Nga Boldnews.al
Burime konfidenciale për Boldnews.al konfirmojnë se kryeministri Edi Rama ka anulluar një vizitë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pritej të nisej të mërkurën rreth orës 15:00. Ai ishte i ftuar në konventën e demokratëve, ku do të merrte pjesë në ceremoninë e fitores nëse në krye të Shtëpisë së Bardhë do të zgjidhej demokratja Hillary Clinton.
Këshilltarët për Media pranë kryeministrisë, kanë raportuar jo zyrtarisht se vizita e anulluar ishte për shkak të gjendjes së emergjencës së motit të keq në Shqipëri. Sipas tyre, kryeministri nuk do të udhëtonte drejt SHBA-së për shkak të fatkeqësisë që ka prekur disa zona të vendit nga përmbytjet, me pasojë edhe viktima. Vizita pritet të relizohet në një moment të dytë.
Por burime konfindenciale bëjnë me dije për Boldnews.al, se kryeministri Rama ka vendosur të mos shkoj në SHBA, pas fitores së Donald Trump. Kjo edhe për shkak të një gafe të rëndë diplomatike të shkaktuar nga kryeministri i Shqipërisë, i cili kishte thënë në një intervistë për prestigjozen CNN, se fitorja e Trump do të dëmtonte botën demokratike.
“Larg qoftë! Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-në dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike. Shpresoj që ai të jetë në gjendje të mësojë më shumë mbi botën, të mësojë më shumë mbi myslimanët, të mësojë më shumë se si ka shumë njerëz, që pavarësisht besimit apo etnisë së tyre, jetojnë me krenari me vlerat që Amerika.” – shprehej me kompetencë kryeministri Rama.
Por në fakt, kjo deklaratë e Ramës ishte më tepër e qëllimshme sesa e nxituar. Ai tentoi të rreshtohej madje edhe të kapërcejë liderët europian të cilët mbështetën Hillary Clinton. Kjo lojë e mirëmenduar e kryeministrit shqiptar me deklaratat e tij shokuese kishin për qëllim që të tërhiqnin edhe vëmendjen e presidentit Barack Obama. Rama artikuloi për herë të parë këtë gafë diplomatike në Shqipëri, një javë përpara se të takohej me Obamën. Ai doli në emisionin “Zona e Debatit” të Baton Haxhiut dhe bëri një urim: “Mos e dashtë Zoti që Amerika të zgjedhë Donald Trump.”
E njëjta fabul u përsërit edhe tek Zëri i Amerikës gjatë një interviste në Uashington. Rama pohoi sërisht: “Unë besoj që ata të cilët në Shqipëri zgjedhin Trumpin përpara meje, pavarësisht diferencave që kanë me mua, janë për t’u mëshiruar. Unë midis Lulzim Bashës dhe Trumpit zgjedh gjithmonë Lulzim Bashën.”
Megjithatë kryeministri Rama duket se e ka kuptuar gabimin, pasi që sot ka nisur tërheqjen e nga deklaratat anti-Trump, duke dalë në një konferencë të posaçme për shtyp për të sqaruar qëndrimin e tij.
“Sot ai është zgjedhur nga populli sovran për të udhëhequr SHBA dhe respekti im si kryeministër i vendit dhe yni si qytetarë të vendit, për popullin, qeverinë amerikane presidentin si mishërim i vullnetit të sovranit dhe aleanca jonë as që vihet në diskutim. “- shprehej i penduar Rama.
Ndërkohë kreu i qeverisë shqiptare në javët në vijim do të zhvilloj një vizitë në New York, pasi do të hapë një eksopozitë personale me pikturat e tij, në galerinë “Marian Goodman”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 11 nëntor deri më 23 dhjetor të këtij viti.