Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), partisë në pushtet në Kosovë, konsiderojnë që dialogu me Serbinë duhet të ketë një rifillim, me parime të vendosura dhe të qarta.
Ky qëndrim vjen pas letrës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku kërkohet që Kosova të fokusohet në normalizimin e raporteve me Serbinë, drejt një marrëveshjeje përfundimtare, e cila kërkon fleksibilitet dhe kompromise të vështira.
Qeveria e Kosovës ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me kërkesën e presidentit Biden.
Albert Krasniqi, hulumtues politikash në organizatën “Demokraci Plus”, vlerëson që Qeveria e Kosovës duhet të trajtojë me prioritet dialogun me Serbinë, pasi që nuk është një çështje që mund të neglizhohet.
Mimoza Kusari-Lila, shefe Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, parti kjo e cila është në pushtet, tha se procesi i dialogut me Serbinë duhet të ketë një rifillim me parime të vendosura dhe sipas saj, për këtë proces duhet të ketë një unitet brenda spektrit politik të Kosovës.
“Është kompetencë e Qeverisë së Kosovës dhe së shpejti pritet që edhe qeveria të prezantojë qëndrimin e saj në raport me dialogun”, tha Kusari – Lila, duke shtuar se kuvendi bashkë me qeverinë, duhet që të arrijnë konsensus edhe me opozitën.
Qeveria po e zvarrit dialogun me Serbinë?
Lidhur me këtë deklaratë të Kusari-Lilës, Albert Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë se qëndrimi për të rifilluar dialogun mund të jetë një përpjekje për të zvarritur edhe më tej si proces, por edhe duke kërkuar që të ndajë përgjegjësinë me partitë tjera.
Qeveria e Kosovës, shton Krasniqi, duhet të trajtojë me prioritet dialogun me Serbinë.
“Ky është një moment që duhet të synojmë që të mbyllim marrëveshjen përfundimtare me Serbinë edhe duke pasur në krye presidentin Biden, një mik të Kosovës”, thotë Krasniqi.
Ndërkaq, duke folur për fleksibilitetin dhe kompromiset që mund të bëjë Kosova në raport me arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, Krasniqi thotë se është e vështirë të përcaktohen vijat se ku mund Kosova të lëshojë pe në raport me atë çfarë ka pranuar deri më tani, si është edhe Pakoja e Ahtisarit.
Por, sipas tij, pika më e nxehtë e kompromisit për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë është çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Tani, ajo që pritet të jetë presion më i madh në drejtim të Qeverisë së Kosovës është pranimi i Asociacionit. Ky është një rrezik potencial, i cili kanoset nga ky proces i dialogut, pasi që është një marrëveshje e arritur dhe na është përsëritur ndërmjet rreshtave që duhet të akomodohet ajo marrëveshje, qoftë duke bërë edhe ndryshime kushtetuese për të realizuar marrëveshjen siç ka qenë në fillim”, thotë Krasniqi.
Opozita kundër kompromiseve
Në një konferencë për media, pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit të mbajtur më 20 prill, shefat e grupeve parlamentare të disa partive politike janë prononcuar në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke komentuar letrën e presidentit Biden.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet të bëjë kompromis që do të cenonte funksionalizmin e saj.
“Në radhë të parë nuk besojmë asnjëherë që SHBA-ja do t’i kërkojë Kosovës të bëjë kompromise që cenojnë funksionalitetin e shtetit tonë. Koordinimi i ngushtë i institucioneve të Kosovës me SHBA-në e shohim si diçka të rëndësishme dhe diçka jetike për Kosovën”, tha Tahiri.
Ndërkaq Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se sa i përket kompromiseve, ato janë bërë në procesin e Ahtisarit dhe në procese të tjera dhe sipas tij, Kosova nuk ka çfarë kompromise të bëjë, përveç njohjes reciproke mes dy shteteve.
“Çështja e dialogut është çështje e qeverisë. Kërkesa jonë në radhë të parë është që qeveria të merret me menaxhimin e pandemisë dhe çështjet që lidhen drejtpërdrejt me sigurimin e vaksinave, që për neve është më e rëndësishmja”, tha Tahiri.
Në anën tjetër, presidentja Osmani përmes një shkrimi në Facebook është përqendruar në ndihmën që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në luftimin e pandemisë, veçanërisht për sigurimin e vaksinave. Megjithatë, Osmani nuk ka komentuar pjesën ku Biden përmend kompromiset që duhen bërë për procesin e normalizimit e raporteve me Serbinë.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se pozicioni i kryeministrit, Albin Kurti, sa i përket dialogut, mbetet i pandryshuar.
Kryeziu më herët, për Radion Evropa e Lirë ka treguar për katër parimet që Kurti ka vendosur për dialogun: Të pranohet realiteti se Kosova është e pavarur; Serbia të pranojë të vërtetën për krimet që ka kryer; Kosova dhe Serbia të jenë palë të barabarta në dialog dhe parimi i katërt, që nga dialogu dhe marrëveshja finale të përfitojnë qytetarët.
Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.
Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje.
Në mesin e marrëveshjeve të arritura është edhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për formimin e së cilës, tashmë ekziston kontesti ndërmjet vetë palëve që e kanë arritur atë./ REL