Nga Boldnews.al
Ai është i përhershmi në pushtet. Për 30 vite me radhë Milo Gjykanoviç ka drejtur Malin e Zi si në qeveri ashtu edhe në presidencë, duke kontrolluar gjithçka në duart e tij. Tre dekada një personazh dhe një Mal i Zi që sot kërkon ndryshim dhe ku komuniteti i madh shqiptar atje gjithnjë ka qenë i shtypur, i asimiluar dhe i lënë poasdore nga çdo investim madhor i qeverisë së drejtuar nga Gjukanoviç.
Por ndërsa ditën e djeshme aty u mbajtën zgjedhjet në mënyrë të bëftë Dritan Abazi (Abazovic’) fiton mandatin e deputetit jashtë kualicionit të liderit Gjykanoviç dhe gjithashtu edhe jashtë partive opozitare atje. Ai sot është njeriu më i rëndësishëm, pasi vota e tij do të përcaktojë nga do të anojë pushteti.
Mjaft iteresante ishte thirrja e kryeministrit Edi Rama i cili iu drejtua partive politike shqiptare, por edhe elektoratit atje të votonin pro koalicionit me Gjukanoviç.
“Vëllezër e motra, përfshihuni, përfshihuni, përfshihuni dhe të dielën dilni nga shtëpia për të mbështetur Listën Shqiptare dhe mbrojtur e forcuar partneritetin strategjik me Presidentin Gjukanoviç, për një Mal të Zi pro-perendimor e demokratik”.
Në fakt shqiptarët dolën masivisht, por kjo çoriditje që u erdhi nga ndërhyrja nga Tirana Zyrtare ishte e tepërt. Votat e shqiptarëve nuk u kanalizuan në një drejtim që të bëheshin faktor i rëndësishëm, por u shpërndanë edhe nga ndikimi i Ramës, që këtë herë donte ti bënte nderin të singjashmit Gjukanoviç.
Gjukanoviç nuk arriti të siguronte fitoren e padiskutueshme, duke e detyruar të kërkojë patjetër të paktën një votë të shqiptarit dhe kjo situatë ka “tërbuar” fort edhe ministren Elisa Spiropali, e cila duke qëmtuar gjatë në rrjetet sociale duket se është ndjerë keq nga kritikat masive që vinin në drejtim të kryeministrit Edi Rama.
“Janë gati të brohorasin fitore për nacionalistët pro-serbë, pro-rusë, anti-perëndimorë, vetëm për inat të Kryeministrit shqiptar. O të mjerë, nuk ua ka fajin Milo, që me këto mend e me këtë pashpirtësi, me pushtetin nuk putheni dot as sot as mot”, thekson Spiropali.
Është trishtim që pas 30 vitesh qëndrim në politikë të një personazhi të shumëpërfolur për afera dhe marifete ekstra politikë, edhe kundër shqiptarëve, të marrë këtë mbështetje nga kryeministri ynë. Nuk ka qoftë edhe një deklaratë apo qëndrim të vetëm publik që Rama të ketë kërkuar zyrtarisht më shumë të drejta për shqiptarët që jetojnë në Malin e Zi.
Shpopullimet, asimilimi i dirigjuar në Beograd dhe i vënë në zbatim në Mal të Zi për të “zhdukur” deri në gjenezë botën shqiptare atje, kanë qenë politika të përhershme, por për këtë Rama kurrë nuk ka folur. Edhe në mesazhin e gjatë të dhënë për Shqiptarët e Malit të Zi, pak orë para zgjedhjeve thonte se ka probleme, por ato duhet të zgjidhen nën suazën e Gjukanoviç.
Fakti që shqiptarët nuk iu përgjigjën masivisht thirrjes së tij ka bërë që kryeministri ynë të paktën të nisë të besojë se po humb çdo kredo, brenda dhe jashtë kufijve të shqipërisë, si në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, apo Mal të Zi. Për nga vitet në pushtet Rama po i afrohet “mikut Milo” pasi ka që nga viti 1998 në pushtet si ministër, më pas si kryetar bashkie dhe tashmë prej afër tetë vitesh si kryeministër.