Partia Demokratike ka depozituar sot në prokurori kallëzimin penal ndaj kryeministrit Edi Rama, pas hetimit të FBI-së për 80 mijë dollarët e paguara nga shtetasi Bilal Shehu, për fushatën e presidentit amerikan.
Sipas PD-së këto para u paguan nga kryeministri shqiptar, për të mundësuar foton e Obamës me Ramën, pavarësisht se shteti amerikan nuk lejon përfshirjen e shtetasve të huaj në fushatat elektorale.
Kallëzimi është depozituar nga demokrati Eduart Halimi, i cili deklaroi përpara mediave se kryeministri Rama ka konsumuar tre elementë të veprës penale: “Fshehje të të ardhurave, mashtrim dhe pastrim parash”.
Sipas Halimit, ‘kryeministri është i detyruar të përgjigjet përpara drejtësisë për paratë që pagoi për foton me Obamën, kur ishte kryetar i opozitës’.
“U paguan 80 mijë $ nga Shqipëria për foton. Paratë u paguan kur Rama ishte kryetar i opozitës. Eshtë shkelur legjislacioni shqiptar. Prokuroria të thërrasë kryeministrin, është i detyruar të përgjigjet.”- deklaroi Halimi.
Ja rrethanat e fakteve të parashtruara në kallëzimin penal të PD që do i dërgohet Prokurorisë.
RRETHANAT E FAKTEVE
Më 29 Qershor 2016, Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka konfirmuar lajmin e bërë publik nga disa media prestigjioze ndërkombëtare, se shtetasi shqiptaro-amerikan Bilal Shehu ka paguar para në mënyrë të jashtëligjshme me qëllim ushtrimin e ndikimit të paligjshëm në autoritetet amerikane për të lejuar hyrjen e shtetasit Edi Kristaq Rama në një event elektoral të vitit 2012 të Presidentit të SHBA Barack Obama. Nga ky veprim i kundërligjshëm nuk është arritur të sigurohet hyrja në aktivitet, por është arritur të sigurohet vetëm realizimi i një fotoje midis Edi Ramës dhe Presidentit Barack Obama, e cila është publikuar në Shqipëri nga vetë shtetasi Edi Rama.
Rezulton tashmë e provuar nga autoritetet ligjzbatuese amerikane se një burrë në Paramus Nju Xhersi, i quajtur Bilal Shehu, ka ndihmuar të injektojë 80 mijë dollarë kontribute prej një burimi të huaj në fushatën e mbledhjes së fondeve për Presidentin e ShBA-ve gjatë zgjedhjeve të vitit 2012. Ky fakt është bërë i ditur nga Asistenti Ligjor i Prokurorit të Përgjithshëm Leslie R. Caldëell nga Departamenti i Divizionit Kriminal dhe Prokurori Amerikan Paul J. Fishman i Ditsriktit të Nju Xhersit. Konkretisht, Bilal Shehu 48 vjeç është deklarua fajtor përpara Gjykatësit Madeline Cox Arleo të Distriktit të Nju Xhersit sipas një informacioni që akuzon atë se me vetëdije dhe nismë personale ka derdhur kontribute të huaja që kanë të bëjnë me zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 të pëmbledhuar në 25 mijë dollar ose me shumë në një vit kalendarik.
Në bazë të deklarimeve të tij, Bilal Shehu, një qytetar amerikan që jeton në Nju Xhersi pranoi se në Shtator të vitit 2012 ai kishte marrë përafërsisht 80 mijë dollarë nga një burim i huaj dhe i kishte derdhur ato në një komitet mbledhje fondesh dhe në këmbim kishte arritur të siguronte autorizimin e komitetit të fushatës së Presidentit në përpjekje për të fshehur origjinën e vërtetë të parave dhe e gjitha kjo me qëllim që një shtetas i huaj të mund të ishte i pranishëm në një takim elektoral që do të zhvillohej në San Fransisko në 8 Tetor 2012. Ligjet federale e ndalojnë kategorikisht që shtetas të huaj të derdhin kontribute në fushatat elektorale të kandidatëve federal.
Më herët gjatë Shtatorit 2012, Bilal Shehu kishte marrë në llogarinë e tij bankare një shumë prej 80 mjijë dollarësh që vinin nga një llogari bankare e huaj duke e ditur se ai do ti derdhte ato para në fushatën elektorale, siç vetë ai e ka pranuar. Bilal Shehu ka pranuar se më herët gjatë Tetorit 2012 kishte fluturuar në San Fransisko në përpjekje për të siguruar një hyrje në eventin për mbledhjen e fondeve me një shtetas të huaj, të cilit i ishte ndaluar hyrja por që i ishte mundësuar gjithësesi një foto me Presidentin Barack Obama.
Të gjitha të dhënat dhe faktet e mësipërme, përfshirë informacionet e bëra publike në mediat prestigjoze ndërkombëtare, të krijojnë dyshimin e arsyeshëm, se shtetasi i huaj që ka paguar 80 mijë dollarë, për të marrë pjesë në këtë event, është Edi Kristaq Rama, aktualisht me detyrë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Sipas agjencisë prestigjoze të lajmeve Reuters, personi që përfitoi nga financimi i paligjshëm është Edi Rama.
Kjo për faktin se deklarata e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-ve, thekson se Bilal Shehu ka pranuar se më herët gjatë Tetorit 2012 kishte fluturuar në San Fransisko në përpjekje për të siguruar një hyrje në eventin për mbledhjen e fondeve me një shtetas të huaj, të cilit i ishte ndaluar hyrja por që i ishte mundësuar gjithësesi një foto me Presidentin Barack Obama. Rezulton e provuar se në aktivitetin e Tetorit 2012, Edi Rama, në atë kohë Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, u fotografua me Presidentin Obamën. Për këtë arsye, Kongresmeni Dana Rohrabacher i Kalifornisë në atë kohë u ankua se fotoja e Ramës me Presidentin Obamën, që është realizuar në aktivitetin për të cilin bën fjalë njoftimi i Departamentit të Drejtësisë, u përdor për qëllime “të këqija” për të nënkuptuar një marrëdhënie mes Ramës dhe Presidentit të SHBA-ve gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 në Shqipëri.
The Daily Caller e ka akuzuar Edi Ramën se në mënyrë të paligjshme ka financuar Partinë Demokratike të Presidentit Obama përmes një biznesmeni shqiptaro-amerikan për të siguruar një foto me Presidentin më 8 Tetor 2012. Akti Federal i Fushatës Zgjedhore në SHBA, FECA, ndalon të huajt që të kontrobuojnë apo të shpenzonnë para, në zgjedhjet federale, shtetërore apo lokale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, drejpërdrejtë apo tërthorazi. Mirëpo, “The Daily Caller” hodhi dyshime se Rama kishte anashkaluar kufizimet për të huajt për të finacuar kandidatët në zgjedhjet amerikane duke dhuruar donacione përmes biznesmenit Bilal Shehu nga Nju Xhersi. Ky shtetas dha kontribute të mëdha në Komitetin Nacional Demokratik, DNC, dhe në fondin e fushatës së Obamës para se Rama të takohej me Presidentin e SHBA në vitin 2012. Të dhënat e FEC tregojnë se Shehu dhe gruaja e tij, Aida, kontribuuan me 80,000 dollarë në Partinë Demokratike të SHBA mes 28 gushtit dhe 26 tetorit, 2012. 38,300 dollarë shkuan direkt në “Services Corporation” të DNC, fuqia për mbledhjen e fondeve që qëndron pas Partisë Demokratike, dhe pjesa tjetër u shpërnda mes fondeve të fushatës për Presidentin Obama dhe kapituj të ndryshme shtetërore. Një fotografi e postuar në Facebook nga Shehu me Presidentin Obama e tregon atë të marrë pjesë në një takim të planifikuar për mbledhje fondesh për fushatën e Presidentit në San Francisko më 8 tetor 2012. Një fotografi e postuar në internet tregon se Shehu u takua në të njëjtën ditë edhe me Edi Ramën, i cili më pas publikoi edhe ai një foto në të njëjtin aktivitet me Presidentin Obama.
Bilal Shehu, pronar i Eliot dhe Kleri LLC, pagoi një shumë të konsiderueshme për fushatën e Presidentit Obama, edhe pse kjo ishte jashtë mundësive financiare të tij. Për këtë arsye, ai ka pranuar se paratë i janë siguruar nga një shtetas i huaj, që sipas të gjitha rrethanave është Kryeministri Edi Rama.
Bilal Shehu i është përgjigjur pozitivisht të gjitha pyetjeve të më poshtmë gjatë marrës në pyetje nga organet ligjzbatuese amerikane: “1. Gjatë, ose rreth muajit tetor 2012, në Distriktin e Nju Xhersit dhe gjetkë, a keni ndihmuar dhe nxitur me dijeninë dhe dëshirën tuaj individë të tjerë, duke përfshirë Shtetasin e Huaj 1, shtetas i Greqisë dhe Shtetasin e Huaj 2, për të kontribuar me rreth 80 mijë dollarë nga Personi i Huaj 1 dhe Kompania e Huaj 1 për një komision të përbashkët për mbledhje fondesh (më poshtë “Komisioni i Përbashkët për Mbledhje Fondesh”), i cili përfshinte komisionin e autorizuar të fushatës për Presidentin Obama? 2. Afërsisht gjatë muajit shtator 2012, a keni mësuar rreth një plani për të mundësuar Shtetasin e Huaj 2 që të merrte pjesë në një aktivitet fushate, që do të mbahej më 8 tetor 2012, në San Francisco të Kalifornisë (“Aktiviteti i San Franciscos për Mbledhje Fondesh”)? 3. Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a mësuat gjithashtu se Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh do t’i jepeshin fonde prej rreth 80 mijë dollarë përpara 8 tetorit 2012, me qëllim që dy individë të merrnin pjesë në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh në atë datë? 4. A mësuat gjithashtu se, për të hyrë në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, një jo-shtetas që kërkon të marrë pjesë duhet të jetë i shoqëruar nga një shtetas amerikan? 5. A mësuat gjithashtu se, sipas ligjit amerikan, jo-shtetasi nuk mund të jetë burim i një kontributi prej rreth 80 mijë dollarësh, që do të thotë se e tërë shuma prej 80 mijë dollarësh duhet të dhurohet nga shtetasi amerikan, që shoqëron të ftuarin jo-shtetas? 6. A ratë dakord të merrnit pjesë bashkë me Shtetasin e Huaj 2 në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, për të mundësuar kështu hyrjen në Aktivitet të Shtetasit të Huaj 2 përmes statusit tuaj si shtetas amerikan? 7. A ratë dakord gjithashtu të shërbenit si kontribues i shumës prej 80 mijë dollarësh për Komisionit e Përbashkët për Mbledhje Fondesh, pra të pranonit fonde prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj, të cilat do t’ia jepnit pastaj Komisionit të Përbashkët, duke bërë që të dukej sikur ky ishte kontribut i juaji personal? 8. Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a i dhatë një tjetër individi në SHBA emrin, datëlindjen dhe informacionin tuaj personal si dhe atë të gruas suaj, me dijeninë se këto informacione do t’i jepeshin Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh, në pritje të pjesëmarrjes suaj në Aktivitetin e San Franciscos? 9. A i dhatë të njëjtit individ informacionin e llogarisë suaj bankare, duke e ditur se ky do të përdorej për transferimin e rreth 80 mijë dollarëve, nga një burim i huaj tek llogaria juaj personale, që ju kishit rënë dakord t’ia kalonit pastaj Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh? 10. Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a morët një shumë prej rreth 80 mijë dollarësh, me transfertë elektronike, në llogarinë tuaj bankare në Nju Xhersi nga llogaria e Shtetasit të Huaj 1, duke e ditur se këto nuk ishin para që ju takonin dhe që ju do t’ia dorëzonit Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh? 11. Në ose rreth datës 29 shtator 2012, ndërsa ishit në Nju Xhersi, a i përdorët ju dhe gruaja juaj këto 80 mijë dollarë për të blerë dy çeqe bankare në emrin tuaj dhe të gruas suaj për 70 mijë dhe 10 mijë dollarë? 12. A ia dërguat ju më pas këto çeqe Komisionit për Mbledhje Fondesh për të siguruar hyrjen në Aktivitetin e San Franciscos për veten dhe për Shtetasin e Huaj 2? 13. Në fillim të tetorit 2012, a shkuat ju me avion në San Francisco, ku shoqëruat Shtetasin e Huaj 2 në vendin ku do të mbahej Aktiviteti për Mbledhje Fondesh? 14. A iu mohua Shtetasit të Huaj 2 hyrja në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, por iu lejua të bënte fotografi me Presidentin e Shteteve të Bashkuara? 15. Duke vënë në jetë këtë skemë, a vepruat ju me dijeninë dhe me dëshirën tuaj? 16. A jeni fajtorë për akuzën e ngritur në Informacion?”.
Përgjigja pozitive ndaj këtyre pyetjeve, është tregues i qartë se financuesi real i paligjshëm i shumës prej 80 mijë Dollar, është shtetasi shqiptar Edi Rama.
Veprimi i Edi Ramës përbën shkelje të Aktit Federal të Fushatës Zgjedhore në SHBA, FECA, që ndalon të huajt që të kontrobuojnë apo të shpenzonnë para, në zgjedhjet federale, shtetërore apo lokale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, drejpërdrejtë apo tërthorazi. Mbi këtë fakt, po hetojnë dhe do të hetojnë autoritetet ligjzbatuese amerikane.
Mirëpo, financimi i paligjshëm nëpërmjet dhënies së shumës prej 80 mijë Dollar, përbën vepër penale edhe sipas legjislacionit shqiptar, për shkak të burimit të paligjshëm e të padeklaruar të kësaj shume, si dhe tentativës për të kërkuar një përfitim të parregullt, nëpërmjet ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”, mbyllet kallzimi penal i PD.
BASHA
Kreu i PD-së, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka kryer një krim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për foton me Obamën. Në një dalje publike para mediave, Basha theksoi se kryeministri ka dorovitur 80 mijë dollarë për Obamën.
“80 mijë dollarë ka paguar Edi Rama për një foto. 80 mijë dollarë për një mashtrim. 80 mijë dollarë për t’iu hedhur hi syve shqiptarëve. Në rrugën e tij drejt marrjes së pushtetit Edi Rama nuk u ndal para asgjëje, nuk ngurroi të thërrasë nën armë gjithfarë kriminelësh, e nuk kurseu askënd me gënjeshtrat e me mashtrimet e tij, madje as partnerin tonë strategjik, SHBA.”, tha Basha.
RAMA
Kryeministri Edi Rama ka sqaruar sot lajmet mbi foton e tij me Presidentin amerikan Barack Obama dhe faktin se një shtetas shqiptar në SHBA po gjykohet mbi financimin e fushatës elektorale të kandidatit. Sipas Ramës, kjo foto po përdoret qëllimisht për propagandë, ndërsa mohon të ketë marrë pjesë në ndonjë organizimin elektoral të Presidentit Obama, apo të ketë kryer ndonjë pagesë, siç shkruajnë mediat.