informacionin në lidhje me vendndodhjen e kësaj arme e ka marrë shtetasi Leonard Palushi i cili më pas ka informuar Drejtorin e Policisë Vendore Elbasan zotin Arjan Muça dhe ky i fundit zëvendësin e tij Alket Shatro i cili më pas ka vajtur në vendin e ngjarjes ku është gjetur edhe pistoleta në fjalë. Rezulton se shtetasi Leonard Palushi ka patur lidhje me shtetasin Erion Alibej.
Shtetasi Leonard Palushi, i pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit ndër të tjera ka shpjeguar se: Në datën 20.07.2020, kur ka ndodhur vrasja e shtetasit Emiljano Ramazani kam qenë me pushime vjetore. Edhe pse me pushime jam munduar të interesohem për zbulimin e vrasjes së Emilano Ramazanit. Disa ditë pas ngjarjes, edhe pse ishte me pushime, në Yzberisht, te dyqani “Ozone Elektronic” rreth orës 10:00 ose 11:00 të paradites më është afruar një shtetas me maske covidi dhe kapelle, rreth 170 cm dhe rreth të 50-tave. Më ka takuar dhe më ka informuar se, tek servisi i Manhasave mbahet e fshehur një armë që është përdorur te vrasja e Milit. Mu drejtua duke më thënë mua nuk më ke parë asnjëherë. Eca rreth 2 – 3 hapa në drejtim të këtij shtetasi por ndërkohë në trotuar erdhi dhe një person tjetër. Ndalova pasi nuk isha i sigurt se çfarë do ndodhte. Të dy bashkë u larguan në drejtim të rrugës kryesore te Unaza e Re. Më vonë komunikova me Drejtorin e Policisë Arjan Muça, i kam thënë se, më ka ardhur një person dhe më ka takuar në Tiranë dhe më ka thënë se arma e ngjarjes së Emiljanos është te Manahasat. Dua të sqaroj se në bisedën e bërë me Drejtorin e Polcisë Arjan Muça kemi patur dyshime se ky informacion mund të jetë i sajuar, por përsëri duke gjykuar se aty mund të kishte armë do ishte ndihmë për zbulimin e autorëve të ngjarjes, pra mund të kishte gjurmë ADN-je. Ai ka deklaruar se informacionin lidhur me armën e gjetur te servisi i Manahasave, nuk e ka përpiluar si SK2, pasi ishte me pushime dhe kur ka dalë në punë ishte pa vlerë pasi ishte ezauruar si informacion. Po kështu ka deklaruar se ka pasur njohje me Erjon Alibeaj me të cilin është takuar për shkak të informacioneve që ai ka dhënë për vrasjen e vëllait të tij Endrit Alibej, madje e ka takuar edhe në banesën e Erjon Alibeaj. Gjithashtu me kërkesë të tij shtetasi Leonard Palushi ka ndryshuar lejen vjetore nga 01-15.08.2020 në datat 15-31.07.2020.
Lidhur me këtë fakt prokuroria arsyeton se: Sa më sipër parashtruar, rezulton se i hetuari Palushi në marrëveshje me të hetuarin Alibej ka bërë të mundur që të orientojë hetimet në drejtim të gabuar duke synuar implikimin e personave të cilët nuk kishin asnjë lidhje me veprën penale të kryer. Edhe deklarimet e dhëna nga ana e të hetuarit Leonard Palushit janë aspak bindëse dhe në kundërshtim me tërësinë e provave të administruara deri në këtë fazë të hetimit. Deklarimet e dhëna nga shtetasi Nuredin Dumani si dhe ato të dhëna nga bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë Euglent Halili krijojnë dyshimin se dhënia e informacionit është bërë qëllimisht që për këtë ngjarje të futeshin në konflikt familja Manahasa me grupin e Talo Çelës. Në këtë mënyrë si rezultat i këtyre veprimeve të kryera nga ana e Leonard Palushit ai ka kryer mospërmbushje të rregullt të detyrës duke qenë në kushtet e ushtrimit të një funksioni publik duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetasve, konkretisht të shtetasve Albert dhe Seit Manahasa të cilët rezultojnë që janë arrestuar gabimisht. Sa më sipër, i hetuari Leonard Palushi ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”