Nga Agron Gjekmarkaj
Prej javësh Sali Berisha i cenuar në interesa personale, i udhëhequr nga zemërimi i tij i ka dhënë jetë “Foltores”, e cila e flet për bashkim me gjuhen e përçarjes dhe bën analizë me hanxharin e fyerjeve në dorë. Lideri historik dhe personaliteti kryesor i PD është në konflikt me SHBA-të, i shpallur prej tyre “Non grata”. Një ngjarje kjo e cila e ndryshon historinë e këtij formacioni politik në para dhe pas, e ndan atë në dy epoka. Baza e PD-së është nën stres të madh.
Ky është një vendim që i ka trazuar demokratet e të gjitha niveleve por SHBA-të nuk e kanë shpallur atë me të drejtë apelimi apo negocimi. Na mërzit apo jo ne është vendimi i tyre përmes se cilit ata shprehen se po ndihmojnë PD-në dhe Shqipërinë për ti dhënë fund tranzicionit.
Askush nuk e thotë, Berisha jo e jo e shmang si argument, sesi ky problem mund të zgjidhet nëse PD-ja nesër do të jetë Foltorja e sotshme?! Asnjë prej tyre që e shohin veten përsëri në skene apo të realizuar në ambiciet që kanë përmes kësaj lëvizjeje nuk e thonë ketë, qofshin ata ish presidentë, kryeministra, ministra, deputete e ish deputetë, hirerakë të të gjitha gradave. Berisha nga Kavaja shpalli se do të jete në garë për Kreun e PD-së megjithëse PD para tre muajsh i bëri zgjedhjet dhe i dha votëbesimin me gati 84 % Lulzim Bashes madje pak a shumë tha “se unë ju garantoj se gara për Kryetar do të jetë e lirë dhe e barabartë” ! Çfarë posti ka sot Doktori që jep këtë garanci, për me tepër që ai pretendon të jetë njëri nga kandidatet?!
Në ditën që lajmëron se gjyqtari ka pranuar kallëzimin ndaj Blinken për shpalljen e tij non gratta, shpall kandidaturën për Kryetar. Pa sens duket kjo për gjakftohtët e politikës. Mesa duke ai di më shumë se të tjerët, informacioni mbetet fuqia e tij. Partia më shumë gjasë i duhet si mburojë edhe kur drejtësia edhe pse franceze e në asnjë rast obliguese për SHBA dhe sa do vonë, të thotë fjalën e saj.
Dje “kandidati” dha garanci. U shfaq dhe si arbitër edhe si lojtar. Vetë Ali e vetë kadi. Berisha tradhtohet nga ligjërimi i tij. Ai sillet sikur nënkryetari ka shkarkuar Kryetarin dhe ai është gati të rimarrë gjënë e vet. Të le pështypjen se PD është “tokë e xanun”.
A kishte mundësi të tjera Lulzim Basha për t’ju përgjigje SHBA-ve?. Në formë mbase po, mund te zgjidhte disa mënyra për marrjen e vendimit por në thelb jo. Por duke qene një vendim që duhej marre përtej çmimit edhe mënyrat nuk janë të shumta. Këtij problemi i ikën Foltorja dhe merret me një sërë çështjesh që PD i trashëgon nga vete Berisha dhe nga Basha duke përfituar edhe nga zemërimi i mos ardhjes në pushtet për të ngritur një valë anti Basha.
Sali Berisha e ka bërë trajektoren e tij politike, me suksese të medha e dështime po të tilla. Në kohen e tij ndodhi viti 1997 , një vit që po tentohet të rindodhë tanimë jo në vend por në PD. Ai Ka shfaqur autoritarizem e tolerancë, ka fituar e humbur në ekstreme. Ka patur një PD serioze por në thelb asnjëherë demokratike, ka përjashtuar prej saj një varg të gjatë themeluesish e bashkëpunëtoresh duke bërë shpesh që Pd të humbasë fytyrën e saj urbane dhe të marrë një fytyrë të pamerituar. Në PD është krijuar përshtypja si jeh i Berishizmit që çdo gjë të jepet se do Berisha po jo se individi e meriton me CV-në e vet dhe në momentin që nuk je dakord shikohesh si armik. Kështu sipas shkollës së Enver Hoxhes krijua dogma e Liderit të pagabueshëm e zemërgjerë që ndëshkon vetëm ata që gabojnë, spiunë, tradhtare e kësisoj.
Unë nuk kam asnjë lidhje organike me komunizmin, asnjë komunist në fis, jam i djathtë për qejfin dhe historinë time teksa tanimë gjindemi në pozitën e të “dyshuarit” nga krahu i “Foltores” , se nuk jam dakord me perspektiven që “Foltorja” ofron dhe në fakt nuk jam se ajo na çon në kurs përplasje me SHBA-të e barabartë me asgjësim të PD-së.
Nëse e mbështes atë jam automatikisht i denje për respekt, i djathtë, konseguent, intelektual, patriot etj. Një zgjedhje tjetër kam bërë dhe kjo me jep liri gjykimi e veprimi. Nuk jam në ankth personal aspak se di të jetoj më gjërat e mia të vogla. Për fatin e PD-së po, se ai imi s’ka pikë rëndësie në perspektiven e kësaj partie pertej kinse të qeshurave e zgërdhirjeve që më bëjnë për vetëpëlqim. Unë si individ e përsëris kam respekt për Sali Berishen (aq sa mund ti bëjë punë atij respekti i një qytetari të zakonshëm), karizmën dhe forcën e tij që ka demonstruar në tre dekada po për arsye historike, arsye moshe, arsye të raportit me SHBA-të Sali Berisha nuk mund të jetë më alternativa, e ardhmja e PD. Edhe e shkuara edhe ardhmja nuk mund të përmblidhen tek një njeri. Historia na e rrezon këtë iluzion. Për të gjithë ka një fund. Çështja është si i buzëqesh atij.
Foltorja ka mbledhur dy kategori personash. Të paret janë demokratë kontributorë nder vite në PD shumë prej të cilëve nuk kanë patur asnjë përfitim e vlerësim. Sigurisht Sali Berisha thotë disa të vërteta për gjendjen në PD por i shmanget përgjegjësisë së tij për këtë madje edhe në këto tete vite si njeriu më influent në të. Nuk i takon atij të ankohet për vetveten.
Të vërtetat e tij edhe pse nuk nisen nga shkaqet reale, por nga një kontekst personal meritojnë vëmendje dhe me to një ditë, jo larg PD duhet te përballet. Lulzim Basha duhet te përballet. As kjo parti e as ai si kryetar i saj nuk duhet te kenë tabu për të zgjidhur kriza apo për të risjellë atë në pushtet. PD dhe Basha nuk mund të sillen sikur s’ka ndodhur asgjë, sikur gjithçka mbulohet me rutine. Një projekt i ri që bazohet në ide dhe jo në persona duhet gjithsesi pa i ikur nevojës për personalitete të forta e kartë morale. PD e ka jetike të përmbyllë tranzicionin e saj dhe të marrë një formë bashkohorë në qellim e në formë.
Por kjo nuk mund të ndodhe si produkt i një lëvizje që merr shkas nga “Non gratta” amerikane. Një kategori tjeter janë demokratet për të cilet është kontribuar pa fund, ishte e shumtë që PD ka prodhuar nder vite. Ndonëse shumë prej tyre kanë kohë shumë të gjatë në politike, në poste ekzekutive e politike prej faktit që sot nuk janë bashkojnë zemërimin e tyre me atë të Sali Berishes me parim të dalë ku të dalë po Basha të ikë. Për arsye të antropologjisë kulturore Shqipëria prodhon “personalitete” pa fund. Secili e sheh veten të përjetshëm, e të pazëvendësueshëm, kontributor, hamshor, mendimtar , shtetar e të tjerë.
Nuk ka rendësi për ta në e kanë filluar karrierën 40 e tani janë 70, në e kanë filluar 30 e sot janë 60 prapë duan të jenë pa fund. Pa dyshim që PD ka nevojë për një aleancë brezash por jo që një brez të shtypë pafundësisht një tjeter. Nëse ke qënë per 20 vjet deputet e ministër, drejtor e shef duke patur kulme e rënie, vlerësime në fitore e rrol në humbje tek e fundit edhe mund të rrish mënjane. Këtu nuk po përfshijmë ata që kanë korruptuar imazhin e PD me korrupsionin e nënshtrimin e tyre komik që mban ënde ere. Po bie dakord me këdo për mënyrën se si hyhet e dilet nga politika ajo nuk duhet të jetë kurrë në dorën e një njeriu të vetëm. Në këtë turravrap veteshkatërrues sekush duhet të ndalet pak siç thotë një fjalë e urtë “prej burrnisë e jo prej tutes” ! Sali Berisha do duhej të ishte i pari prej statusit intelektual, politik e historik ! Por edhe nëse se bën nuk është fundi i botes, Shqipëria në çdo rast do të ketë Opozite dhe ajo do të jetë në sintoni me SHBA-të! / Panorama