Kreu i PD, Lulzim Basha i ka bërë sërish thirrje kryeministrit Rama që të zbatojë planin e PD për të vënë në dispozicion spitalet rajonale për të trajtuar pacientët e infektuar me Covid.
Në një deklaratë për mediat, Basha tha se nuk i shkon ndër mend që të shohë Ramën si kundërshtar politik në një situatë të tillë, por i sugjeron të rrisë testimet e të hapë spitalet duke i pajisur me mjete oksigjenimi, infermierë dhe mjekë.
“Numri i testimeve duhet të jetë 10 fishi i infektimeve. Nëse ke pasur 700 të infektuar, të nesërmen duhet të kesh 7000 infektuar. 10% e të infektuarve për një javë përfundojnë në spitale. Pajisja e spitaleve jo vetëm me shtretër se nuk janë hotele por me pajisje e mjaftueshme të oksigjenimit me mjekët dhe infermierët.
Nuk ka zgjidhje vecse asaj që kemi 6 muaj që e kërkojmë, vënien në dispozicion të spitaleve rajonale. Prandaj po them edhe njëherë që është e domodoshme të veprohet urgjentisht me një plan, jo kuturu duke thënë një gjë sot, një nesër.
Dje tha shkollat nuk janë vatër e nxehtë, sot vendosi mbylljen e pjesshme. Duhet një qeveri e përgjegjshme, e cila lë gjithcka sekondare.
A-ja e planit janë testimit, B-ja e planit janë pajisjet e diagnostikimit dhe trajtimit të pacientëve. Pjesa tjetër ka të bëjë me ekonominë. Njerëzit janë bërë të flasin me vete për cmimet e larta dhe kjo nuk mund të luftohet me masa gjysmake dhe të marra kuturu. Nëse nuk keni plan, merrni përgjegjësinë një orë e më parë. Nuk më shkon mendja kurrë që këto momente të vështira të kem parasysh kundërshtarin politik, por atë që merr vendime.
Morëm vetëm refuzime dhe tallje. Sa jetë do ishin shpëtuar nëse do ishin marrë masat dhe paratë do ishin përdorur për prioritetet kryesore. Qeveria dhe Edi Rama nuk kanë plan”, tha Basha.