Me propozimin e PS-së, duket se asgjë nuk ka ndryshuar nga sistemi i vjetër, pasi mandati nuk varet nga vota preferenciale në ditën e votimit, por sipas renditjes që është bërë më parë. Zgjedhësit mund të votojnë atë që duan, por mandatin e merr ai që preferon kryetari. Gazeta MAPO bën një përllogaritje në bazë të rezultateve të 2017-ës, se sa vota duhen në çdo qark për secilin kandidat poshtë vijës fituese të listës që të marrë mandatin. Ekspertët: Rama gjithçka e bëri për të mbrojtur kupolën e Rilindjes dhe hequr koalicionet parazgjedhore.
Lufta që bëri Edi Rama, ndryshimet kushtetuese duket se s’ka pasur qëllim në vetvete garën e ndershme për listat e hapura, por vetëm një pretekst për të ndaluar koalicionet parazgjedhore. Të paktën, kjo kuptohet nga mënyra se si e koncepton PS këtë proces në draftin e propozuar dhe të paraqitur në Këshillin Politik. Nga një vështrim që i bëhet ligjit, del qartë se më shumë rëndësi në fletën e votimit dhe në nxjerrjen e rezultatit do ketë renditja në lista e kandidatëve sipas oreksit të kryetarit, se sa numri i votave që ata do marrin për çdo qark. Edi Rama, përkundër asaj që thotë ruan të njëjtat pozita si në vitin 2017. Shkurt, nuk ka rëndësi se për kë voton qytetari, por rëndësi ka se kë përzgjedh kryetari i partisë.
Të hapura por të mbyllura
Gara që të bëhej e ndershme, duhej të ishte me lista të hapura 100% dhe me renditje sipas rendit alfabetik. Pra, mandatin do e fitonte ai që do merrte më shumë vota në rang qarku, pavarësisht renditjes në listë. Këtë gjë Rama e ka shmangur, dhe ka lënë në fuqi sistemin e vjetër të listave të mbyllura. Pra, për ta thënë më shkoqur. Në propozimin e PS, mandatin e fiton ai që renditet ndër të parët, duke përjashtuar ndonjë rast kur një kandidat poshtë vijës së fitores ka arritur numrin e votave që duhen në rang qarku për të marrë mandatin.
Për ta thënë më qartë, në rast se në Durrës fjala vjen, herësi apo mesatarja e votave që duhen për të marrë një mandat duke iu referuar votimeve të vitit 2017 ka qenë 10753 vota nga 73.066 votues që votuan këtë forcë politike, atëherë PS duhet të marrë 7 mandate (për shkak të sistemit ajo fitoi 8 megjithëse 73 mijë vota mjaftonin vetëm për 6,7 mandate). Pra mjafton që të ta ketë emrin në krye të listës së propozuar nga Rama, dhe pse mund të ketë marrë në emrin e tij fjala vjen vetëm 500 vota, atëherë kandidati që është brenda vijës fituese përfiton mandat, dhe pse ai i renditur i 8-ti apo i 9-ti në listë mund të ketë marrë 8 apo 10 mijë vota mbetet jashtë, sepse nuk ka plotësuar herësin.
Lista e fituesit ndryshon vetëm nëse ndonjë prej kandidatëve, poshtë vijës së fitores ka marrë numrin e nevojshëm të votave, duke zbritur nga zona e fituesit numrin shtatë të listës. Por në rast se ka marrë qoftë dhe 100 vota më pak atëherë fitues është ai që ka përcaktuar kryetari dhe jo ai që ka marrë votat e zgjedhësve. Në fakt sistemi i mbyllur ishte më i ndershëm pasi të paktën ai që ishte jashtë vijës fituese nuk e dinte numrin e votave që kish hedhur në thesin e partisë.
Pandershmëria e sistemit
Ekspertët e zgjedhjeve, shprehen se kjo është mënyra më e pandershme, që ofron ky sistem. Ata shprehen se sërish forca mbetet në dorën e kryetarëve të partisë dhe jo të votës, siç u mundua ta proklamonte Rama. Zgjidhja ideale sipas tyre do ishte renditja sipas numrit të votave që ka marrë secili kandidat, pasi arritja e herësit apo mesatares në çdo qark është shumë e vështirë për t’u arritur, madje dhe nga vetë Rama.
Kjo sepse, në të shumtën e rasteve, zgjedhësi ose voton vetëm subjektin, ose voton emrin e tij të preferuar. Numrin e duhur të votave për të hyrë në listën fituese siç e propozon Rama, e kanë të vështirë ta kalojnë dhe vetë kryetarët. Po t’i referohemi sistemit mazhoritar të para 15 viteve, mandati në zonë direkt fitohej zakonisht me 6 mijë apo 7 mijë për çdo kandidat. Shumë prej 12 apo 13 mijë votash ishte shumatorja në zgjedhje për të gjithë kandidatët. Fjala vjen, në zonën Kavajë dhe një pjesë të Rrogozhinës, ku Edi Rama ka lënë si drejtuese politike Elisa Spiropalin, ose zona 48 në vitin 2005 regjistroheshin 8 kandidatë. Në zgjedhje morën pjesë 12 mijë nga 28 mijë votues në lista.
Sali Berisha, njeriu më i votuar në rang vendi në atë kohë arriti të merrte 7419 vota ose 61%. Është e vërtetë se sot votohet në rang qarku, por ky është një shembull për të kuptuar më qartë se sa e vështirë është që në qarkun e Tiranës të arrish të marrësh 12106 vota siç kërkon PS që të arrish të zëvendësosh një prej atyre që janë në listën fituese. Kjo mund të ndodhë në të 11 qarqet 2 apo 3 herë në mënyrë aksidentale.
Listat 100% të hapura
Por çfarë do ndodhte në rast se listat do hapeshin 100% dhe me rend alfabetik për të cilin është shprehur opozita, dhe u mbështet dhe nga deputetja Rudina Hajdari. Ekspertët e zgjedhjeve shprehen se në këtë rast do vlerësohej integriteti dhe figura e gjithsecilit, madje mund të ndodhte që edhe vetë kryetarët të merrnin më pak vota se dikush tjetër që është në listë por është i preferuar nga elektorati. Por gjithsesi, sipas tyre duke u bazuar në numrin e votave gjithsecili prej tyre në rang qarku do e kishte të vështirë të merrte numrin që kërkohet për mandat. “Çfarë motivi do kishin fjala vjen votuesit e PS-së, ku nga 35 emra në listën e Tiranës të shkonin të votonin 12 mijë prej tyre Elisa Spiropalin.
Po në Elbasan, nga 14 emra në listë, përse duhet të shkojnë të votojnë Taulant Ballën, që ky e ka vënë të deleguarin e qarkut, apo në Shkodër me Ilir Beqajn, ose qoftë dhe në Durrës që ka 14 deputetë, përse 10 mijë prej tyre do shkojnë të votojnë Edi Ramën, kur ata mund të kenë njerëz që i njohin nga afër, ose i kanë ndihmuar për një problem të caktuar. Edi Rama me këtë kërkon që të ruajë enturazhin e tij politik nga ndonjë surprizë e pakëndshme, por synimi kryesor ishte zhbërja e koalicioneve, dhe asgjë tjetër” shprehen për MAPO ekspertët që preferojnë të ruajnë anonimatin.
Vetëm pak ditë më parë, Rama emëroi të deleguarit e qarqeve ku në gati 90% të tyre janë njerëz të përfolur për korrupsion dhe me kredite të ulëta në elektorat. Vetë Rama, preferoi të ndërronte zonën e tij elektorale dhe të shkonte në Durrës, por a do ketë më guxim ta vendosë veten jashtë vijës së fitores, siç veproi në rastin e Vlorës ku ishte i gjashti në listë. Kjo mbetet për t’u parë.
Pragu 3% pse Murrizi dhe të tjerët që propozuan hapjen e listave ngelen pa mandat
Por e pakuptimtë në këtë rast duket dhe heshtja e Muslim Murrizit, deputeti që nuk pranoi të dorëzonte mandatin dhe një nga flamurtarët më të mëdhenj të ndryshimit të listave. Duke parë ndryshimet kushtetuese që i janë bërë Kushtetutës dhe pritet të implementohen në kod, duket se ai është nga të humburit më të mëdhenj. Kjo sepse në bazë të rregullave të rinj, deputetit dhe atyre që e mbështesin i duhen 3 për qind në rang kombëtar që të fillojë shpërndarjen e mandateve. Pra, pavarësisht se Murrizi apo ndonjë tjetër mund të marrin votat që i duhen në qarkun ku do kandidojë, në Fier në bazë të rezultatit të 2017 duhen 11606 vota, ai sërish nuk mund të përfitojë mandate.
Kjo sepse që të bëhet pjesë e subjekteve që përfitojnë mandat, i duhet të marrë rreth 48-50 mijë vota në rang vendi. Dhe në rast se nuk janë në ndonjë koalicion do e kenë shumë të vështirë ta arrijnë këtë synim. Me PD dhe partitë opozitare kjo s’ka gjasa të ndodhë. Po t’i hedhim një sy tabelës se zgjedhjeve të kaluara ku shumë subjekte garuan më vete atëherë do shohim se dy janë forcat që e kanë kaluar këtë prag, por që në atë kohë garuan më vete. LSI me 225 mijë vota ose 14,28 për qind dhe PDIU me 76 mijë vota ose 4.81 për qind.
Këtë prag madje nuk mundi ta kalonte as partia e Ben Blushit, që aso kohe kishte një lloj pritshmërie. Në rang vendi ajo mori vetëm 1.25 % të votave. Por jashtë shpërndarjes së mandateve rrezikon të mbetet dhe Tom Doshi në rast se përsëritet skema e 2017-ës. PSD që ai përfaqëson tashmë në zgjedhjet e atij viti mori diçka më shumë se 14 mijë vota në rang vendi, ku 13 mijë vota ai i mori në qarkun e Shkodrës ku përfitoi dhe mandatin. Pra, është shumë larg shumatores prej 3% që duhet me sistemin e ri, dhe në rast se nuk futet në listat e PS-së atëherë rrezikon të mbetet pa mandat.
E vështirë, beteja bëhet dhe për Bindjen Demokratike të Astrit Patozit, e cila në zgjedhjet e qershorit 2019 nuk arriti të merrte më shumë se 20 mijë vota pavarësisht faktit se PD dhe partitë e tjera opozitare nuk merrnin pjesë. Dhe kjo forcë politikë është larg numrit të kërkuar për t’u marrë në shqyrtim nga KQZ në lidhje me përllogaritjen e mandateve.
Votat që duhet të marrin kandidatët që s’janë të preferuarit e kryetarit në çdo qark
Berat
85 374 votues 5 mandate 12186 vota për mandat
Dibër
73702 votues 4 mandate 14740 vota për mandat
Durrës
150553 votues 14 mandate 10753 vota për mandat
Elbasan
166 551 votues 14 mandate 11105 vota për mandat
Fier
185698 votues 16 mandate 11606 vota për mandate
Gjirokastër
55337 votues 5 mandate 11067 vota për mandate
Korçë
132465 votues 11 mandate 12042 vota për mandat
Kukës
42837 votues 3 mandate 14279 vota për mandate
Lezhë
74568 votues 7 mandate 10655 vota për mandate
Shkodër
112400 votues 11 mandate 11240 vota për mandate
Tiranë
423717 votues 35 mandate 12106 vota për mandate
Vlorë
100760 votues 12 mandate 9230 vota për mandat /Mapo/