Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, e nisi betejën kundër përfshirjes së krimit në këto zgjedhje nga një qytet si Elbasanit, i cili njihet si qendër e rëndësishme e krimit të organizuar. Ajo bëri disa paralajmërime të forta edhe ndaj kryetarëve të partive, duke për të kuptuar shqetësimin, se krimi është duke u përfshirë sërish në fushatën elektorale.
Por pak kohë më pas mjaftoi një demonstrim force nga Edi Rama dhe Taulant Balla në ditën e verës në Elbasan, për të parë se paralajmërimet dhe kërcënimet e ambasadores, atyre ju hyjnë nga njëri vesh dhe ju dalin nga tjetri.
Në atë kohë, ne të njëjtën ditë, kryetari i Partisë Ambientaliste, Agron Duka, i cili është renditur i dyti në listën e opozitës së bashkuar për Durrësin, lëshoi një denoncim dhe paralajmërim konkret të fortë. Sipas tij në zonën ku garon, Shijak, gangsterët, bandat dhe njerëzit e krimit kanë dalë hapur në fushatë në krah të Partisë Socialiste.
Ai shtoi, se situata është e njëjtë si në zgjedhjet e kaluara dhe se është e pamundur që të garohet në këto kushte. Madje Duka, që deklaron sistematikisht se nuk ka frikë nga asgjë, paralajmëroi se nëse vazhdon kjo situatë, ai nuk ka pse e vazhdon garën!
Tani imagjinojeni vetë se deri ku ka shkuar puna me gangsterët e Rilindjes, përderisa rrezikon që të dorëzohet para tyre edhe vetë Agron Duka dhe pikërisht në zonën e tij tradicionale ku ka përkrahje masive!
Sot vetëm 1 javë nga dita kur shqiptarët do tu drejtohen kutive të votimit, ambasadorja Kim duket se është dorëzuar për çështjen e kandidatëve dhe ka disa kohë që i drejtohet vetëm popullit për të ndërhyrë në lënien jashtë të krimit nga parlamenti dhe të distancohet nga shit-blerja e votës.
Kurse Agron Duka nuk është tërhequr por vazhdon të denoncojë shtabet me kriminelë, që po mbledhin vota në emër të PS-së…
Duket se po shohim të njëjtin film, me të njëjtit personazhe, por me ngjyra të tjera.
Se çfarë ndodhi për sa i përket ndërhyrjes së krimit në zgjedhjet e vitit 2017 jo vetëm shqiptarët, por e gjithë Europa e mësoi pas publikimeve të gazetës më të madhe në kontinent, BILD.
Aktualisht Edi Rama ka nisur të bëjë një fushatë bulliste dhe denigruese ndaj kandidatëve të opozitës, dhe të gjithë po merren me analizën etike të tij.
Por ndërkohë që Rama publikisht e ka devijuar debatin te përçarja e opozitës duke i shkruar “letra dashurie” Lulzim Bashës, te rakia e Dash Shehit apo te pulat e Agron Dukës, ujqërit e tij të krimit kanë dalë në gjueti për vota.
Plani i Edi Ramës për të rikonfirmuar organizatën e tij në pushtet edhe 4 vite të tjera, e mandej deri në vitin 2030, pavarësisht dështimeve spektakolare në çdo fushë të qeverisjes, duket se nuk është i bazuar thjesht në dëshirë.
Ky plan tashmë në kulmin e zbatimit të tij, është i disa-fishtë!
Përveç mos lejimit të daljes në bllok nëpërmjet koalicioneve të opozitës së bashkuar në këto zgjedhje, shantazhimit të administratës dhe propagandës së shfrenuar me paratë e buxhetit të shtetit, ai shtrihet edhe në dimensionin kriminal.
Rama po synon që të kryejë një rikthim të skemës së bashkëpunimit me krimin, e përdorur kjo edhe në fushatat e viteve 2013 dhe 2017.
Por këtë herë skema është sofistikuar në pamje të parë, pasi ka si pengesë Ligjin për Dekriminalizimin dhe veçanërisht investimin e hapur dhe të fuqishëm të ndërkombëtarëve dhe veçanërisht ambasadës amerikane, për të vëzhguar dhe paralajmëruar, edhe duke tejkaluar retorikën diplomatike.
Në skemën e parë që e solli në pushtet në vitin 2013, përfaqësuesit e krimit, Edi Rama, i futi në parlament dhe i bëri kryetar bashkish. Pa llogaritur katapultimet në administratën shtetërore, e cila u kthye në një çerdhe të të dënuarve jashtë vendit për trafik e vepra të tjera penale.
Gjithashtu një pjesë të krimit, ai e shpërbleu dhe e fuqizoi nëpërmjet tenderave dhe punëve publike.
Për zgjedhjet e vitit 2017 iu dha bonusin e madh, duke e shndërruar Shqipërinë në vitet 2015-2016 në një parajsë të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe shndërrimin e vendit në një bazë të ndërkombëtare të kokainës dhe heroinës drejt Europës. Sot ato miliarda e të tjera, po i shohim nëpër PPP e kulla gjigante. Një pjesë të tyre, të zeza a të bardha qofshin, do të shpërndahen për blerje kokë më kokë të votës.
Tani vetëm 10 ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit, faktet që vijnë nga gjithë Shqipëria tregojnë se tashmë Edi Rama dhe levat e tij e kanë përmbyllur një aleancë të re me krimin e të gjitha llojeve.
Nëse shihni me kujdes listat jo vetëm në Durrës, por në të gjithë vendit, “niçet” ia kanë dalë që të fusin përfaqësuesit e tyre në vende të sigurta. Nuk ka nevojë për analizë kjo gjë, mjafton që me listat në duar të shkoni qytet më qytet më qytet e fshat më fshat dhe jua tregojnë njerëzit e thjeshtë, se i kujt është njëri e i kujt është tjetri.
Ndaj përveç shtabeve elektorale të Partisë Socialiste, atyre të biznesmenëve që kanë bërë miliona nëpërmjet punëve me shtetin, në lojë janë futur edhe shtabet elektorale që kanë dalë nga ‘Operacioni Forca e Ligjit’. Si koordinatorë të të gjithëve janë emëruar dinosaurët e Rilindjes; ministra e drejtorë të fuqishëm, të cilët kanë vënë shumë dhjamë gjatë këtyre 8 viteve.
Edi Rama i ka vendosur jo më kot, në zonën e mbijetesës. Dihet se kushdo që gjendet në një situatë mbijetese, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse pragmatizmit ekstrem.
Kjo do të thotë që ata janë të detyruar që të bashkëpunojnë me çfarëdolloj ujku tjetër që shpreson të mbijetojë nga ndëshkimi penal dhe të shpëtojë pasurinë, nëse fiton sërish Partia Socialiste.
Ky operacion u parapri herët nga një truk i Edi Ramës, i cili bëri sikur po i hapte luftë prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin. I quajti ‘Kap ça të kapësh’, por në fakt vetëm në retorikë.
Gjithsesi mbi këtë fabul kaloi një ligj për ‘OFL’ në dhe me shpejtësi nisi të dërgojë policinë nëpër çdo qytet e zonë të Shqipërisë, për të trokitur në dyert e të dënuarve më herët brenda dhe jashtë vendit. Listat janë gati, ndërkohë që pasuria e tyre rri në ajër.
Nëse në skemën e parë për të marrë pushtet i futi përfaqësuesit kryesorë të krimit në parlament, pushtet lokal dhe në administratën e lartë, këtë herë ka zgjedhur që ti vendosë nën rresht për këto zgjedhjet pasi i ka shantazhuar me pasurinë, por siç e thamë më lartë edhe duke ju vendosur nëpër lista, “përfaqësues më të pranueshëm” dhe “me letra të pastra”.
Dhe në fakt ia ka dalë. Shumë histori do të dëgjoni në ditët në vazhdim me të fortë apo trafikant të mëdhenj të drogës, të cilët po i vendosin njerëzit nëpër të gjitha qytetet dhe zonat rurale të vendit përpara një zgjedhje të panegociueshme: Ose votën për Edi Ramën dhe njerëzit e tij, me dëshirë apo me para, ose përndryshe keni punë me ne!
Të gjithë këta kontigjente të botës së krimit që në shumicën e rasteve janë edhe biznesmenë e po mbahen nën tension permanent, përbëjnë shtabet elektorale ‘në hije’ të Rilindjes që do të garantojnë një pjesë të mirë të votave në zgjedhjet e këtij viti.
Se çfarë është i aftë që të bëjë Edi Rama për të mos ikur më nga pushteti, e tregoi edhe skandali i fundit me marrjen dhe përdorimin e të dhënave personale të miliona shqiptarëve në Tiranë dhe në të gjithë vendin.
Një parti-shtet që tani po na kontrollon jo vetëm votëm, por edhe jetën! /Syri.net/