Tetë anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste kanë themeluar sot “Levizjen për Demokraci”, një grupim brenda kësaj force politike që kërkon zbatimin e statutit dhe kryerjen e zgjedhjeve për kryetar.
Kjo lëvizje përbëhet nga tre deputetët Ben Blushi, Mimoza Hafizi dhe Namik Kopliku, ish Presidenti Rexhep Meidani si dhe Maqo Lakrori, Ndre Legisi, Petrit Ago dhe Suzana Hakrama. Bie në sy që në listën e themeluesve të kësaj lëvizje mungon Arta Dade, e cila deri më dje ishte shumë aktive pro Blushit. Ndërkohë që dje kryeministri Rama tha se Dade mund të jetë ministre e Brendshme në të ardhmen.
Në platformën e publikuar nga Maqo Lakrori thuhet se kjo lëvizje do të rikthejë demokracinë brenda Partisë Socialiste. (Shkarko platformën e Lëvizjes “Demokraci në Partinë Socialiste”)
Ndër objektivat e kësaj platforme është realizimi dhe korrigjimi i premtimeve elektorale të shpalluara në zgjedhjet parlamentare 2013 dhe vendore 2015. “Ridimensionimi sidomos i masave për punësim, luftën kundër pabarazisë, solidaritetin dhe të drejtën e secilit për një jetë më të mirë.”- thuhet nga kjo lëvizje.
Ndërkohë në statutin e PS, propozohen të bëhen disa plotësime në shërbim të funksionimin të brendshëm demokratik.
- Përcaktimi i instrumentave për realizmin e parimit “Parti me demokraci funksionale”:
a- Mocionet për qeverisjen qëndrore e vendore, që përgatiten e miratohen sipas rastit nga OS, AS, AKS, Kongresi ose me referendum nga anëtarësia e partisë dhe simpatizantët e saj;
b- Çdo formë tjetër demokratike, përmes së cilës anëtarët dhe simpatizantët e PS ushtrojnë vullnetin e vet mbi pushtetarët “e vet”.
- Largimi nga partia dhe nga funksionet përfaqësuese i të inkriminuarve, të korruptuarve dhe oligarkëve.
- Largimi nga partia dhe nga funksionet përfaqësuese për:
a- mosrespektim të vendimmarrjes kolegjiale, në mënyrë të përsëritur e të qëllimshm;
b- manipulim dhe falsifikim votash në parti, kurdo që të verifikohen këto;
c- zbatim kriteresh që zëvendësojnë sistemin e vlerave njerëzore të individit (aftësia, integriteti) me pasurinë personale ekonomike e financiare.
- Si rregull, kufizimi i mandateve drejtuese në jo më shumë se dy (për funksionet e kryetarëve të AS, AKS, PS) dhe ndarja e funksioneve partiake nga ato shtetërore ekzekutive, me qëllim që të angazhohen sa më shumë potenciale njerëzore dhe të shmanget përqëndrimi i përfaqësimit dhe i pushtetit vetëm në pak individë.
- Ligjërimi i së drejtës për oponencë kolektive, si një garanci strukturore potenciale, që mund të aktivizohet në proporcion me votën e drejtpërdrejte të anëtarëve të partisë dhe që shërben për mbrojtjen e demokracisë së brendshme dhe shtimin e aftësive vetkorrigjuese të PS.
- Garantimi strukturor i transparencës për burimet financiare të partisë dhe përdorimin e tyre.
Sipas platformës, çdo veprim i Lëvizjes ”Demokraci në Partinë Socialiste” do të kryhet me transparencë të plotë për opinionin publik, ndërsa fillon me shpalljen e kësaj platforme dhe do të vazhdojë me takime të hapura direkte në mbarë vendin.
Lëvizja për Demokraci në PS përbëhet nga:
1- Rexhep Meidani
2- Maqo Lakrori
3- Ben Blushi
4- Namik Kopliku
5- Ndre Legisi
6- Petrit Ago
7- Suzana Hakrama
(Boldnews)