Kolegji i Posaçëm i Apelimit vlerëson se ish-prokurori Artan Bajrami ka kryer deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme të pasurisë, por jo deklarim të rremë siç vlerësonte KPK. Kolegji arsyeton se shkalla e parë nuk ka argumentuar disa prej gjetjeve, por vendimi i shkarkimit mbeti në fuqi.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit la në fuqi më 3 korrik 2020 shkarkimin nga detyra të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, Artan Bajrami, ndonëse rrëzoi disa prej arsyetimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Çështja e Bajramit shkoi përpara Kolegjit pas ankimit të tij kundër konkluzionit të KPK-së se kishte kryer deklarim të rremë në lidhje me blerjen e një apartamenti 111 m2 në Tiranë. Bajrami pretendoi gjithashtu se i ishte cenuar e drejta për të pasur një proces të rregullt ligjor si dhe e konsideroi të pasaktë vlerësimin e Komisionit mbi një detyrim ndaj një shoqërie ndërtimi për porositjen e një apartamenti në Kavajë.
Ankimi i ish-prokurorit Artan Bajrami u shqyrtua në Kolegj nga trupa e kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Ina Ramën, Luan Dacin dhe Sokol Çomon.
Pasi ka shqyrtuar çështjen, trupa gjykuese e Kolegjit arsyeton se me deklarimet e tij periodike si dhe me deklaratën veting, prokurori Bajrami ka krijuar një situatë kaotike për mënyrën e krijimit të apartamentit në Tiranë.
Sipas Kolegjit, është e pamundur të identifikohet situata faktike lidhur me krijimin e kësaj pasurie si dhe identifikimi i burimeve financiare, mbi bazën e të cilave do mund të kryhej kontrolli dhe vlerësimi.
“Pranimi nga ana e subjektit të rivlerësimit në shpjegimet e tij ndaj rezultateve të hetimit, të gjetjeve të Komisionit lidhur me pasaktësitë e evidentuara dhe pretendimi se deklarimi në deklaratën e pasurisë vetting lidhur me burimin e krijimit të pasurisë objekt analize është thjesht një pakujdesi, vlerësohet nga trupi gjykues si një pretendim i papranueshëm,” thuhet në vendim.
Duke vlerësuar se deklarimi i subjekteve shërben për bazën nga duhet të fillojë procedura e verifikimit për pasuritë, Kolegji arsyeton se si pasojë e deklarimeve kontradiktore të subjektit të rivlerësimit dhe pranimit të pasaktësive nga vetë ai, ka qenë e pamundur që të verifikohet situata faktike e pasurisë në fjalë.
Kolegji vlerëson se në këto kushte, është në pamundësi objektive për të kontrolluar ligjshmërinë e burimeve që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë, por ndryshe nga Komisioni, KPA arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk është në kushtet e deklarimit të rremë, por atij të pasaktë.
Sipas Kolegjit, Komisioni nuk ka arsyetuar se përse deklarime të vërteta mund të jenë ato të bëra në deklaratën fillestare të vitit 2003 dhe jo ato në deklaratën “veting”.
“Për sa kohë vetë subjekti i rivlerësimit ka dhënë shpjegime të pasakta dhe kontradiktore, Kolegji vlerëson se institucionet e rivlerësimit e kanë të pamundur të dallojnë se cili deklarim është i vërtetë dhe cili nga deklarimet është i pavërtetë,” thuhet në vendim.
Gjithashtu, Kolegji vlerëson se është e pamundur të identifikohet se cili ka qenë shkaku i vërtetë që e ka detyruar subjektin e rivlerësimit për të mos respektuar kërkesat urdhëruese të ligjit për të deklaruar saktësisht dhe plotësisht pasuritë e tij. Bazuar edhe në deklarimet dhe qëndrimet e Bajramit gjatë procesit të rivlerësimit, KPA çmon se pasaktësitë e bëjnë deklarimin e tij të pamjaftueshëm.
Kolegji ka rrëzuar pretendimin e Bajramit për cënim të standardit të procesit të rregullt ligjor për shkak të moskalimit të barrës së provës nga ana e Komisionit për deklarimin e rremë, edhe pse i jep të drejtë pjesërisht.
“…Trupi gjykues çmon se me të drejtë subjekti i rivlerësimit duhet të njihej me çdo kualifikim që u ka bërë Komisioni fakteve juridike lidhur me deklarimet, të cilat sjellin efekte ligjore në të drejtat e tij,” argumenton KPA.
Por duke u bazuar në konkluzionin e arritur, se Bajrami nuk gjendet në kushtet e deklarimit të rremë, Kolegji çmon se moskalimi nga Komisioni i barrës së provës për këtë konkluzion nuk e ka cënuar procesin e rivlerësimit. Nisur nga ky arsyetim, trupi gjykues e gjen ankimin të pabazuar.
Kolegji evidenton mangësi të arsyetimit të Komisionit edhe lidhur me likujdimin e pjesshëm të një apartamenti në Kavajë. Subjekti i rivlerësimit pretendon në ankim se ka dhënë shpjegime të sakta për arsyen e mospagimit të shumës prej 10 mijë eurosh, pasi pasuria nuk është regjistruar ende në pronësi të tij dhe nuk ka detyrimin të paguajë çmimin e plotë.
Lidhur me këtë shkak të ankimit, trupi gjykues konstaton se Komisioni në arsyetimin e vendimit nuk ka treguar se çfarë pasoje ligjore sjell në procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit Artan Bajrami kjo gjetje. “…Për këtë fakt, nuk rezulton të jetë bërë asnjë analizë ligjore, si pasojë e së cilës subjektit t’i atribuohet ndonjë shkak konkret për dhënie ndaj tij të masës disiplinore,” konkludon Kolegji.
Për shkak të versioneve të ndryshme të dhëna nga Bajramaj, lidhur me përdorimin e një prej burimeve të deklaruara për krijimin e kësaj pasurie, Kolegji vlerëson se edhe në këtë rast subjekti është në kushtet e deklarimit të pasaktë.
Ashtu si për apartamentin e blerë në Tiranë, edhe për banesën në Kavajë, Kolegji çmon se është e pamundur të arrihet në një konkluzion të qartë dhe bindës se cilat janë deklarimet e subjektit të rivlerësimit që përputhen me situatën e vërtetë faktike lidhur me krijimin e kësaj pasurie.
Gjithashtu, trupi gjykues vlerëson se deklarimet dhe qëndrimi i Bajramit gjatë procesit të rivlerësimit e bëjnë të pamundur kryerjen e kontrollit lidhur me këtë pasuri dhe konkludon se subjekti ka kryer deklarimin të pamjaftueshëm.
Kolegji i ka rrëzuar edhe shkaqet e tjera të ngritura nga subjekti duke i cilësuar si pretendime të paprovuara. /BIRN/
Tre shtëpi 200 mln lekë, vetëm me rroga shteti, rasti “kurioz” i prokurorit Artan Bajrami
Artan Bajrami përballë KPK, ngrihen dyshime për pasurinë/ Ja ç’thotë raporti…