Këshilli i Ministrave ka vendosur sot që Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, ose ndryshe Piramidën t’ia heqë nga pronësia Ministrisë së Kulturës dhe t’ia kalojë Bashkisë së Tiranës.
“Piramida”, sipas këtij vendimi do të përdoret si një qendër shumëfunksionale, për organizim eventesh, ekspozitash dhe aktivitetesh të ngjashme.
Në këtë mënyrë zhfuqizohet vendimi i qeverisë në vitin 1991 për krijimin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës.
Këshilli i Ministrave ngarkon ministrim e Brendshëm, ministren e Kulturës, ministren i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe kryeregjistruesin e Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
“VENDIM
PËR KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E KULTURËS (QENDRA NDËRKOMBËTARE E KULTURËS “ARBNORI”) TE BASHKIA TIRANË, TË PRONËS ME NUMËR PASURIE 1/53, TË NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 8160, ME SIPËRFAQE TRUALLI DHE NDËRTESE 4 294 M², DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.286, DATË 8.8.1991, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E QENDRËS NDËRKOMBËTARE TË KULTURËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, shkronja “d”, 5, 8, 17 e 18, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, të ministrit të Kulturës dhe të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Kulturës (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”) te Bashkia Tiranë, të pronës me numër pasurie 1/53, të ndodhur në zonën kadastrale 8160, me sipërfaqe trualli dhe ndërtese 4 294 (katër mijë e dyqind e nëntëdhjetë e katër) m2, sipas planimetrisë bashkëlidhur, për t’u përdorur si qendër shumëfunksionale për organizimin e eventeve sociale, promovimin e artit, të kulturës dhe të teknologjisë.
2. Pika 2, e vendimit nr.286, datë 8.8.1991, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Kulturës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, kryetari i Bashkisë Tiranë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.