Një laborator droge është zbuluar nga autoritetet italiane në Giussano, në provincën Monza, ku janë sekuestruar 15 kilogramë kokainë, dhe si pasojë janë arrestuar dy shtetas shqiptarë.
Sipas mediave italiane, operacioni u zhvillua nga Karabinierët e Seregno, të cilët fillimisht ndaluan njërin prej shqiptarëve teksa po dilte nga porta e apartamentit ku dyshohej se zhvillohej aktiviteti i paligjshëm.
Duke përdorur çelësat që iu gjetën të arrestuarit, efektivët hynë në banesë, ku gjetën duke fjetur shqiptarin tjetër. Gjatë kontrollit në apartament u zbulua laboratori i drogës, ndërsa u sekuestruan 15 kilogramë kokainë dhe pajisje të ndryshme për përpunimin dhe paketimin e lëndës narkotike.
Sipas raportimit të “Il Giorno”, dy të arrestuarit dolën para gjyqtarit hetues të Gjykatës së Monzës për vlerësimin e masës së arrestit.
Njëri prej shqiptarëve, ai që u gjet në apartament, zgjodhi të ushtrojë të drejtën për të mos dhënë deklarime, ndërsa tjetri u përpoq të justifikonte praninë e tij në Giussano, duke pretenduar se ndodhej aty rastësisht.
Pas seancës, gjykata konfirmoi arrestimet dhe vendosi që të dy shqiptarët të mbeten në burg, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal vijojnë.














