Nënë e bijë janë aksidentuar sot pasdite nga një automjet në Bulqizë me pasojë vdekjen e të miturës dhe gjendjen kritike të mamasë së saj.
Shqipe Shyti dhe vajza e saj, 10 vjeçe, teksa po ecnin në rrugë janë marrë para nga një makinë që drejtohej nga Zenel Shyti.
Vajza fatkeqësisht ndërroi jetë pak pas aksidentit. Aksidenti i rëndë ndodhi pasditen e sotme rreth orës 18.20, në lagjen e Re, në qytetin e Bulqizës.
Shtetasi Zenel Shyti, duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka aksidentuar dy këmbësore.
“Pas ndihmës së parë në spitalin e Bulqizës, si pasojë e dëmtimeve të marra nga aksidenti ka humbur jetën e mitura rreth 10 vjeçe, ndërsa shtetasja Shqipe Shyti ndodhet për ndihmë mjekësore në spital”, tha policia.
Gruaja është nisur me helikopter drejt Tiranës.
Policia ka nisur hetimin për të zbardhur shkaqet e aksidentit të rëndë.