Në prag të ndeshjes me Rumaninë, trajneri italian Gianni De Biasi është shprehur se ndeshja me Rumaninë është më e rëndësishmja për kuqezinjtë.
Në fjalën e tij, tekniku i kuqezinjve ka bërë të ditur edhe planet e tij për përballjen me rumunët.
“Besoj se në këtë turne djemtë kanë bërë gjëra shumë të mira por kemi paguar për shkak të gabimeve të vogla dhe nuk kemi qenë me fat. Jemi gjendur ne situata kur mund të shënonim por na ka munguar ftohtësia për të finalizuar atë që kemi ndërtuar. Jemi bazuar në cilësitë dhe aftësitë tona. Kam folur me djemtë dhe u thashë se nëse duam të kemi një histori të hapur me këtë kompeticion, duhet të shfrytëzojmë të gjitha rastet, por gjithashtu duhet të jemi të kujdesshëm edhe në mbrojtje pasi Rmania është një skuadër e rrezikshme dhe duhet të bëjmë kujdes edhe nga goditjet standarte pasi Rumania arrin t’i shfrytëzojë shumë mirë për shkak të karakteristikave që ka si skuadër”.- u shpreh De Biasi.
Trajneri i kuqezinjëve gjithashtu shtoi se ekipi po stërvitet shumë për të arritur objektivin që në rastin e Shqipërisë alternative e vetme për të vazhduar në këtë Europian është fitorja.
“Besoj se kemi dëshirë për të vazhduar përpara, edhe Rumania ka dëshirë pasi me një fitore shkon 4 pikë dhe me shumë mundësi ecën përpara. Janë një skuadër e vendosur dhe me lojë kompakte. E dimë të gjithë rëndësinë e të qënit një skuadër e bashkuar. Nesër të dyja skuadrat do të luftojnë në mënyrë të ndershme, të fitojnë pa menduar shumë për gjëra të tjera”, tha De Biasi.
Ndërkohë, i pranishëm në konferencën për shtyp, portieri i kombëtares, Etrit Berisha ka deklaruar se ekipi është i përgatitur për ndeshjen me Rumaninë.
“Do të japim gjithçka. Do të përpiqemi të fitojmë me çdo kusht”, ka thënë Berisha.
Ai ka mirëpritur kthimin e Canës, duke e cilësuar kapitenin si “shtyllën e skuadrës”, por – ka shtuar – gjithçka varet nga ai vetë. “Jemi të motivuar për takimin, por nëse do të luajë apo jo Cana, këtë do ta vendosë trajneri”, ka thënë Berisha.