Nga Boldnews.al
Si personazh ishte pjellë mediatike, u kultivua në laboratorin “eksperimental” të ish-kryeministrit Fatos Nano dhe kur doli prej inkubatorit të madh, gjenetikisht i modifikuar, mposhti “profesorët” që e krijuan dhe tashmë ka dalë jashtë kontrollit. Kjo është historia politike e kryeministrit aktual Edi Rama i cili erdhi në pushtet si një piktor shëtitës dhe u mor me urgjencë nga Franca për të “ndryshuar” vendin dhe ia ka arritur…
Elita e bandave kriminale ka kapur poste të rëndësishme në administratën e lartë të qeverisë aktuale, ka shtrirë dorën mbi pronat publike, por edhe të qytetarëve që janë tërësisht të pafuqishëm për të reaguar. Kur e keqja ka vrarë çdo qelizë, kryeministri hakërrehet se së shpejti do të hartojë një ligj special për të luftuar bandat dhe shkëputur lidhjet e tyre.
Deri në këtë pikë është thjesht një propagandë e radhës, por nëse vertetë Rama do të detyrohet ta vejë në zbatim këtë nismë “speciale”, ai do të mbesë pa bashkëpunëtorët e tij. Bota e errët e krimit gjeti strehën nën obmrellën e pushtetit të Rilindjes dhe prej të paktën gjashtë vitesh, është fuqizuar aq shumë sa nuk është më në luftë me ligjin për paligjshmërinë e madhe dhe batërdinë me tjetërsimin e pronave, por me grupet rivale, edhe ata brenda qeverisë.
Duke iu referuar një rasti të tjetërsimit të pronës në Durrës, Rama në bashkëbisedimin e përhershëm javor me qytetarët që kanë “gjetur zgjidhje” nga portali shqipëriaqëduam, theksoi se së shpejti kadastrat do të çlirohen nga rrethi kriminal.
“Na preke në plagë të hapura, që është Kadastra e Durrësit, por jam i bindur që ligji special kundër krimit të organizuar dhe masat speciale kundër KÇK, do ta çlirojnë përfundimisht Kadastrën e Durrësit dhe gjithë kadastrat në Shqipëri, nga rrethimi kriminal, që ka nisur prej shumë vitesh dhe që ne kemi arritur ta çajmë vetëm pjesërisht, sidomos në zonat që kanë interes zhvillimi turistik, aty ku krimi i organizuar përpiqet të shpëlajë paratë e pista, por nuk do t’i gëzojë. Çfarë kanë grabitur, nuk do ta gëzojnë”, tha Rama.
Edhë në këtë qëndrim deliri, Rama mundohet të shmangë përgjegjësinë, duke deklaruar se krimi i organizuar përpiqet të shpëlajë paratë e pista. Po kush është ky krim i organizuar? Për fatin e keq çdo ditë dalin fakte se elementë të botës së errët të përfshirë kryesisht në trafikun e drogës kanë gjetur oazin e tyre brenda qeverisjes, lokale dhe qëndrore.
U anatemua prokurori Arjan Ndoj i cili lëshoi urdhër-arresti për drejtorin e Kadastrës Durrës Liridon Pula. Kryeministri dhe zëvendëskryeministri sulmuan ashpër përfaqësuesin e institucionit të akuzës duke ia bërë të qartë se shpejt do merrte ndëshkimin dhe jo vetëm se u “dhimbsej” ai drejtor “i pastër”, por dikush goxoi të prekë çështjen e pronave në bregdet. Për fat të keq “profecia” u doli ku një breshëri kallashnikovi u zbraz në automjetin që udhëtonte Ndoj bashkë me shoferin e tij Andi Maloku dhe Pëllumb Muharremin. Që të tre mbetën të plagosur, por ato plumba janë tringëllima e sinjalit të parë të një lufte të ashpër që pritet të vijojë.
Tre ish-drejtorë kadastre të Durrësit, që të gjithë prurje e kësaj qeverie janë nën akuzë për tjetërsim pronash. Gjithashtu pushtetarë lokal po të pushtetit kanë bashkëpunuar me elementë të krimit në zaptimin e pronave në bregdet, tjetërsimin e tyre dhe ndikimi deri lart në kupolë që pas trejëtsimit të jepeshin edhe leje ndërtimi për komplekse të mëdha.
Rama shprehet se do ta luftojë këtë fenomen, por shpejt do i dalë se që nga ai zyrtari i vogël topograf, deri tek bosi i madh që jep certifikata pronësie dhe leje ndërtimi për elementë të botës së krimit, janë të pushtetit të tij. Shpesh ka një tabulat universel që krimi nuk njeh ngjyrë, por në vendin tonë ai e njeh mirë ngjyrën e cila është kolori mavi i Rilindjes, që u ngjiz me malavitën dhe po rritet po me të.