Kuvendi i Shqipërisë ka nisur ditën duke mbajtur 1 minutë heshtje në shenjë respekti ndaj viktimave të Brukselit që humbën jetën dy ditë më parë në sulmet terroriste që ndodhën në kryeqytetin e Belgjikës.
Vetëm për 1 minutë duket se mazhoranca dhe opozita kanë arritur në një “konsensus” politik. Pas kësaj “heshtje”, gjithçka i rikthehet normalitetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Seanca plenare u ndërpre dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta vendosi 5 minuta pushim pas kaosit të krijuar në Parlament.
Deputetët e opozitës rrethuan në foltoren e Parlamentit deputetin e Partisë Socialiste Rakip Suli. Ky i fundit kërkoi të replikonte dhe tentoi të merrte fjalën në foltore gjatë kohës që po fliste deputeti i Partisë Demokratike Eduart Halimi.
Sikur te mos mjaftoje gjullurdia e bërë, deputët e mazhorancës e kthejnë Kuvendin në një sallë “urimi”. Gjatë kohës që deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, pasi kërkojnë që mandati i deputetit socialist Rakip Suli të shkojë në Gjykatën Kushtetuese se ka përfituar fonde publike, mazhoranca ka gjetur kohën për të bërë gallatë dhe ka vazhduar diskutimet për pr/ligjet duke injoruar kërkesat e opozitës.
Fillimisht ka qenë deputeti i PS Bujar Çela i cili që në nisje të fjalës së tij ka uruar kryeparlamentarin Ilir Meta për ditëlindjen, pasi sot mbush 47 vjeç.
Çela i ka kërkuar gjithashtu deputetëve të PD që qëndronin në këmbë në foltore që ta urojnë edhe ata Metën, pasi dikur kanë qenë në koalicion bashkë me LSI. Kjo gjë ka shkaktuar të qeshuara në radhët e mazhorancës, e sidomos te Meta.
Pas Bujar Çelës, fjalën e mori deputetja e PS Arta Dade, e cila njësoj si kolegu i saj uroi ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, pasi edhe ky feston sot ditëlindjen. Të qeshura të shumta ka shkaktuar edhe ky moment te mazhoranca, të cilët injoronin PD për kërkesën e saj.
Mazhoranca vazhdon me egon e saj duke votuar e vetme për projektligjet duke e kthyer Kuvendin në një monopol vetjak ndërkohe që opozita ende ngelet pa zë në foltore.