Sokrat Shani 65 vjeç, në njërën prej letrave, para se të vetëvritej merrte përsipër vrasjen e të dashurës së tij, Jonida Çanakut, duke shpjeguar se gjithçka e kishte kryer në gjendje të tronditjes psiqike.
Televizioni Klan hedh dritë mbi mënyrën sesi ai e vrau 27-vjeçaren, duke sjellë edhe foto nga vendngjarja.
Burime zyrtare nga grupi hetimor, bëjnë me dije se vajza është dhunuar dhe torturuar para se të jepte shpirt, në dhomën e gjumit të apartamentit të motrës së autorit, në Golem.
Siç tregojnë këto foto, vajza është gjetur lakuriq, e shtrirë në krevatin dopio, lidhur me fasheta në pjesën e këmbëve dhe në duar.
Vërehen shenja të dukshme hematomash të shkaktuara nga goditjet, kryesisht në pjesën e kraharorit, ku në shpatullën e majtë dëmtimi është më i theksuar.
Në kokë 65-vjeçari i kishte vendosur në formë laku, një spango ngjyrë të verdhë, me të cilën e ka shtrënguar nga pjesa poshtë mjekrës, deri në pjesën e sipërme të kokës, që të mos rënkonte nga dhimbjet.
Sipas mjekëve ligjorë, dyshohet se viktima pasi është lidhur dhe i është vënë spango në fyt, është goditur sërish nga ana e 65-vjeçarit, duke e torturuar. Ajo ndërroi jetë pas gjakderdhjes, nga tortura dhe dhuna.
Fytyra e kufomës është gjetur e ejntur, që dyshohet të jetë shkaktuar sipas mjekëve, nga dhuna dhe zënia e frymës.
Grilat e dhomës së gjumit ku është gjetur vajza, kanë qenë të mbyllura plotësisht, ndërsa në njërën prej komedinave është gjetur një varëse me rruaza të Jonidës, dhe një shishe uji pjesërisht e mbushur.
Sokrat Shani pas ngjarjes në Golem është kthyer mëngjesin e së hënës rreth orës dy në banesën e tij në Krutje, dhe pas tre orësh sipas policisë, pasi ka shkruar dhe tre letrat që sqaronin të gjithë dinamikën, ka kryer vetëvrasje me pistoletë.
Dy personat kishin një lidhje intime prej tre vitesh, fakt ky i pohuar dhe nga familjarët e vajzës dhe motiv i ngjarjes paraprakisht dyshohet të ketë qenë debati i lindur për vijimin e marrëdhënies mes tyre.
Tv Klan