Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se prej 3 javësh Parlamenti shqiptar ka bërë grusht shteti duke dalë mbi Gjykatën Kushtetuese. Sipas Berishës ky grusht shteti filloi kur maxhoranca rrëzoi kërkesën e PD-së për të çuar në Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Rakip Suli. Berisha tha se situata është dramatike, dhe për këtë arsye sipas tij “parlamenti duhet shkrirë”.
“Vazhdon prej tre javësh grushti i shtetit brenda shtetit. Anashkalojnë pushtetin që Kushtetuta i jep Gjykatës Kushtetuese, dhe shohim marrjen e këtij pushteti nga parlamenti. Prej tre javësh, vazhdon bllokimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për ata deputetë që kanë përdorur mandatin për përfitime personale se duhet të dorëzojnë mandatin. Kjo është një nga situata më të rënda në vend, një situatë që ne vende të tjera, përmbarues i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është Presidenti i vendit. Në këto kushte, Parlamenti meriton vetëm një qëndrim, shkrirjen e menjëhershme të tij”, tha ish-kryeministri Berisha.
Ai e ftoi opozitën të marrë të gjitha vendimet sepse një situatë e tillë është kazmë në themelet e shtetit. “Imagjinoni ju se ç’janë në gjendje të bëjnë këta pushtetarë kur shkelmojnë vendimet e asaj gjykatë, vendimet e të cilës janë të barabarta me normat kushtetuese. Këta qeveritarë për të mbrojtur kusarët brenda parlamentit shkelmojnë harbutërisht mbi vendimet e gjykatës dhe i marrin asaj pushtetin. Edhe Koço Kokëdhimës i shkoi mandati në Kushtetuese jo për të zbatuar vendimin e Gjykatës por na rezulton se u bë nga Gramoz Ruçi për t’i bërë një ndëshkim si rival i ardhshëm për sekretar të përgjithshëm të PS-së. Këtë e thotë vetë Koçoja. Parlamenti është shndërruar në bastion të krimit dhe kusarëve në pushtet. Këtë parlament mund ta shkrijnë vetëm qytetarët shqiptarë. E shkrin vetëm sovrani”, tha Berisha.
Sipas tij Presidenti i Republikës ‘duhet të konsultohet gjerësisht me konstitucionalistët më të mirë të vendit për të shprehur qëndrimin ndaj këtij akti anti-kushtetues’.
“Solidarizohem me opozitën dhe kam besim se hap pas hapi opozita do të marrë të gjitha vendimet e duhura ndaj këtij parlamenti që nuk duhet të ekzistojë. Shkrirja e parlamentit është e vetmja zgjidhje paqësore e vendit”, theksoi ai.
Berisha shprehu kënaqësinë që Byroja Kombëtare e Hetimit, sipas tij u shkëput ‘nga sqetulla e Edvin Shullazit dhe Saje Qorrit’. “Pikëpamjen se ku duhet të jetë BKH e kam shprehur para se të vijnë rekomandimet e Venecias. Mendoj përsëri ta votojmë menjëherë sepse Edi Rama e ka betejë për jetë dhe vdekje këtë Byro. Jo vetëm që ka marrë një amanet nga Viktor Ponta, e dini dhe nuk ua thoni shqiptarëve, dini më shumë detaje për takimin e tyre të fshehtë, çka nuk ju nderon… Por Edi Rama nuk ka nevojë të marrë rekomandime nga Ponta se i del bunkeri në Surrel, koncesionet, Vilma Nushi etj. Hajde ta votojmë që nesër. E konsiderojmë dëshminë e vullnetit të sinqertë por nuk e bën dot ai”, deklaroi ai.
Berisha foli për një skemë dhe kërkoi që të votohet Byroja si kapitull i parë që të fillojë puna dhe më pas të vijohet me amendamentet e tjera. Ai u shpreh se Policët gjyqësorë duhet të kenë një trajtim serioz në zyrat e FBI-së.
(Boldnews)