Bebe Rexha është prekur shumë nga situata në të cilën ndodhet Shqipëria pas tërmetit të fuqishëm që na goditi mëngjeshin e 26 nëntorit. Tërmeti fatkeqësisht u mori jetën 51 personave, la mbi 900 persona të plagosur e mbi të gjitha ka lënë edhe mijëra të tjerë në qiell të hapur pa pasur një strehë për të futur kokën në këto ditë të ftohta dhjetori.
Bebe që prej asaj dite të trishtë na ka qëndruar pranë, madje ishte dhe në Shqipëri, ku premtoi se do të ndërtonte shtëpitë e dy familjeve nga Bubqi të cilëve u është shembur dhe momentalisht janë pa një strehë.Ajo vazhdon të bëjë apel për mbledhjen e donacioneve për shqiptarët e prekur nga tërmeti.
Deri më tani ajo ka grumbulluar së bashku me fansat e saj 99.187 dollarë. Ndërsa tha se ‘kanë mbetur edhe pak për të arritur shumën prej 100.000 dollarësh’.
Këngëtarja bëri publike statusin në Instagram dhe kërkoi nga fansat që të vazhdojnë të kontribuojnë për të ndihmuar familjet shqiptare. Bebe Rexha që në fillim të tragjedisë doli përkrah shtetasve të saj dhe nuk ngurroi të udhëtonte drejt Shqipërisë nga SHBA duke anuluar axhendën e ngjeshur atje.
Ndërkohë edhe Rita Ora po punon për ndërtimin e një banese në një fshat të Tiranës.