Nga Boldnews.al
Boldnews.al ka mundur të sigurojë foto ekskluzive të një grataçele që pritet të ndërtohet mbi parkun e lojrave të fëmijëve të njohur si “7-xhuxhat”. Betonizimi i radhës mban firmën e dy prej oligarkëve më të mëdhenj që mbështesin aktualisht kryeministrin Edi Rama.
Bëhet fjalë për Shefqet Kastrati dhe Samir Mane, të dy këta njihen si financuesit kryesor të çdo qeverie që vjen në pushtet. I kapur pas tyre, kryeministri Rama thuhet se ka dhënë lejen nga KKT në fshehtësi të plotë ndërsa përflitet se projekti nuk do të jetë më kullë 9-katëshe por është ngritur edhe më tepër në lartësi.
Boldnews.al ka siguruar 3 projektet sesi është ideuar kjo godinë mbi parkun e lojërave, foto këto të dala nga studio arkitekturore që ka marrë përsipër të ndërtojë objektin.Viktimat e këtij ndërtimi të frikshëm do të jenë këndi i lojërave “7-xhuxhat” dhe parking i cili ndodhet ngjitur me pallatin ETC.
Paradoksi i këtij zhvillimi është se kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj vijon të propogandojë për shtimin e parqeve të lojërave, ndërsa nga ana tjetër zhduk në mes të Tiranës këndin e fëmijëve “7-xhuxhat”.
Madje për ironi, teksa pak javë më parë qytetarët dhe aktivistë të shoqërisë i kërkuan që të mos ndërtonte një kënd lojërash brenda Liqenit Artificial, Veliaj iu vërsul duke i akuzuar se ata nuk i donin fëmijët. Sot situata kthen medaljen dhe kryebashkiaku i Tiranës do t’i duhet të sulmojë këndin e lojërave dhe fëmijët me qëllim që të ndërtojë kullën. Kjo shpjegon edhe nxitimin e Veliajt për të inaguruar një park të ri lojërash, pasi një tjetër është drejt shkatërrimit.
Ndërkohë edhe kryeministri i vendit është pjesë e babëzisë së oligarëve që e rrethojnë. Rama e kishte inauguruar me shumë bujë në vitin 2001 rindërtimin e këndit të lojërave “7-xhuxhat, kur ishte kryebashkiak i Tiranës. Madje për të reklamuar vehten për punën e bërë, Rama nënshkroi edhe një pllakë me emrin e tij në hyrje tek “7-xhuxhat”. Përpos kësaj, dashuria e Ramës për kullat mbetet gjithmon më e madhe se ajo për parqet e lojërave për fëmijët.
Projekti për ndërtimin e kullës, fillimisht është miratuar në kohën e Lulzim Bashës, në vitin 2012 kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës. Sipas planit rregullues të asaj kohe, mbi parkun “7-xhuxhat” pritej të ndërtohej një pallat 9-katësh me një koefiçient shfrytëzimi nga 50-70 %. Projekti i Bashës në atë kohë synote që parkingu i cili ndodhet në krah të ETC dhe këndi i lojërave “7-xhuxhat” të kthehej në një kantierë ndërtimi për kullën e lartë.
Në 2013, gjatë emisionit “Zonë e Ndaluar” të Andi Bushatit, Artan Shkreli kundërshtonte kullën pasi do të zaptonte çdo hapësirë të lirë përreth. “Ky plan e zhduk krejtësisht atë zonë. Me një mundësi shfrytëzimi prej 70% të sipërfaqes do të thotë që me përjashtim të rrugëve nuk ngelet hapësirë as për parkim. Pra është bllok ndërtimi dhe rrugë, asgjë tjetër.”– shprehej asokohe Shkreli, ndërkohë që sot mban postin e këshilltarit të kryeministrit Rama. (minuta 32’ e emisionit).
Por a ka ndryshuar qëndrim Artan Shkreli, ku Bashkinë dhe qeverinë tashmë e kanë të majtët?
Edhe Artan Lame, aktualisht kreu i ALUIZN-it, deklaroi në atë kohë se kjo është një masakër e bashksisë së Tiranës që drejtohej nga Lulzim Basha dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, që po bëhet në kurriz të hapsirave të gjelbërta të kryeqytetit.
Edhe pse punimet nuk kanë nisur ende, ata që pritet të preken më tepër nga ky projekt janë banorët e pallatit të vjetër 5-katësh që ndodhet pas këndit të lojrave “7-xhuxhat”. Në këtë pallat banon edhe analisti i majtë Andrea Stefani i cili deri tani me opinonet e tij përcjell idenë se qeveria e Ramës nuk ka bërë asnjë gabim.
Por kjo nuk është kulla e vetme që do të ngrihet për Ramën. KKT me firmën e kryemnistrit ka miratuar edhe pesë leje të tjera ndërtimi në Tiranë, të cilat variojnë nga 4 kate, deri në 10 kate lartësi. Të gjitha godina banimi dhe shërbimesh. Një kullë tjetër do të ndërtohet në trupin e stadiumit të ri kombëtar, një tjetër është planifikuar të ndërtohet në aneksin e stadiumit “Qemal Stafa”, një kullë në territorin e Gardës dhe dy të tjera në territorin ngjitur me Parkun të Liqenit.
Ndërkohë punimet vijonë me ritme të shpejta për ndërtimin e një godine përbindësh përballë Fakultetit Histori-Filologjikut, brenda vijës së Parkut të Mbrojtur të Liqenit Artificial. Kryeministri Rama ka “bekuar” oligarkët e këtij pallati ndërsa një gjë të tillë nuk e bëri në anën tjetër të rrugës, ku nëpërmjet një shoë me tritol shembi një godinë të ndërtuar me leje.