Nga Boldnews.al
Nuk kanë të sosur skandalet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe administratorit të saj Ardian Çela. Teksa vendi është zhytur në errësirë edhe gjatë natës së ndërrimit të viteve, Çela i ka bërë vetes dhe vartësve të tij, një mobilim luksoz të zyrave, që kapin vlerën e 1.3 miliard lekëve.
Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, shoqëria “M. LEZHA” sh.p.k është shpallur fituese si ofertuesja më e suksesshme për kontratën “Mobilim i zyrave të godinës së re të OSHEE” me fond total 129,827,000 lekë (të reja). Dyshime të forta ngrihen edhe për procedurën e tenderimit, pasi në garë ishin vetëm 2 kompani ndërsa 6 të tjera kanë qenë fiktive pasi nuk paraqitën asnjë ofertë. Por si mundet që një kompani e cila hyn në garë për të fituar një tender nuk paraqet asnjë ofertë tek autoriteti kontraktues?!
Ky mobilim i kushtueshëm do të realizohet në një kohë rekord prej 45 ditësh, në mënyrë që Administratori Ardian Çela dhe zyrtarët e tij të rehatohen sa më shpejt të jetë e mundur.
Boldnews.al mëson edhe detajet sesi do të kompletohen zyrat e reja të këtij institucioni, që nga tavolina lluksi, rafte moderne, stola të rehatshëm, kolltuqe vip e deri tek pajisja me kuzhinë për të gatuar. Në fakt është e padëgjuar më parë që një institucion i cili punon me orar zyrtar 08:00-17:00, duhet të pajiset me 7 kuzhina dhe ku shumica prej tyre do të jenë në zyrat e drejtuesve të mëdhenj.
Sipas dokumentave që disponon Boldnews.al, ne kemi arritur të mësojmë sesi do të pajiset edhe zyra e Administratorit të OSHEE, Ardian Çela. Sipas porosisë që pritet të kryhet, Çela do të ketë një kuzhinë në zyrën e tij, disa poltrona modernë, një tavolinë mesi me xham të akullt, një tavolinë personale por që të jetë e rangut drejtues, një panel për izolim akustik si dhe një superkarrige drejtuesi.
I gjithë ky luks i shfrenuar me taksat e qytetarëve shqiptar nuk justifikon lodhjen e drejtuesve të cilët kanë rrogë edhe më të lartë se Presidenti i Shqipërisë. Boldnews.al ka denoncuar më herët se paga e Adminitratorit të OSHEE Ardian Çela shkon deri në 3 milion lekë në muaj kurse sekretarja e tij paguhet 800 mijë në muaj.
Ky shpenzim marramëndës ishte krejtësisht i panevojshëm po t’i shtosh edhe 5 milion euro që u harxhuan për ndërtimin e godinës së re të OSHEE nga një kompani që është pranë qeverisë, EUROCOL.
Gjysma e vendit e kaloi Vitin e Ri në errësirë totale, ndërsa OSHEE raportonte defekte teknike në disa linja tensioni. Edhe për këto linja, ky institucion ka shpenzuar miliona euro për rindërtimin nga e para, por a kanë shkuar në vendin e duhur paratë apo kanë përfunduar në xhepat e oligarkëve dhe klientëve të qeverisë.
Më poshtë disa projekte të mobiljeve për zyrat: