Në mënyrë të pakuptimtë, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare shprehet se kompanitë e sigurimit nuk njoftuan për rritjen e siguracionit të makinave. Por kjo deklaratë e bërë nga Drejtorja e Departamentit të Zhvillimit të Statistikave në AMF, Elda Cani në emisionin Eko-Politikë në Ora News tregon paaftësinë e këtij institucionit për të kontrolluar kompanitë e sigurimit.
“Në radhë të parë do të doja të ishim sa më transparent ndaj publikut duke mos i afruar menjëherë të gjitha problematikat e 20 viteve të tregut të sigurimit. Për sa i përket primit të sigurimit, përbëhet nga tre elementë kryesor. Elementi i parë është primi i rrezikut, elementi tjetër është pjesa e mbulimit të shpenzimeve administrative dhe pjesa tjetër është ajo e llogaritur për fitimin e kompanisë së sigurimit.
Rritja e fundit, e cila është evidentuar edhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, është në masën 20% duke përfshirë edhe vlerën e rritjes së taksave. Elementi i menjëherë i identifikueshëm është rritja e taksës, e cila u bë në masën 10%. Primi i rrezikut që është kryesori, u është kërkuar kompanive të sigurimit të depozitojnë pranë AMF-së të gjithë bazën e përllogaritjes të primit të rrezikut në mënyrë që të evidentohet masa e secilit të këtyre elementëve që ka ndikuar.”- u shpreh drejtorja në AMF.
Cani tha se e gjithë vendimmarrja në AMF është vendimmarrje bordi dhe të gjithçka do të diskutohet në mbledhjen e bordit këtë muaj ku edhe do të merret vendimi për këtë çështje.
Ajo deklaroi se kompanitë përpara rritjet së çmimit, të gjithë kompanitë do të duhet të dorëzojnë në AMF bazën e rritjes së këtij çmimi.
“Kjo nuk ka ndodhur në rastin konkret. Jemi në fazën e analizimit dhe më pas në vendimmarrjen e bordit.”- shtoi më tej Cani.
Ndërsa përfaqësuesi i shoqërisë civile, Gerti Shella tha se kompanitë janë në unison me qëndrimet e tyre dhe se rritja ndodhi në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën masë nga të gjitha kompanitë. Sipas tij, neni 4 ndalon të gjitha marrëveshje që shtrembërojnë konkurrencën në treg.