Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, kanë pranuar ftesën e kreut të Kuvendit, Ilir Meta për t’u kyçur në kryesinë e Kuvendit deri në një zgjidhje e konsensus për reformën në drejtësi.
Ambasadori amerikan, Donald Lu, dhe ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin kanë vetëm një kusht që këto diskutime të bazohen vetëm mbi propozimin hibrid të ndihmës sekretares amerikane Victoria Nuland.
“Ambasadori Lu ka informuar Kryetarin e Parlamentit Z. Meta se e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, duke nënkuptuar se këto diskutime do bazohen mbi propozimin hibrid. Më 10 korrik, si qeveria ashtu edhe opozita u angazhuan përpara Ambasadores Nuland se negociatat e ardhshme do të bazoheshin vetëm mbi propozimin hibrid, i cili vë në zbatim plotësisht paragrafin 88 të Komisionit të Venecias dhe ka mbështetjen e OPDAT dhe EURALIUS”, deklaron ambasada e SHBA-ve.
Edhe ambasadorja Vlahutin shpreh gatishmërinë për ofrimin e pikëpamjeve të BE-së, për rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut.
Deklaratë e Delegacionit të BE-së në Shqipëri
“Ambasadorja e Bashkimit Evropian e informoi Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, se BE e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, në rast se të gjitha partitë bien dakord, me mirëkuptimin se këto diskutime do të bazohen tek propozimi hibrid. Ambasadorja është e gatshme të ofrojë pikëpamjet e BE-së rreth propozimit dhe përputhshmërisë së plotë të rolit të parashikuar për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit me Opinionin e Komisionit të Venecias, si edhe me qëndrimin afatgjatë të BE-së dhe SHBA-ve se i gjithë pushteti vendimmarrës duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare”, deklaron Vlahutin.
“Bashkimi Evropian ka mbështetur dhe lehtësuar si punën e ekspertëve, ashtu edhe negociatat politike për reformën në drejtësi që prej fillimit, për arsye se kjo reformë jo vetëm që kërkohet nga qytetarët shqiptarë, por edhe përbën një parakusht thelbësor për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë për integrimin në BE. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të japim asistencën tonë me anën e po ketij roli edhe në të ardhmen. Megjithatë, është e qartë që përgjegjësia për këtë reformë është e autoriteteve shqiptare”, theksohet në mesazhin e ambasadores së BE-së.
Reagimet e dy ambasadorëve erdhën pasi kreu i Kuvendit Ilir Meta kërkoi që jo vetëm kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha të mblidhen për konkludimin e reformës por edhe ai dhe 2 ambasadorët Lu dhe Vlahutin.
Në një konferencë për shtyp, Meta ka propozuar që të mbyllen bashkë në ambientet e Kuvendit, derisa të gjejnë një zgjidhje për reformën.
“Edhe unë ashtu sikurse ambasadori Lu, po më soset durimi. Por unë kam një propozim të ndryshëm nga ai. Nuk mendoj se tani është koha që Basha dhe Rama të mbyllen në një dhomë dhe o t’i gjejnë zgjidhje kësaj çështje ose jo, duke përjashtuar sipas përfaqësuesit të nderuar të Shteteve të Bashkuara propozimin për të cilin bëhet fjalë të Partisë Demokratike. Por meqenëse Shqipëria është republikë parlamentare, meqenëse unë jam Kryetar i Parlamentit, i ftoj të dy aktorët kryesorë politik në vend, z. Rama dhe z. Basha, por pse jo edhe dy ambasadorët e nderuar që janë angazhuar dhe që janë lodhur për këtë reformë, z. Lu dhe znj. Vlahutin, që ne të mbyllemi këtu në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Meta.