Nga Boldnews.al
Në betejën e tij gjysmë epike, gjysmë morale, lideri historik, është nisur me gurë në trastë ndaj atij që bekoi, mbrojti dhe mbështeti pa kushte si kryetarin legjitim apo të paktën ligjor, në krye të PD-së, për më shumë se 8 vite. Atij që mbështeti edhe kur spastroi figurat udhëheqëse të partisë, edhe kur ndërmori disa nga aktet më të forta në politikë në këto tre dekada si dalja nga parlamenti dhe mos hyrja në zgjedhjet lokale, atij që mbështeti në heshtje edhe fare pak kohë më parë kur djali tashmë plangprishës guxoi të bënte zgjedhje të rrufeshme që i siguruan një fitore plebishitare në garën me tre kandidatë. Tashmë, biri plangprishës u kthye befas në Judë, i kapur, peng i Ramës, i shantazhuar i amerikanëve që shiti “atin” e tij politik si “plaçkë lufte”, ndonëse vetë “biri” e interpretoi këtë si një dorëzani që sipas kuptimit juridik të fjalës është zotimi që merr dikush për të përmbushur detyrimet e një tjetri, në qoftë se ky nuk i plotëson ato, që në rastin konkret ishte zbatimi simbolik i zotimit të vetë Sali Berishës për mos ta marrë partinë me vete në luftën e tij personale.
Një mbrojtje e mëtejshme është që dr. Berisha nuk u përjashtua as nga partia, por vetëm u pezullua me kusht deri sa çështja e tij të marrë sqarim përfundimtar, gjë që në të vërtetë është ta shtysh në kalendat greke, pra në pafundësi të moshës dhe kohës biologjike, pasi kjo nuk është një betejë ligjore e Berishës me Blinken, por një mesazh i fortë politik i amerikanëve për atë që ata e konsiderojnë së paku pengesë për zhvillimin normal të lojës politike në vend. Pyetja që ai i bëri në formën e retorikës ishte “me amerikanët ose kundër tyre?!
Deklaratat e para të zotit Basha dhe foltoret e para të zotit Berisha kapën të papërgatitur edhe analistët edhe gazetarët, por edhe vetë anëtarët e Partisë Demokratike në këtë pjesë të botës ku të gjithë jetojnë me parashikime.
Pas ezaurimit të mosbesimit të parë ishte zoti Berisha që dha sinjalin fillestar se çështja ishte serioze. Kjo ndodhi në foltoren e Elbasanit, ku ai e shprehu qartë se do të mbështeste cilëndo kandidaturë të dalë nga zgjedhjet e anëtarësisë brenda PD-së. Natyrshëm, këtu vlen të theksohet ajo që shprehet ndër rreshta, që e përjashton veten si kandidaturë e mundshme për kreun e PD-së. Duke kalkuluar natyrisht, kjo do t’i sillte konflikt të panevojshëm me amerikanët, do të ulte kuotat e votuesve edhe në rast se do të dilte triumfator në garën e brendshme dhe për një politikan race si puna e tij nuk do të sillte një vlerë të shtuar. Nga ana tjetër dhe paralel me këtë, Sali Berisha theksoi për të disatën herë që është i hapur apo nuk përjashton asnjë funksion kushtetues dhe logjika elementare është se ai hedh dorashkën në ring për kandidat të PD-së dhe opozitës për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës ose kurdo që të jenë ato, në rast se ka zgjedhje të parakohshme. Vlen këtu paralelja me SHBA, ku ish-presidenti Trump ka theksuar që do të garojë sërish në 2024 dhe e ka vënë me shpatulla mbas muri establishmentin e partisë republikane, pasi baza e partisë është tejet entuziaste ndaj rikandidimit të tij. Natyrisht diferenca është se kandidati Trump arriti si herën e parë edhe të dytë të mobilizonte mjaft votues të rinj, përtej bazës tradicionale republikane, ndërkohë që Sali Berisha është përdorur rëndom si shënjestra kryesore e sulmit socialist për të tërhequr votuesit “gri”, duke i paralajmëruar ata që votimi për Bashën do sillte çiftin politik Berisha-Meta në pushtet.
PD e vulës nga ana tjetër ka arritur në pikën ku shumicën e batareve mediatike i ka drejtuar kundër të vetëve. Vetëm në ditët e fundit, shumica e deklaratave dhe lajmeve të prodhuara nga selia blu i drejtohen sulmeve ndaj të vetëve. Në njëfarë mënyre po pret degët ku qëndron, dhe i ka marrë me radhë. Sot po luheshin në rrjet koeficientët se kush e ka radhën pas Nokës. Duket e pabesueshme kur e mendon se vendi ka nevojë mëse akute për opozitë dhe kjo e fundit është bërë kashtë e koqe. Aksione opozitare të nisura por të pabitisura, lufta në rrjet mes ithtarëve të njërës palë që yshten të masakrojnë palën tjetër, hedhja benzinë zjarrit në vend që të përqendrohen energjitë kundër mazhorancës së plotfuqishme, figura apatike dhe aspak politike të emëruara në krye të partisë, por edhe kur flasin nuk thonë asgjë, lista deputetësh të dala nga xhepi i pasmë dhe të pakonsultuara, lufta e ftohtë me LSI, të gjitha këto janë kusure për të cilat lidershipi aktual, pra ai i firmës dhe i vulës në parti, ka të paktën pjesërisht kusuret e tij.
Brenda kampit blu, sipas sondazheve të fundit të bëra publike, duket se anëtarësia favorizon Berishën me rreth gjysmën e numrit total që shprehin preferencë për të dhe betejën që po udhëheq, ndërsa Basha komandon rreth 35 përqind, me vetëm 8 përqind të pavendosur, çka të kujton suksesin e lëvizjes “katharsis” të Nanos. Ndërkohë, ajo që të suprizon është se mes të pavarurve, shumica dërrmuese preferon një udhëheqës të ri me rreth 48 përqind, ndërsa vetëm 24,4 përqind preferojnë Berishën dhe 21,6 përqind Bashën. Ky i fundit udhëheq në terma relativë vetëm në të pyeturit mes radhëve të votuesve “mavi”, por edhe këtu shumica absolute prej mbi 68 përqind preferojnë një lider të ri, ndonëse këta kanë pak rëndësi, se ka pak gjasa të votojnë djathtas edhe në rast ndryshimi lidershipi.
Basha përball Berishës
Ndoshta zgjedhja më e mirë në këto momente është të shkohet sipas asaj që sugjerojnë edhe sondazhet e kryer me elektoratin gri për një kryetar të ri, ndoshta konsensual mes dy lobeve të fuqishme, ndoshta dhe akoma më mirë, jashtë lobeve, por e mbështetur prej tyre.
Le të shohim skenarët e mundshëm që mund të përfundojë kjo sagë vetëshkatërruese e Partisë që u themelua për të rrëzuar komunizmin në Shqipëri.
1 – Basha me procedurë mban Partinë dhe nuk lejon ose nuk njeh mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Kjo do ishte një fitore si e Pirros, pasi foltoret e Berishës po tregojnë që të paktën një pjesë e konsiderueshme e Partisë Demokratike është tashmë kundër tij dhe do e shtonte hemoragjinë që kjo forcë ka përjetuar vit pas viti. Në këto kushte, një parti e cila vetëm 6 muaj më parë nuk arriti të ndalte Ramën si në forma legale ashtu dhe reale në elektorat, do e ketë edhe më të vështirë në zgjedhjet e radhës, ndërkohë që socialistët shtojnë tenderat, PPP-të dhe lidhjet e tyre me botën e nëndheshme të krimit.
2 – Berisha arrin të mbledhë Kuvendin Kombëtar dhe arrin aty qëllimet politike duke shkarkuar Bashën dhe të tijët, duke e kthyer PD-në sërish në një parti më të vogël sesa kjo që është sot. Pavarësisht vendosmërisë së tij dhe frymëzimit që i bën elektoratit të djathtë, do ishte shumë e vështirë të angazhonte elektoratin gri i cili është jetik për të sjellë ndryshim dhe rrotacionin në një vend të kapur me tentakula në të gjitha pjesët e tij nga qeveria Rama dhe socialistët në pushtet.
3 – Palët ulen dhe bëjnë një marrëveshje për të ndalur grykat e zjarrit. Në fund të fundit janë pjesë e të njëjtës familje politike dhe kanë ndarë të njëjtin fat dekadën e fundit. Por kjo gjë do dukej si bjerrje e fortë e moralit që edhe tashmë është në kuotat më të ulëta për Partinë Demokratike.
4 – Lufta të vazhdojë e fortë, por betejën finale palët t’ua lënë në dorë votës duke ndalur akuzat, fyerjet dhe denigrimin e sho-shoqit. Kjo alternativë kërkon që palët ta pranojnë mekanizmin e votës si zgjidhjen e vetme. Në këtë mekanizëm nuk kanë rëndësi emrat, por sistemi i vlerave mbi të cilat mund të ndërtohet opozita e re. Një statut i ri modern me pak pika, por thelbësor. Dhe e vetmja mënyrë që Partia Demokratike të mbijetojë sot është legalizimi i fraksioneve apo korrenteve të ndryshme që operojnë nga qendra deri në të djathtën reale. Secili grupim është i lirë, por edhe i destinuar ti qëndrojë parimeve të shoqërisë për sa kohë të jetë vota dhe rregullat e lojës të qarta dhe të barabarta për të gjithë.
Kushdo që kërkon fitoren absolute në këtë betejë, jo vetëm është i destinuar ta ndajë partinë në dysh dhe të dobësojë në mënyrë të parikthyeshme PD-në, por edhe nëse ja del të jetë triumfator nuk do të arrijë ta kthejë PD-në dhe opozitën në tërësi në nivele sfiduese për të qenë mazhorancë të paktën në zgjedhjet e ardhshme. Duke pasur këtë në mendje dhe patjetër nëse Shqipëria është më e rëndësishme se partia, secili anëtar dhe simpatizant, duhet që mos të udhëhiqet thjesht dhe vetëm nga emocionet pavarësisht se ato janë të paevitueshme, por para së gjithash dhe mbi të gjitha nga arsyeja dhe logjika e shëndoshë. Gjë që duket se palët ndërluftuese e kanë lënë mënjanë në luftën e ethshme për pushtet.