51 kallëzime për 159 persona funksionarë shteti dhe një dëm ekonomik i evidentuar prej 85.8 miliardë lekësh, raporton Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë vitit të shkuar.
Sipas KLSH-së, gjatë këtij viti janë kryer 16 kallëzime penale ndaj Institucioneve Qendrore. Por, numrin më të lartë të kallëzimeve penale e shënojnë Institucionet Vendore me përkatësisht 21 raste të kallëzuara për 87 funksionarë.
Open Data Albania po hulumton lidhur me personat e kallëzuar për ndjekje penale si shkaktarë kryesor të dëmit ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit për vitin 2015.
Dëmi më i lartë Ekonomik rezulton të jetë shkaktuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Avokatura e Shtetit në vlerën 67 miliardë lekë.
Më 12.10.2015, janë kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre pranë këtyre institucioneve Ministri i Energjisë dhe Industrisë dhe Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, në cilësinë e Kryetarit dhe Anëtares së Grupit të Punës të ngritur në bazë të VKM nr. 969 dt. 25.10.2013 “Për ngritjen e grupit të punës për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe CEZ a.s”.
I kallëzuar penalisht, sipas KLSH-së, më 27.03.2015 rezulton Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Ky institucion shënon një dëm ekonomik prej 108 milionë lekësh dhe funksionarët janë në hetim për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Në Institucionet Vendore kanë ndodhur kallëzime penale për Kryetarin e Bashkisë Memaliaj (30.06.2015); Kryetarin e Bashkisë Kavajë (31.08.2015); Kryetarin e Bashkisë Patos (08.09.2015); Kryetarin dhe ish-Kryetarin e Komunës Perondi, Berat (10.07.2015) etj.