Pak pa shkuar ora tetë e mëngjesit të së martës, dy sulme terroriste goditën zemrën e Bashkimit Europian, Brukselin. Dy shpërthimet u raportuan së pari në sallën e nisjeve të aeroportit të Brukselit. Fotografitë e para dolën në median sociale ku dukej qartë dëmtimet e shumta brenda sallës dhe gjendja e rëndë e të plagosurve.
Shpërthimet, erdhën katër ditë pas arrestimit në Bruksel të atentatorit kryesor të Parisit, Salah Abdeslam i cili sipas prokurorëve belgë, kishte pranuar të bashkëpunonte me drejtësinë.
Autoritetet konfirmuan dy shpërthimet dhe paralajmëruan njerëzit të qëndrojnë larg zonës. Ky ishte vetëm fillimi i situatës së alarmit e panikut të plotë në kryeqytetin belg. Pas kësaj nisën të dalin shifrat e para për viktima, 11 të vrarë e 81 të plagosur, por bilanci nuk ishte përfundimtar.
Agjencitë belge të lajmeve njoftuan se ka pasur të shtëna dhe të thirrura në arabisht përpara se të ndodhnin dy shpërthimet në aeroportin e Brukselit. Ka dëshmi se shpërthimet ndodhën pikërisht në pranë zyrës së American Airline dhe ato kanë qenë kamikaze.
Rreth orës 9:20, Belgjika njoftoi rritjen e nivelit të sigurisë nga tre në katër që është edhe maksimumi I alarmit. Vendi ishte prej kohësh në gjendje alarmi pas vrasjeve që ndodhën në periferinë Molenbek të Brukselit, javën e kaluar ku u arrestua edhe i dyshuari i sulmeve të parisit, Salah Abdeslam.
Në orën 9:28 të mëngjesit, dolën raportimet e para për shpërthimin në Maelbeek, stacioni i metrosë në Bruksel, pranë institucioneve të Bashkimit Europian. Shtypi raportoi për 10 të vdekur dhe shumë të plagosur rëndë, cka e lë të hapur bilancin e viktimave. Ndërkohë, një shpërthim tjetër është raportuar në stacionin Schumann. Operatori i metrosë së Brukselit njoftoi më pas se bilanci i këtyre sulmeve është 15 të vdekur dhe 55 të plagosur.
Aeroporti i Brukselit u mbyll sikundër edhe shërbimi i autobuzëve, tramit dhe sistemi i metrosë. Gjithcka u paralizua në kryeqytetin belg në spektrin e pak orëve.
Gjendja e alarmit ka vijuar me paralajmërimin për bombë në stacionin e trenit në Antwerp, ndërsa pas raportimit të shpërthimeve u evakuua edhe pallati mbretëror.
Analistët thonë se nuk duhet të vijë si surprizë goditja në Bruksel, por sipas tyre tronditja më e madhe është se sulmet kane qënë të suksesshme, pavarësisht gjendjes së lartë të sigurisë dhe masave të shtuara të autoriteteve për të parandaluar sulme të mundshme.
Ata shtojnë se që nga sulmet mbi zyrat e Charlie Hebo janarin e vitit të jaluar ku u vranë 12 persona, ka pasur një numër celulash terroriste të lira e që janë frmëzuar nga i ashtuquajturi Shteti Islamik me akses në zotërimin e armëve dhe lëndëve shpërthyese.
Autoritetet belge kanë qenë duke luajtur kush e kap prej asaj kohe dhe nuk kanë pasur një sistem vërtet të mirë të ndarjes së informacionit mes organeve të ndryshme përgjegëjse.
Ndërkaq, autoritetet belge konfirmuan se shpërthimet në Bruksel ishin terroriste dhe mbajnë shenjën e Shtetit Islamik. Analistët thonë se ishte e pritshme që militantët të godisnin në Belgjikë, por nënvizojnë se sulmet ishin shumë të koordinuara, edhe pse të vendosura me shpejtësi pas arrestimit të Abdelselam.
https://www.youtube.com/watch?v=dzI111n0-D8