Kreu demokrat, Lulzim Basha, i ka drejtuar një apel Qeverisë që të ndërpresë pagesat për tendera dhe koncesione të panevojshën.
Basha tha se sot Kosova jep për krizën 3 herë më shumë para se Shqipëria, megjithëse ka më pak banorë.
“Për fat të keq kemi humbur tre javë. Propozimi ynë për paketën ekonomike daton më 11 mars. Kemi humbur 3 javë të vlefshme dhe akoma nuk kemi likuiditet, akoma nuk kemi para të injektuara tek shtresa të cilat po përballen tani në fund të muajit, me nevojat më bazike, për bukë, për ushqimet e shportës apo për domosdoshmëritë për të shlyer detyrime themelore që nuk do të çojnë në penalizime siç është energjia apo uji.
Kjo shkon absolutisht kundër prioritetit numër 1 që është mbrojtja e jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve. Kjo do të thotë që buxheti për shëndetësinë, i cili ka pësuar një rritje prej 25 milionë eurosh pas propozimeve tona, duhet të mbështetet edhe më shumë.
Për këtë nuk ka nevojë të shikojmë më tutje sesa Kosova. Duket qartë që kemi një disbalancë. Një vend me nje buxhet sa gjysma e Shqipërisë, me një popullsi sa 2/3 e Shqipërisë ka vendosur 3 herë më shumë para, 170 milionë euro për këto qëllime, ndërkohë që qeveria shqiptare ka vënë më pak se 65 milionë euro për të njëjtat qëllime. Pra qartësisht këtu ka një problem. Nga vjen problemi?”, tha Basha.
Sipas tij, problemet vijnë nga fakti se akoma Qeveria shqiptare vazhdon të autorizojë pagesa në thesar vazhdon të paguajë, tendera, koncensione, vazhdon të bëjë tendera për gjëra totalisht të panevojshme në këtë kohë krize.
“Për beton, për rikonstruksion zyrash, për qeleshe të cilat tregojnë se këtu kemi të bëjmë të paktën me një amulli, të mos them me një grup njerëzish që do të përfitojë në kurriz të krizës. Ndaj, thirrja ime është e qartë, është e përsëritur.
Qeveria duhet të ndërpresë menjëherë çdo shpenzim jo esencial dhe të ridestinojë të gjitha paratë e shqiptarëve, të gjitha qindarkat e shqiptarëve me tre prioritetet e vetme të kësaj krize: Jeta dhe shëndeti, shtresat në nevojë dhe ekonomia shqiptare”, tha ai.
Kreu demokrat, gjithashtu theksoi se shumica e familjeve të cilat janë paralizuar ekonomikisht për shkak të këtyre masave nuk do të kenë të ardhura dhe ky është shqetësimi, brenga ime kryesore sot.
“Si do të mundemi t’i furnizojmë këto familje me mjaftueshëm likuiditet, para, financa për të siguruar ushqimin e tyre, për të siguruar përditshmërinë e tyre?
Dhe kjo është diçka që duhet ta lërë pa gjumë qeverinë. Ndaj insistoj në rradhë të parë të kemi një paketë realiste mbështetëse, sepse është e pakuptueshme që ne të kemi një paketë tre herë më të vogël se sa Kosova! Si mund të kemi ne një paketë tre herë më të vogël se sa Kosova, kur ata e kanë buxhetin sa gjysma jonë?!
A ka ndonjë shpjegim tjetër për këtë përveçse ngadalësisë, paaftësisë apo prioriteteve të gabuara? Sepse nga ana tjetër janë harxhuar 52 milion euro këto tre javë me shpenzime totalisht të panevojshme. Ka vend jo për përmirësim, por për një ndryshim radikal të kursit nga ana e qeverisë për të mbështetur sakrificën e qytetarëve”, tha Basha.