Protesta e zhvilluar këtë të enjte para Parlamentit të Shqipërisë ka marrë vëmendjen edhe të medias italiane “L’Espresso”, e cila e përshkruan situatën si “kapitullin e fundit” të një lëvizjeje që vijon prej gati dy muajsh në vend.
“Vezë kundër ujit me presion dhe gaz lotsjellës para Parlamentit të Tiranës”, shkruan media italiane, duke iu referuar përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë gjatë tubimit të 23 korrikut, krahas një fotoalbumi.
Sipas “L’Espresso”, nga kjo lëvizje ka lindur edhe ajo që është quajtur “revolucioni i flamingove”, ku prej javësh mijëra qytetarë mblidhen në Tiranë duke kërkuar ndalimin e projektit në Zvërnec, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas artikullit, përveç shqetësimeve mjedisore, protestuesit kanë ngritur edhe akuza për korrupsion. “L’Espresso” thekson se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion në Shqipëri po heton dyshimet për dokumente pronësie të falsifikuara mbi tokat që i janë kaluar zhvilluesve të projektit.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij dhe qeverisë. Sipas medias italiane, Rama i ka cilësuar protestat si “artificiale”, të nxitura nga kundërshtarët politikë, ndërsa i ka përshkruar ato si një “luftë hibride”.
Megjithatë, “L’Espresso”, shkruan se tensionet nuk po zbehen dhe situata po ndikon edhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.














