Gazetari Enton Qyno ka vënë në fokus të deklaratave të tij të fundit të ashtuquajturën “çështja Aruba”, duke pretenduar se në atë takim janë përcaktuar skenarët për mënyrën e futjes së parave të drogës në ekonominë shqiptare.
I ftuar në emisionin “Çim Peka Live”, Qyno tha se “Aruba” përfaqëson një takim strategjik ku, sipas tij, është diskutuar mënyra e kanalizimit të kapitalit të paligjshëm në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, kryesisht ndërtimi dhe energjia.
Ai pretendoi se në këtë proces janë përfshirë edhe përfaqësues të lidhur me vendimmarrjen shtetërore, të cilët, sipas tij, kanë dhënë garanci për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe projekteve të mëdha investuese.
“Aruba është takimi që është vendosur strategjia e ardhshme se si duhet të shkrihen paratë e drogës. Pra, u mor dhe një përfaqësues i qeverisë që të merreshe garancia nëse do të jepeshin dhe do të miratoheshin lejet, sepse ti para mund të kesh por nëse qeveria nuk të miraton lejet e zhvillimit, sheshet e ndërtimit, atëherë është e kotë që t’i sjellësh këtu dhe të investosh sepse do të kosh gjithmonë pengesë.
Pasi u mor “ok” pikërisht nga përfaqësuesi i qeverisë dhe më pas u garantua që këto para do të vinin dhe në Shqipëri, sigurisht që duheshin edhe njerëz që zotëronin prona të mëdha në Shqipëri. Dhe kush ishin këta njerëz? Ishte Artur Shehu që zotëron një pjesë të madhe të pronave në bregdetin e jugut… Ishte Elton Mehmeti që kishte një pjesë toke tek prapa stadiumit Air Albania, që më pas u shpronësua por qëllimi ishte që të bëhej edhe atje një kompleks kullash. Dhe ishin disa persona të tjerë, nipat e miqtë e Xhikës, se dhe ata kanë një sërë pronash në kryeqytet. Dhe në këto kushte, për të krijuar mundësinë e shesheve të ndërtimit, lejeve të ndërtimit dhe për t’i krijuar edhe mundësinë që këto sheshe t’i rivitalizojnë përmes parave të drogës, pikërisht u zhvilluan disa takime në Aruba, në Belgjikë, në Itali, me qëllimin e vetëm: sigurimin e lejeve të ndërtimit që këto para më pas të vinin dhe në Shqipëri dhe të shkriheshin në sektorin e ndërtimit”, tha Qyno.














